Bisedë me avokatin Sabri Gjoni, nënkryetar i lëvizjes “Atdheu na Bashkon”

September 14, 2009   | Intervista / Intervju

Sabri Gjoni_camaj_sinishtajMërgimtarët janë pjesë e këtij populli
Koha javore: Z. Gjoni, cila është jeta e një intelektuali shqiptar në SHBA, konkretisht e një avokati? Sa janë gjetur intelektualët shqiptarë që janë larguar nga vendlindja?
S. Gjoni: Jeta e intelektualit shqiptar në SHBA është shumë e vështirë sepse duhet të integrohesh si në jetën ekonomike, ashtu edhe në jetën politike. Gjithashtu duhet t’i përshtatesh edhe shkollimit sepse ai ka një dallim të madh me shkollimin tonë. Pastaj duhet ta njohësh mirë gjuhën angleze.
Të punosh si avokat në SHBA është një punë jashtëzakonisht e vështirë për arsye se konkurrenca është shumë e madhe. Duhet të bësh “luftë” të vërtetë që të mund të bësh emër.
Nëse flas konkretisht për vete, duke shikuar mbrapa, pyes se si kam mundur ta kaloj atë rrugë sepse isha ndër të parët që e kam thyer akullin.
Unë kam dëshirë që brezat e rinj ta ndjekin rrugën time dhe të mos jem unë i vetmuar sepse mua nuk më gëzon kjo vetmi. Mua do të më gëzonte, për shembull, fakti sikur ta formonim shoqatën intelektuale apo Dhomën e Avokatëve Shqiptarë në SHBA sepse në këtë mënyrë kemi mundësi t`i shkëmbejmë mendimet tona dhe do të jemi më të fortë.

Koha javore: Sa ka arritur Lëvizja “Atdheun na Bashkon” ta bashkojë diasporën shqiptare nga trevat në Mal të Zi duke ditur që ekzistojnë shumë shoqata të ndryshme, që janë të organizuara kryesisht në bazë rajonale?
S. Gjoni: Lëvizja “Atdheu na Bashkon” është një organizatë mjaft e re, por ka qëllime dhe një program afatgjatë, që nëse realizohet do të jetë një gjë shumë pozitive për diasporën shqiptare. Lëvizja ka dëshirë t`i bashkojë të gjitha forcat intelektuale, por edhe afaristët shqiptarë, nën një ombrellë, që t`u përkushtohen problemeve në atdhe.
Lëvizja nuk është krijuar për të na ndihmuar neve në SHBA, por ajo është krijuar me qëllimin që të ketë kontakte më të shpeshta me vëllezërit tonë që gjenden sot në Mal të Zi. Nëse Lëvizja ia arrin qëllimit të vet do të bëjë shumë sepse nëse bashkëpunojmë me subjektet si ekonomike, ashtu edhe politike këtu në atdhe, duke gjetur mirëkuptim, atëherë mund ta çojmë interesin kombëtar shumë lart.

