Bisedë me kryetarin e Alternativës Shqiptare, Gjergj Camaj

September 7, 2009   | Intervista / Intervju

Shqiptarëve duhet t’u sigurohet e drejta e garantuar
Koha javore: Z. Camaj, redaksia e “Koha Javore” ka hapur temën, në lidhje me pjesëmarrjen e pakicave në jetën publike. Na tregoni i cili është qëndrimi i partisë suaj dhe Listës Shqiptare e cila në zgjedhjet e 29 marsit fitoi një deputet, në lidhje me këtë çështje?

Gj.Camaj: Një nga çështjet më me rëndësi që shfaqet brenda sistemeve demokratike është kërkesa e pjesëmarrjes së pakicave në jetën publike, si një çështje kyçe në konteksin e të drejtave të pakicave dhe të drejtave të popujve autokton. Veçanarisht nga vetë pjesëtarët e popullit pakicë, të cilët gjithnjë e më shumë pranojnë se, përveç njohjes së të drejtës së tyre për një identitet të ndarë të grupit, e cila është e normuar sipas të drejtës së garantuar si standard ndërkombëtar, ata kanë nevojë për pjesëmarrje më konkrete në jetën publike, kulturore, sociale dhe ekonomike të vendeve në të cilat ata jetojnë.
Pjesëmarja e pakicave në jetën publike është tejet e rëndësishme, por dhe e domosdoshme jo vetëm për pakicën përkatëse por edhe për shoqërinë, gjëgjësisht shtetin në të cilin ajo pakicë jeton dhe vepron.
Mungesa e një pjesëmarrjeje të mirëfilltë mund të shihet shumë shpesh kur pakicat autoktone siç jemi ne shqiptarët përjashtohemi, apo nuk kanë qasje në vendimmarrjet politike, sociale dhe ekonomike që më pas kjo pamundësi lë një pasojë të drejtëpërdrejtë në jetën e pakicës sonë.
Kjo arrihet kur shteti për t’u siguruar pakicave një gjë të tillë, parasheh mjete të caktura financiare për gjallërimin e instuticoneve të cilat janë bazë për implementimin e programeve qeveritare për inkuadrimin e pakicave në vend dhe pozicione të cilat konsiderohen si vitale për ruajtjën e kulturës historisë dhe identitetit të tyre dhe në këtë mënyrë shoqëria malazeze mund të sigurojë këtë standard dhe gjithashtu të demonstron se është mbi dallimet, sepse në të njëjtën kohë diverzitetet doemos duhet të njihen.
Shqiptarët në Malin e Zi nuk janë te përfaqësuar në gjykatë, prokurori, polici,në Ministrinë e Arsimit, Kulturës dhe në shumë e shumë institucione të tjera me rëndësi në të cilat vendoset për fatin e tyre, si popull autokton në trojet e veta etnike.
Këtu mund të çelim debate në lidhje me këtë temë, se në cilën shkallë Mali i Zi e respekton këtë standard.
Në këtë rast Alternativa Shqiptare i ka tërhequr vërejtje administratës malazeze për të respektuar të drejtat tona si pakicë dhe menjëherë të integrojë pjestarët e pakicës shqiptare nëpër instuticionet dhe organet shtetërore në mënyrë të barabartë.

Koha javore: Pjesëmarrja e pakicave në jetën publike është një nga parakushtet e institucioneve europiane e rekomanduar për shtete që kanë aspirata të integrohen në Bashkimin Eur?pian.Çfarë do të bëni Ju si parti që këto rekomandime të jetësohen?
Gj.Camaj: Jo vetëm institucionet europiane por edhe një numër i instrumenteve ndërkombëtare kërkojnë që shtetet të promovojnë të drejtën e pjesëmarrjes së pakicave në jetën publike. Ato në shuicën e rasteve nuk e respektojnë këtë rekomandim. Por sidoqoftë, nocioni i pjesëmarrjes së pakicave mund të nxirret nga dokumentet ndërkombëtare siç janë; Deklarata Univerzale e të Drejtave të Njeriut dhe Marëveshja Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Këto dokumente mbrojnë të drejtën për të marrë pjesë në qeveri ose në drejtimin e punëve publike. Komiteti i KB-ve për të Drejtat e Njeriut ka elaboruar këtë dispozitë duke theksuar se:
‘Drejtimi i punëve publike … është një koncept i gjerë që lidhet me ushtrimin e pushtetit politik, veçanërisht ushtrimin e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe administrativ duke mbuluar të gjitha aspektet e administratës publike, dhe formulimin dhe implementimin e politikës në nive lndërkombëtar, kombëtar, rajonal dhe lokal’.(Koment i përgjithshëm 25, 1996)
Prandaj neve si parti politike kemi qëndrim se përderisa ekzistojnë këto dispozita ndërkombëtare pakica shqiptare do të fitojë të drejtën e vet të garantuar, për shkak se Mali i Zi është i interesuar të kyçet në familjen europiane në ç’mënyrë këto dispozita janë edhe parakusht dhe standard për t’u plotësuar.

