Presidenti Topi takohet me përfaqësues politikë, të pushtetit vendor dhe parlamentarë në Mal të Zi

September 18, 2009   | Politika

Presidenti Topi në takim me z. Mehmet Bardhi, Kryetar i Lidhjes Demokratike të ShqiptarëveNë kuadër të vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi sot bisedime me përfaqësues të komunitetit shqiptar në shtetin fqinj: politikë, paralamentarë dhe të pushtetit lokal. Kryetari i Shtetit pati takime të veçanta me z. Mehmet Bardhi, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve, me z. Ferhat Dinosha, Kryetar i Partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Ministër për Minoritetet në Qeverinë e Malit të Zi, me z. Nazif Cungu, Kryetar i Forcës së Re Demokratike të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe deputet në Parlament bashkë me z. Gjergj Camaj, Kryetar i Partisë Alternative Qytetare, z. Amir Hollaj – deputet dhe z. Vasil Sinishtaj.

Presidenti Topi në takim me Kryetarin e Komunës së Tuzit, Smajl ÇunmulajGjithashtu, u takuan dhe biseduan me Presidentin e Republikës sot dhe përfaqësuesit e Komunës së Tuzit, z. Smajl Çunmulaj, Kryetar i Komunës dhe z. Nikollë Camaj, Sekretar i Këshillit Komunal.

Në këto takime, Presidenti Topi ritheksoi se shqiptarët në Malin e Zi i konsiderojmë si urë lidhëse dhe miqësie, të cilët ndikojnë pozitivisht në stabilitetin, bashkëpunimin e kohezionin e brendshëm. Kryetari i Shtetit shprehu bindjen se pakica shqiptare në Mal të Zi, nëpërmjet institucioneve, përfaqësuesve të saj në Parlament dhe organeve të zgjedhura të pushtetit vendor, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë luajale në kërkesat e saj në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe me Konventën e Këshillit të Evropës për Minoritetet. “Në këtë kuadër, mendojmë se disa kërkesa administrative, kulturore, arsimore, infrastrukturore ose të funksionimit të pushtetit vendor, do të zgjidhen me dialog demokratik”, – tha Presidenti Topi.

Presidenti Topi në takim me deputetin Amir HollajPërgjatë bisedave me përfaqësuesit e mësipërm politikë, parlamentarë dhe të pushtetit lokal, Presidenti Topi konstatoi se shumë nga problemet e ngritura janë të përbashkëta dhe kjo është arsye e fortë për gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes tyre, pasi “nëse bashkëpunohet mes forcave politike do të jetë edhe më e lehtë të gjenden zgjidhje të kënaqshme”, – vuri në dukje Kreu i shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, Presidenti Topi nënvizoi se shfrytëzimi i të gjitha hapësirave që ofron legjislacioni i vendit për arritjen e qëllimeve në interes të shqiptarëve në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit, si dhe ndërmarrja e iniciativave të përbashkëta në parlamentin malazez për çështje të caktuara, që preokupojnë komunitetin shqiptar janë të rëndësishme.

Presidenti Topi takon z. Nazif Cungu, Kryetar i Forcës së Re Demokratike të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe deputet në ParlamentNdërsa përfaqësuesit e forcave politike shqiptare në Malin e Zi, pasi shprehën mirënjohjen për takimet dhe kohën e rezervuar për ta nga Kreu i shtetit shqiptar, vlerësuan përparimin dhe arritjet e shënuara nga Shqipëria në drejtim të bërjes së reformave të suksesshme dhe përmbushjes së aspiratave integruese euro-atlantike, duke nënvizuar edhe rolin e rëndësishëm dhe moderator të faktorit shqiptar në rajon. Ata i shprehën Presidentit Topi vlerësimin e lartë për rolin dhe influencën e tij personale në këtë drejtim duke shtruar e diskutuar me të edhe shumë çështje që shqetësojnë bashkëkombasit tanë në shtetin fqinj si çështja e arsimit në shqip, rritja e numrit të studentëve, zbatimi i procesit të decentralizimit të pushtetit vendor, përfaqësimi i shqiptarëve në parlament dhe respektimi i të drejtave të tyre sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Në përfundim të takimeve me përfaqësues të partive politike dhe pushtetit vendor të shqiptarëve të Malit të Zi, Presidenti Topi u shpreh për mediat e pranishme: ‘’Është normale që në një vizitë zyrtare që zhvillohet në Mal të Zi, unë të marr kontakt me edhe me përfaqësues politikë të partive shqiptare. Natyrisht organizimi politik presupozon që partitë politike mund të kenë këndvështrime të ndryshme përsa u përket problemeve, por është në natyrën e punës së Kryetarit të shtetit amë që t’i dëgjojë të të gjithë, të marrë situatën në këndvështrimin e tyre, pastaj të japë mesazhe për një koherencë që duhet të ekzistojë mes partive politike shqiptare për të qenë me mendime të sinkronizuara përsa u përket çështjeve më esenciale.

Presidenti Topi takon z. Ferhat Dinosha, Kryetar i Partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Ministër për Minoritetet në Qeverinë e Malit të ZiPastaj për çështje të karakterit dytësor apo tretësor çdo parti politike ka të drejtën që të shpalosë vizionin e vet, por natyrisht mesazhi kryesor është që partite politike shqiptare duhet të jenë në sintoni sikurse thashë për çështje esenciale që kanë të bëjnë me të drejtat e minoritetit, që janë të drejta të sanksionuara nga standardet e Këshillit të Evropës dhe besoj që këto janë mesazhe që çdo parti politike duhet t’i ketë në konsideratë.

Sigurisht që ky është mesazhi që vjen natyrshëm që të gjithë shqiptarët në Malin e Zi duhet të bashkëpunojnë pikërisht për të arritur ëndrrën e mbarë popullit shqiptar që edhe Shqipëria edhe Mali i Zi të integrohen në Bashkimin Evropian! T’i kapin sa më shpejt këto standarde dhe mesa shikoj, ne jemi në rrugë të mbarë. Duke qenë anëtarë të familjes evropiane, besoj se do t’i kemi plotësuar edhe ato standarde, të cilat natyrshëm kërkohen edhe nga minoriteti. Urime më të mira për çdo shqiptar në Malin e Zi dhe besoj se e ardhmja është e sigurtë në Bashkimin Evropian’’!

Nga Kabineti i  Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi

http://video1.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/topi-maliizi.flv

1