Sezon i frytshëm turistik për Ulqin

September 1, 2009   | Turizmi / Turizam

Zbritje per pushime ne UlqinPas mbylljes së sezonit turistik në Ulqin, akomodimi, ushqimi dhe shërbimet do të jenë 20-30 për qind më lirë se gjatë korrikut dhe gushtit
Kesaj vere në Ulqin janë dëgjuar gjuhë të ndryshme, që tregon se ai kishte një strukturë tjetër të turistëve, të cilët në numër rekord erdhën nga vendet e rajonit, por edhe nga Evropa. Numri i tyre ishte 13 për qind më i lartë se vjet në fund të gushtit, shkruan e përditshmja podgoricase “Pobjeda”.

Zakonisht në fund të gushtit, për shkak të fillimit të vitit të ri shkollor, bie numri i mysafirëve. Mirëpo, kjo sivjet nuk po vërehet në Ulqin. Sipas të dhënave zyrtare në këtë komunë pushojnë rreth 20 mijë turistë të regjistruar.

“Pas qershorit e majit të mirë, në korrik është vërejtur një rënie e lehtë. Filluan ditët me shi. Mirëpo, kah fundi i këtij muaji gjendja u përmirësua dhe gjendje e tillë vazhdon edhe tash. Gushti në një mënyrë ka kompensuar minuset e muajve të mëhershëm”, ka deklaruar Vaso Radoviq, përgjegjës për Ekonomi dhe Zhvillim në Ulqin.

Me vërejtjen se në këtë komunë qëndron edhe një numër i madh i turistëve që nuk regjistrohen, ai shton se këtu ka më shumë mysafirë se që tregojnë shifrat zyrtare.

“Na gëzon prania kaq e madhe e mysafirëve. Kësaj vere mysafirët nga Kosova nuk dominojnë si ka ndodhur në dy dekadat e fundit, pasi që kanë ardhur shumë turistë nga Bosnja, Serbia dhe nga vendet e tjera të rajonit”, shton Radoviq.

Mirëpo, nuk ka qenë i vogël as numri i turistëve nga Shqipëria. Radoviq thotë se në vendkalimin kufitar në Sukobinë, brenda ditë kanë kaluar nga 8.500 veta. Janë evidentuar 21 autobusë përplot turistë që nga ky vendkalim kanë hyrë në Mal të Zi.

Sado që Ulqini ka mungesë të kapaciteteve hoteliere të standardit të lartë, oferta e sivjetme i është përgjigjur kërkesës. Ajo është begatuar me një numër të madh të objekteve të reja hoteliere dhe apartamenteve në shtëpitë private, posaçërisht përgjatë Plazhit të Madh.

Ka shpresë se në Ulqin sezoni turistik do të jetë më i gjatë për shkak të kohës së mirë që po mbretëron. Zyrtarët e kësaj komune edhe pas gushtit shpresojnë se do të vijnë turistë të tjerë, pasi që akomodimi, ushqimi dhe shërbimet do të jenë 20-30 për qind më lirë se gjatë korrikut dhe gushtit, shkruan “Pobjeda”.

Gazeta Express

YouTube Preview Image