Ada po zhduket!

October 5, 2009   | Reportazh / Reportaža

Ada BojanaLufta kunder natyrës
Buna gradualisht “po e gërryen” Adën dhe deri në fund të këtij shekulli ajo nuk do të ekzistojë më! Buna (më saktësisht Drini) e formoi Adën nga fundi i shekullit XIX, e në qoftë se urgjentisht nuk ndërmarrim diçka, ajo edhe do ta shkatërrojë!
Legjenda thotë se në vitin 1858 në grykëderdhjen e Lumit Buna në det u fundos anija Merito, pronë e Anton Alegretit nga Trogiri, të cilën e drejtonte kapiten Naporeli.
Pikërisht ky moment ka qenë vendimtar për formimin e Adës. Sepse, në shekullin XIX, në këtë vend kanë ekzistuar dy ishuj më të vegjël. Asohere, rrënojat e anijes, së bashku me dy ishuj të afërt i ndalën sedimentet e lumit dhe formuan Adën. Ajo filloi të dukej në vitin 1882. Arkivat e Shkodrës tregojnë se pikërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX Drini ka ndërruar shtratin dhe se prej atëherë një degë e këtij lumi derdhet në Bunë.
Kjo zgjati kështu gjithnjë deri nga mesi i viteve të 70-ta të shekullit XX kur filluan të ndërtohen hidrocentrale mbi Drin. Deri tani janë ndërtuar tri (Komani, Fierza dhe Vau i Dejës), e së shpejti do të fillojnë edhe punimet për ndërtimin e hidrocentralit të katërt modern, që do të quhet “Ashta”, dhe nga i cili do të furnizohen me rrymë 100 mijë familje.
Objekti i ri energjetik mbi Drin do t’i sjellë Shqipërisë energji të bollshme, kurse pasojat për ekosistemin e Shkodrës dhe të Liqenit të Shkodrës do të jenë të papërfillshme, por shkatërrimtare për degëzimin e lumit të Bunës.
Kjo për arsye se një gjë e tillë do t’i pakësojë akoma më shumë sendimentet në Bunë, të cilët vinë pikërisht nga Drini dhe do të përgjysmojnë shpejtësinë e saj. Për këtë arsye plazhi nga viti në vit vjen duke u zvogëluar.
“Ndërtimi i hidrocentralit të ri mbi Drin do të reflektohet në mënyrë fatale ndaj Adës, e cila edhe kështu tashmë është e rrezikuar. Deri tani kemi humbur të paktën 60 metra të bregut të këtij ishulli. Kjo më së miri shihet në fotografinë krahasuese të disa depove në plazh, të cilët para tridhjetë vitesh kanë qenë të larguara 60 metra nga deti, e tani ndodhen në ujë”, paralajmëroi biologu gjerman Martin Shnajder Jakobi. Ai shtoi se Buna deri me ndërtimin e hidrocentraleve ka sjellur rërë në sasi të mjaftueshme dhe kësisoji i ka ruajtur konturat e ishullit të krijuar para 150 vitesh.
“Tani, për shkak të prurjes më të vogël të ujit, e sjell në sasi shumë më të vogla, kurse deti merr gjithnjë e më shumë. Për këtë arsye Ada po zhduket pamëshirshëm para syve tanë dhe frikohemi se do të mund të përfundonte si një ishull i paemër në anën shqiptare, i cili nuk do të ekzistojë më”, tha ai.
Fjalët e tij i konfirmon shefi shumëvjeçar i plazhit në Adë, Shyqyri Kahari:
“Shtëpiza ime para tridhjetë vitesh ka qenë 80 metra larg detit, e tani ka ardhur në tri metra largësi! Edhe një vit tjetër dhe nuk do të ekzistojë më! Më dhemb zemra por kjo është kështu”.
Sido që të jetë, Buna gradualisht “po e gërryen” Adën dhe deri në fund të këtij shekulli ajo nuk do të ekzistojë më! Buna (më saktësisht Drini) e formoi Adën nga fundi i shekullit XIX, e në qoftë se urgjentisht nuk ndërmarrim diçka, ajo edhe do ta shkatërrojë!
Natyrisht, e gjithë kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme për tërë ekosistemin e këtij rajoni më të bukur të Mesdheut, ku banojnë grupe të tëra të llojeve globalisht të rrezikuara të zogjve, peshqve dhe shtazëve të tjera.
Do të jetë kjo prova më e mirë e raportit tonë ndaj natyrës, zhvillimit të qendrueshëm dhe “shtetit ekologjik”. Në këtë luftë kundër natyrës, respektivisht Zotit, ne do të jemi të deklasuar!
Pa Adën Ulqini do të mbetet invalid turistik.

Mustafa Canka
Koha Javore

YouTube Preview Image