Koha javore: A mund të shpresojmë në të ardhmën se do krijohet një harmonizim i qëndrimeve për një bashkëpunim më të ngusht me pjesën tjetër e cila tani funksionon si Iniciativa Qytetare në lidhje me zgjerimin e frontit të përbashkëtë për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe ngritjen e statusit të komunës urbane në komunë të plotë?
Gj.Camaj: Duke menduar në këtë aspekt të gjerë, pjesëmarrja e pakicave në jetën publike i mbulon shumë fusha të jetës, edhe organizatat shtetërore por edhe ato të sektorit privat, të cilat involvojnë një numër aktivitetesh siç janë: pjesëmarrja në politikat nacionale përmes pjesëmarrjes në parti politike, duke dalë në zgjedhje dhe votuar në to, pjesëmarrja mund të jetë kur pakica të ketë të drejtë të dekretojë mundësinë e vetos për çështjet vitale dhe specifike. Kjo përfshin po ashtu forma të tjera të ndikimit në politikë të krijojë mekanizma për konsultime dhe negociata, përmes mediave, lobimit, siç kemi rastin në Malësi – fitimi i Komunës së plotë etj.
Kështu, pjesëmarrja mund të kuptohet si aftësi e pakicës ose anëtarëve të tyre që të sjellin fakte relevante për vendimmarrësit, të propozojnë reforma, të jenë bashkëvendimmarës, të vendosin veto në propozimet legjislative ose administrative dhe të vendosin dhe menaxhojnë institucionet e tyre në fusha të specifikuara.
Përderisa neve të gjithë ne të mos i kuptojmë këto si prioritet tona nuk do të kemi shans.
Pikërisht në këtë dua të ndërlidhem se ne qëndrojmë në të njëjtat pozita për çka edhe jemi edhe formuar, por askush nuk ka të drejtë të mbajë peng fatin e Malësisë dhe statusin e komunës së plotë.
Alternativa Shqiptare si lëvizje politike e trashëgimtare e Iniciativës Qytetare dhe aktivitetit të saj politik është e hapur për bashkëpunim dhe afrim me të gjithë ata që kanë si synim komunën e plotë dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo vlen edhe për këtë pjesë që po shpreheni Ju e që e ka përdorë emrin e të madhes për mua Iniciativë Qytetare që e ceka më lart e cila tani njihet si Alternative Shqiptare. Me siguri se krejt ajo çfarë ka ndodhe rreth nesh kohëve të fundit duhet të jetë moment i reflektimit ashtu që të gjithë ne të vendosim gishtin në kokë dhe ta shohim se si doli fundi. Pa fajsuar asnjë anë të bisedohet dhe të tentohet që të shpëtohet nëse mundet gjë, sepse jo vetëm se kemi dobësuar ASH-në, por kemi përçarë edhe popullin,Të cilën gjë nuk duhet ta lejojmë që të zgjasë dhe në këtë drejtim ne duhet ta marrim përgjegjësinë dhe këtë të tentojmë ta zbusim e sensibilizojmë situatën.

