Paralajmërohet formimi i Klubit të deputetëve shqiptarë

September 23, 2009   | Politika

Podgoricë – Klubi i deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi mund të themelohet së shpejti.
Këtë e ka paralajmëruar deputeti i Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”, Amir Hollaj, në një intervistë për gazetën “Koha javore”.
“Shpresoj që këtyre ditëve do të zyrtarizohet klubi dhe do të fillojë të punojë në të mirën e të gjithë neve”, ka thënë ai.
Hollaj ka thënë se që ditën e parë iu ka bërë të ditur kolegëve deputetë nga radhët e subjekteve politike shqiptare se ai është për bashkëpunim, pa kompromis dhe pa kushte paraprake.
“Pikat për të cilat do të angazhohemi ne, janë pak a shumë për ne të pranueshme, ndërsa secili subjekt ka autonominë e vet jashtë këtyre pikave. Vetëm të bashkuar mund të kemi suksese”, ka thënë ai.
Edhe pse tre deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu nga Forca e Re Demokratike, Mehmet Bardhi nga Lista Shqiptare dhe Amir Hollaj nga Koalicioni Shqiptar “Perspektiva” kanë shprehur gatishmëri për themelimin e klubit të përbashkët, kanë kaluar gati gjashtë muaj që nga zgjedhjet parlamentare të 29 marsit dhe Klubi i deputetëve shqiptarë nuk është themeluar ende.
Deputetët e këtyre tre subjekteve politike nuk e kanë pranuar ftesën e bërë nga deputeti i UDSH-së, Ferhat Dinosha (tani ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave), për themelimin e klubit të përbashkët të katër deputetëve të subjekteve nacionale shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi, përfshirë edhe deputetin e UDSH-së.
Në bazë të Rregullores së Parlamentit të Malit të Zi parashikohet që klubi i deputetëve përbëhet nga të paktën tre deputetë.
Në Parlamentin e Malit të Zi aktualisht funksionojnë gjashtë klube të deputetëve.

I.Kallaba
Koha Javore

2