Presidenti Topi takon Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç

September 18, 2009   | Politika

Presidenti Topi dhe Presidenti VujanoviqPresidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nisi sot vizitën e tij zyrtare në Republikën e Malit të Zi me ftesë të Presidentit malazez, Filip Vujanoviç. Kryetari i Shtetit së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni që e shoqëron u pritën me një ceremoni zyrtare të mirëseardhjes në Pallatin Presidencial në Cetinje. Në vijim Presidenti Topi dhe homologu i tij i Malit të Zi, Vujanoviç patën një takim kokë më kokë dhe në përfundim të tij, dy Presidentët kryesuan delegacionet respektive në një takim bilateral.

Në përfundim të takimit mes dy delegacioneve, Presidenti Topi dhe Presidenti malazez dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Presidenti Vujanoviç: I nderuari President i Shqipërisë, zoti Bamir Topi! Zonja dhe zotërinj! Ishte një kënaqësi të pres zotin Topi. Ky takim kishte edhe një rëndësi të veçantë, sepse kjo është vizita e parë zyrtare e Kreut të shtetit shqiptar në Malin e Zi. Diskutuam që Shqipëria dhe Mali i Zi kanë qëllime dhe interesa të njëjta euro-atlantike dhe theksuam bashkëpunimin e mirë mes tyre.

Ky ishte edhe një rast i mirë që të përgëzoj zotin Topi për hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe për kontributin e tij personal në këtë drejtim. Edhe ne u gëzuam dhe e respektojmë integrimin e Shqipërisë në NATO. Na gëzon fakti që Shqipëria në të njëjtën mënyrë si Kroacia, arriti të përmbushë aspiratën e saj duke u futur në NATO. Edhe ne ndajmë të njëjtat aspirata dhe po bëjmë përpjekje për t’i përmbushur ato. Përsa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, ne jemi një hap përpara Shqipërisë dhe jemi të gatshëm që përvojën tonë ta ndajmë me të.

Marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe ne ndamë mendimin që të ketë një dinamikë më të përshpejtuar me zhvillime të tjera duke ndarë përvojën pozitive në mënyrë që të shkurtojmë edhe rrugën e përbashkët integruese.

Është një kënaqësi që nga zoti Topi të dëgjojmë diçka rreth zhvillimeve pozitive shqiptare, që lidhen me integrimin e saj evropian si me zhvillimet e fundit politike, po ashtu edhe me rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Duke patur parasysh edhe qëllimet strategjike të qeverisë së re shqiptare, besojmë se do të thellohet bashkëpunimi ynë i ngushtë në të gjitha fushat. Ky bashkëpunim shtrihet në disa sfera si dhe në zbatimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, sidomos përsa i përket zhvillimit të infrastrukturës rrugore. Në këtë drejtim një projekt i një rëndësie të veçantë është ai i bashkëpunimit të ngushtë mes dy ministrive përkatëse të transportit ku ne do të arrijmë të përfundojmë rrugën Plavë-Podgoricë për ta lidhur atë me pjesën tjetër drejt jugut, drejt Shqipërisë.

Diskutuam edhe për lëvizjen e lirë të njerëzve duke parë rëndësinë e saj në kuadrin rajonal. Duke patur parasysh nevojën e rritjes së lëvizjes së njerëzve, shkëmbimit të mallrave del në pah edhe rëndësia e përmirësimit dhe ndërtimit të lidhjeve infrastrukturore. Diskutuam edhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare në kuadër të bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Dhe tani, duke e uruar edhe një herë zotin Topi për vizitën e parë zyrtare të një Presidenti shqiptar në Malin e Zi, e ftoj atë të prononcohet!

Presidenti Topi: I nderuari President Vujanoviç! Të nderuar zonja e zotërinj, përfaqësues të medias! Së pari do ta falenderoj sërish Presidentin Vujanoviç për ftesën dhe për mikpritjen dhe mundësinë që na jepet përsëri për të përjetuar nga afër ndjesinë që të jep qyteti historik i Cetinjës!

Ne gjatë bisedimeve rikonfirmuam edhe një herë marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Natyrisht një miqësi e farkëtuar prej interesave të njëjta që kanë dy vendet dhe dy popujt tanë. Popujt dhe vendet tona kërkojnë që të jetojnë në paqe dhe në harmoni. Kanë të njëjtën ëndërr – ëndrrën e integrimit euro-atlantik. Ne gëzohemi për hapat e rëndësishme që Mali i Zi ka bërë drejt Bashkimit Evropian. Natyrisht që ndjemë edhe gëzimin e përfaqësuesve të Malit të Zi për hapat që ka bërë Shqipëria drejt anëtarësimit në NATO.

Dialogu politik është në nivelin më të lartë. Së bashku me Presidentin Vujanoviç ne takohemi shpesh në takime rajonale e në takime bilaterale. Vërtet që është vizita e parë zyrtare që unë zhvilloj në Malin e Zi, por shumë takime të tjera u kanë dhënë këtyre marrëdhënieve më shumë se në nivelin protokollar, u kanë dhënë këtyre marrëdhënieve një karakter të sinqertë.