Koha javore: Pasi që normat ndërkombëtare rekomandojnë respektimin e këtyre standardeve për shtete që aprovojnë konventat që trajtojnë këtë çështje. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këto dokumente ?
Gj.Camaj: Po, kemi shumë dokumente të karakterit ndërkombëtar, të cilat rekomandojnë respektimin e normave, të cilat i sigurojnë një pjesëmarrje propocionale pakicës në jetën publike duke obliguar shtetin për të krijuar mekanizma në implementimin e tyre.Njëra nga konventat për popujt pakicë e që në këtë rast mund të ndërlidhet me situatën tonë është edhe Konventa, lidhur me popujt vendas dhe fisnorë , e vitit 1989. Dua të veçoj këtu nenin 6 të kësaj konvente i cili përcakton të drejtën për një pjesëmarrje adekuate në jetën publike si dhe nenin 7 i cili bën fjalë për përmirësimin e kushteve të jetës dhe punësim në të gjitha nivelet dhe të edukimit të popujve në fjalë, me participimin dhe bashkëpunimin e tyre, do të jetë çështje prioritare në planet për zhvillimin e tërësishëm ekonomik të regjioneve të cilat ata i banojnë. Po ashtu kur është fjala për ruajtjen e pronës e cila u është privuar pjesëtarëve të pakicës kemi nenet 14 dhe 17 të cilët përcaktojnë të drejtat për pronësi dhe pronë të popujve autokton mbi tokat të cilat ata në mënyrë tradicionale i posedojnë. Shumë nga dispozitat e kësaj konvente e qartësojnë pozitën e popujve autoktonë në raport me shtetin dhe vendin ku ata përbëjnë shumicën, si dhe i mbrojnë ata nga mundësia e ndryshimit të strukturës demografike dhe asimilimi që për Alternativën Shqiptare është e papranueshme. Mirëpo, rrugëtimi deri te ratifikimi i kësaj konvete është i largët por i arritshëm dhe ne si subjekte politike duhet të veprojmë të gjithë së bashku në drejtim të jetësimit të saj por edhe të shumë dokumenteve ndërkombëtarë që garantojnë ruajtjen e identitetit dhe kulturës së pakicës sonë autoktone.
Kurse kurë është fjala për Kartën europiane për vetëqeverisjen lokale të vitit 1985 duhet cekur se Mali i Zi e ka ratifikuar këtë dokument dhe kjo është një bazë e mirë që Malësia të fitojë statusin e komunës së plotë si e drejtë e cila rrjedh nga ky dokument. Prandaj ne do të insistojme në respektimin e këtij dokumenti i cili neve na garanton të drejtën për të vetadministruar territorin e Malësisë si komunë e barabartë siç janë komunat tjera në Mal të Zi.

Koha javore: Çfarë mund të bëni ne përmes angazhimit të deputetit nga Lista juaj, që shqiptarët të jenë më të inkuadruar në institucionet shtetërore dhe gjyqësore, duke e ditur realitetin se në disa nga ato nuk figurojnë fare pjesëtarë të pakicës shqiptare?
Gj.Camaj: Ne cekëm dhe më parë se nuk kemi të inkudruar në institucione shtetërore dhe gjyqësores Si koalicion Lista Shqiptare, por edhe si subjekt politik Alternativa Shqiptare do të angazhohet maksimalisht që këtë praktikë të deri tanishme ta ndryshojmë, do të luftojmë me të gjitha mjetet demokratike që Shiptarët të jenë të inkudruar në të gjitha instuticionet në mënyrë proporcionale si në organet ekzekutive, legjislative ashtu dhe në organet gjyqësore. është vertet katastrof të thuhet se në Mal të Zi sot nukë kemi asnjë gjykatës apo prokuror Shqiptarë, kurse në një numër bukur të mirë të ministrive as që figuron fare pjestarë i pakicës shqiptare. Lista shqiptare, lista zgjedhore e ASH dhe LDMZ është e përqëndruar dhe e vendosur që shqiptaret të integrohen, por të integrohen me identitet dhe dinjitet të plotë, jo si instrument apo vegla të dikuj tjetër dhe për qellime të tjerëve.
Neve jemi për një partneritet në ndërtimin e institucioneve demokratike në Mal te Zi, e jo si deri tani që janë integrua të pelqyerit e pushtetit.Neve jemi që si baze elementare për punësim të pjestarëve të pakicës të jetë profesionalizmi por jo të jemi në rangun e dytë apo në rradhë të dytë kurë është fjala që si shqiptare të inkuadrohemi në institucionet shtetërore. Nukë mund të fajsohet vetëm administrata malazeze për gjëndjen që jemi ne sot, por një pjesë e përgjegjësisë u takon edhe perfaqësuesëve tonë në parlament,si dhe partive politike shqiptare qe veprojne në Mal të Zi. Shihet qartë se mungon bashkëpunimi në çështjet më jetike siç është ajo perfaqësimit të pakicës shqiptare në organet shtetërore dhe të jemi më kembëngulës në realizimin dhe aplikimin e të drejtave që na i garantojnë kushtetuta dhe ligjet pozitive të Malit të Zi. Deputeti nga Lista Shqiptare si dhe subjektet politike që perbëjne këtë list, do të angazhohen maksimalisht, për inkuadrimin sa ma të shpejtë në të gjitha instuticonet si dhe në avancimin e të drejtave të shqiptarve në Mal te Zi,për Komunen e plot të Malësisë me qëndër në Tuz, çka mëndoj se është jetike për Malësinë por edhe pikësunim për Alternativën Shqiptare.

Bisedoi: M. Gjokaj
Koha Javore