Koha javore: Lëvizja “Atdheu na Bashkon” ka qenë e përfshirë në mënyrë indirekte në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi. Kjo përfshirje është komentuar në mënyra të ndryshme, madje ka pasur edhe kritika nga disa subjekte politike shqiptare. Cili është komenti Juaj?
S. Gjoni: Ata që kanë bërë kritika ose nuk e kanë kuptuar qëllimin e Lëvizjes, ose, me fjalë të tjera, kanë folur me njëfarë xhelozie. Unë edhe sot kur shikoj se çfarë ka bërë Lëvizja gjatë zgjedhjeve, nuk jam i penduar në asnjë pikëpamje. Nuk i kemi cunguar të drejtat e askujt, por vetëm kemi shprehur opinionet tona.
Unë nuk mund ta kuptoj se si mund ta akuzojnë Lëvizjen se ajo ka ndërhyrë në procesin zgjedhor?! Po edhe sikur të kishim ndërhyrë, ne jemi pjesë e këtij populli, kemi të drejtë të shprehim opinionin. Nëse populli shqiptar ka pasur të drejtë të vijë dhe ta japë votën për t`u krijuar shteti i Malit të Zi, aq më tepër kemi të drejtë të shprehim mendimet tona për organizatat, qofshin ato politike, joqeveritare, etj. apo për personalitetet.
Ne nuk kemi kurrfarë interesi. Për këtë arsye ma merr mendja që Lëvizja është në gjendje që më mirë se askush tjetër, në mënyrë objektive t`i çmojë edhe ngjarjet, edhe personalitetet, edhe organizatat politike.
Unë nuk e kuptoj se çfarë të keqeje ka bërë Lëvizja nëse e dini se si rezultat i punës së Lëvizjes është zgjedhur edhe deputeti i katërt. Mua më çudit fakti, për shembull, se pse nuk kritikohen deputetët në Parlamentin e Malit të Zi të cilët nuk mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të krijuar klubin e përbashkët. Kjo ma merr mendja që është e metë. Elektorati ka të drejtë ta kërkojë prej tyre këtë sepse ua ka dhënë votën.

Koha javore: Diaspora është shpeshherë kritike ndaj subjekteve të këtushme politike shqiptare. Megjithatë, një lloj përçarje apo më mirë të them një mungesë bashkëpunimi vërehet edhe ndërmjet organizatave kryesore që bashkojnë shqiptarët në SHBA. Pse ndodh kjo?
S. Gjoni: Ju i njihni njerëzit tonë. Kjo ndodh për arsye sepse ne gjithmonë e kemi pasur problem bashkimin dhe bashkëpunimin. Ne nuk dimë të rrimë me palën kundërshtare, ndonëse shpeshherë është e preferuar të rrish me të.
Bashkëpunimi e jo ndarja çon te zgjidhja e problemeve të çështjes shqiptare. Përçarja ka qenë dobësi e popullit tonë. Për këtë arsye kemi vojtur në këtë situatë, si ekonomike ashtu edhe politike.

Koha javore: Pas pavarësimit të Kosovës sikur vërehet një lloj rënie në aktivitetin lobues të shqiptarëve dhe organizatave shqiptare në SHBA. Cila është arsyeja?
S. Gjoni: Vërejtja juaj që ka rënë organizimi është me vend. Për këtë arsye edhe më tepër na bjen barra që ne shqiptarët, diaspora shqiptare nga Mali i Zi, të jemi edhe më shumë të organizuar sepse tani u kërcënohet rreziku trojeve shqiptare. Nuk bëhet më luftë me pushkë, por tani bëhet luftë diplomatike për marrjen e pasurive ekonomike. Dhe dihet që kur dikush ta merr ekonominë, t’i ka hequr të gjitha mundësitë.
Ka kaluar koha që të flitet vetëm për dygjuhësinë, për përkthimin e një dokumenti, ta zëmë një lejeje apo një patenti shoferi, ndonëse edhe kjo është kërkesë e drejtë. Por duhet të merremi më tepër me interesat vitale, të pyesim se pse pjesa e bregdetit ku jetojnë shqiptarët zë 13 për qind në vijën bregdetare të Malit të Zi, kurse zë 57 për qind të hapësirës që administrohet nga Të Mirat Detare. Këtu kemi të bëjmë me shkeljen e ligjeve ndërkombëtare, shkeljen e Kushtetutës së Malit të Zi, shkeljen e Ligjit mbi të Mirat Detare që vetë shteti i Malit të Zi e ka aprovuar.
Atëherë, ku qëndron roli i deputetëve, pse ata mos ta ngrisin zërin? Nuk është e mjaftueshme që të dëgjohen vetëm një ditë, por kjo duhet të jetë temë e përditshme. Duhet të merren vesh ndërmjet tyre. Unë nuk kam dëshirë t’i mësoj sepse ata janë njerëz me karrierë politike. Ky është opinioni im, kurse ata duhet të dalin para elektoratit dhe të tregojnë se pse nuk mund ta bëjnë këtë punë.

I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image
2