Ne në Shqipëri po punojmë për përmirësimin e investimeve të infrastrukturës dhe padyshim një pjesë e rëndësishme e këtyre investimeve janë ato investime të bëra drejt Shkodrës dhe drejt kufirit me Malin e Zi. Dhe gradualisht po realizojmë atë pjesë të premtimin që kemi marrë së bashku edhe me Presidentin kroat Mesiç për të realizuar rrugën Adriatiko-Joniane. Mendoj që do të jetë një arterie shumë e rëndësishme për t’i dhënë jetë një komunikimi më intensiv të njerëzve dhe të mallrave dhe patjetër për ta bërë edhe zhvillimin e turizmit në mënyrë shumë integrale.

Ne kemi patur mundësi të diskutojmë edhe herë të tjera, diskutuam edhe tani për nevojën e trajtimit reciprok të pasurive të përbashkëta natyrore. Kemi folur sërish për Liqenin e Shkodrës, për lumin e Bunës, kemi folur për Detin Adriatik, për mundësitë shumë të mëdha që kanë bërë të investohen jo vetëm Akademitë e Shkencave tona, por edhe njerëz që zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm edhe vazhdimin e dialogut edhe me presidentët e tjerë të rajonit të Ballkanit. Rivlerësuam pozitivisht takimin e katër presidentëve në Vlorë, në Shqipëri dhe besoj që është një traditë, e cila duhet të vazhdojë. Kjo i çtensionon marrëdhëniet, krijon një klimë jashtëzakonisht të mirë mes njerëzve dhe bën të mundur që terreni i vendeve tona të jetë një terren shumë i mirë për investime të huaja.

Besoj se edhe aktiviteti që u zhvillua në Ulqin është një nga ato dhjetëra aktivitete që duhet të zhvillohen dhe kanë mundësi të zhvillohen dhe kjo do të mundësonte që takimet të mos jenë thjesht në nivel presidentësh, kryeministrash apo zyrtarësh të tjerë, por të jenë edhe mes njerëzve të thjeshtë.

Edhe një herë falemnderit për mikpritjen dhe jam i bindur që marrëdhëniet tona do të vinë duke u intensifikuar në interes të dy vendeve tona!

Pyetje / TV i Malit të Zi: A mendoni se Shqipëria po bën mjaft për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi? Cili është mesazhi juaj që do t’ua përcillni përfaqësueve politikë të shqiptarëve?

Presidenti Topi: Falemnderit për pyetjen! Sikurse edhe ju jeni në dijeni, në axhendën time janë edhe takime me përfaqësues të partive politike shqiptare në Mal të Zi. Kam patur edhe raste të tjera për takime jo thjesht me përfaqësues politikë, por edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera.

Ajo që kemi diskutuar edhe me Presidentin Vujanoviç, gjë që e rikonfirmoj edhe tani, është që ne i konsiderojmë, shqiptarët që jetojnë në Malin e Zi një faktor shumë të rëndësishëm të harmonisë që ekziston mes dy vendeve tona. E thënë me një term tjetër, një urë lidhëse e interesave që kanë dy popujt tanë.

Është shumë e rëndësishme kur autoritet shtetërore të dy vendeve fqinje takohen shpesh, sepse kanë mundësi që të t’i konsumojnë disa tema që ndoshta në vështrim të parë mund të tingëllojnë si tema sipërfaqësore.

Unë e konsideroj shumë të rëndësishëm vetë pozicionimin e Presidentit Vujanoviç, i cili ka qenë i pranishëm edhe në Ulqin, ku u ftuam së bashku nga zoti Hajdinaga, që është përfaqësues i shqiptarëve. Është Kryetar i Komunës së Ulqinjit. E kam theksuar edhe në takimin e sotëm – një tendencë e qartë për të pranuar edhe mekanizmat e Këshillit të Evropës të mundësisë së decentralizimit brenda kuadrit ligjor që ka Mali i Zi.

Sot fatmirësisht vendet tona jetojnë në një terren demokratik dhe evropian. Sikurse e tha edhe Presidenti Vujanoviç, Mali i Zi është një hap përpara Shqipërisë përsa u përket etapave të integrimit evropian. Por Shqipëria gëzon një element tjetër shumë të rëndësishëm që është anëtare e NATO-s. Ne kemi paraqitur kërkesën tonë për të qenë vend kandidat i Bashkimit Evropian. Ju e dini fare mirë që Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës ka kërkesa dhe standarde shumë ligjore për secilin vend kandidat, kështu që unë jam i bindur të them që dy vendet tona, sikurse edhe vendet e tjera që janë në rrugën e anëtarësimit e kanë vullnetin dhe janë të detyruar të zbatojnë të gjitha standardet e respektimit të të drejtave të njeriut. Dhe do të vijë dita shumë shpejt, dhe ky nuk është një prononcim hipotetik, do të vijë dita shumë shpejt që edhe vendet tona do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të jetojmë në një bashkësi evropiane jashtë çdo lloj kompleksiteti që e ka sjellë edhe e kaluara.

Nga Kabineti i  Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi