Rikthehet lundrimi në Bunë?

October 5, 2009   | Politika

Kryeministrat e Malit të Zi dhe republikës së Shqipërisë, Millo Gjukanoviq dhe Sali BerishaKryeministrat e Malit të Zi dhe republikës së Shqipërisë, Millo Gjukanoviq dhe Sali Berisha merren vesh për projekte të tjera të përbashkëta.
Pas pikës së përbashkët doganore Sukubinë-Muriqan, një projekt tjetër i përbashkët pritet të fillojë së shpejti ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe ai i Shqipërisë, Sali Berisha, kanë rënë dakort që të dy qeveritë, të fillojnë një projekt të përbashkët, shumë të rëndësishëm infrastrukturor, midis Mali të Zi dhe Shqipërisë, thellimin e shtratit të lumit të Bunës dhe rikthimin e Bunës në një lumë të lundrueshëm, i cili do t’u shërbejë interesave të qytetit të Shkodrës dhe rajonit përreth për transport ujor.
Dy kryeministrat janë takuar të premten në Nju Jork ku kanë marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas deklaratës për shtyp të Zyrës së kryeministrit Berisha, “dy homologët diskutuan gjithashtu për krijimin e një regjimi të veçantë për lëvizjen e lirë ndërmjet dy vendeve, në veçanti në periudhën e verës dhe pikut turistik, duke patur parasysh faktin që të dy vendet po shndërrohen gjithnjë e më shumë në destinacion të preferuar të turistëve nga rajoni e më gjerë”.
Gjithashtu të dy kryeministrat ritheksuan vendosmërinë e tyre dhe të Qeverisë së Malit të Zi dhe asaj shqiptare për të bashkëpunuar ngusht në fushat e ndërtimit të infrastrukturave së rëndësishme rrugore që lidhin të dy vendet, por edhe në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes të mjedisit.
“Duke patur parasysh ecurinë e të dy vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, të dy kryeministrat shprehën vendosmërinë për bashkëpunim të ngushtë e shkëmbim përvojash ndërmjet dy qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve në këtë fushë”, thuhet më tej në daklaratë.
Kryeministri Gjukanoviq e falënderoi me këtë rast homologun e tij shqiptar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa kryeministri Berisha i shprehu Gjukanoviqit përkrahjen e Shqipërisë për përpjekjet e Malit të Zi për anëtarësim në NATO.
Gjukanoviq ka përgëzuar kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit 2009.
“Jam i bindur se qeveria juaj do të vijojë punën e deritanishme në interes të mirëqënies për popullin shqiptar dhe integrimit të Shqipërisë në BE”, është shprehur Gjukanoviq.
Gjatë bisedës, të dy kryeministrat shprehën kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis të dy qeverive dhe vendeve, si dhe gadishmërinë e qeverisë malazeze dhe asaj shqiptare për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Takimi ndërmjet kryeministrit Millo Gjukanoviq dhe Sali Berisha është takimi i dytë brenda një kohe të shkurtër që zhvillohet ndërmjet krerëve më të lartë të Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Më 17 dhe 18 të këtij muaji Presidenti i Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Bamir Topi qëndroi në vizitë zyrtare dyditore në Mal të Zi me ç’rast zhvilloi takime me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, kryeministrin Millo Gjukanoviq, ministrin e Punëve të Jashtme, Milan Roqen, dhe përfaqësues të partive politike shqiptare.

Kohapress