Të gjithë njëzëri: Tuzi duhet të jetë komunë e plotë

October 5, 2009   | Lajmet / Vijesti

tuzi komun (2)Edhe pse pjesëmarrësit e tryezës nuk dolën me ndonjë përfundim apo propozim konkret, ajo u vlerësua e rëndësishme nga të gjithë ata për propozimet që do t’i ndërmarrë Komisioni për dispozita dhe akte pranë KNSH-së për projektligjet në fjalë.
Pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët të organizuar të premten në Tuz nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi lidhur me Projektligjin mbi organizimin territorial të Malit të Zi dhe Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale janë të një mendjeje se zgjidhjet e ofruara me këto dy projekligje nuk shkojnë në favor të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në këtë vend.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, të subjekteve politike nacionale dhe jonacionale, përfaqësues të KNSH-së dhe pjesëmarrës të tjerë janë me një zë se me Ligjin e ri mbi Organizimin Territorial të Malit të Zi statusi i Komunës Urbane të Tuzit duhet të ngritet dhe të përcaktohet si komunë e plotë si të gjitha komunat e tjera në Mal të Zi.
Kryetari i KNSH-së, Tahir Tahiri, në fjalën e hapjes tha se këto projektligje janë projekte antagoniste që kundërshtojnë fitimin e komunës së plotë të Tuzit dhe nuk respektojnë konventat ndërkombëtare, siç është “Karta Europiane për Vetëqeverisjen Lokale”.
Ai falënderoi të gjitha subjektet shqiptare për qasjen e tyre serioze ndaj çështjes së komunës së plotë të Tuzit.
Nënkryetari i Komisionit për Dispozita dhe Akte pranë KNSH-së, Mehmet Tafica, foli për rëndësinë e disa neneve të Ligjit për organizimin territorial, të cilat e bllokojnë mundësinë e fitimit të komunës së Tuzit.
Sipas tij, këtyre neneve duhet t’u kushtojmë vëmendje më të madhe sepse Tuzi me këto zgjidhje ligjore mbetet pjesë e Podgoricës dhe pa status vetëqeverisës.
“Nga ky ligj, lind një pyetje: pse projektuesi i këtij ligji nuk e ka paraparë Tuzin si komunë të plotë? Jemi dëshmitarë që janë bërë shumë premtime dhe kanë ndodhur shumë ngjarje lidhur me kërkesën legjitime të qytetarëve të Malësisë për komunë të plotë”, u shpreh Tafica.
Kryetari i LD në MZ dhe deputeti i Listës Shqiptare, Mehmet Bardhi, kërkoi nga të gjitha subjektet që çështja e emrit të Komunës së Tuzit të mos jetë element ndarës sepse në këtë moment duhet të jemi të bashkuar.
Ai foli edhe për aktivitetet e LD në MZ dhe kërkesat e saj të vazhdueshme për fitimin e statusit të Komunës së plotë të Tuzit.
Bardhi përmendi edhe opinionet e disa funksionarëve më të lartë shtetërorë të Malit të Zi të dëgjuara në takime të ndryshme, siç është rasti i bisedës me Presidentin Filip Vujanoviq dhe në atë kohë ministrin e Drejtësisë, Zhelko Shturanoviq, të cilët konfirmuan të drejtën e komunës së plotë të Tuzit.
“Dhe rasti i takimit me kryeministrin Millo Gjukanoviq kur ai është shprehur se nëse Tuzi nuk i plotëson kushtet ekonomike për komunë, atëherë cila komunë i plotëson”, u shpreh Bardhi.
Përveç këtyre fakteve, sipas tij, ekziston edhe e drejta historike e banorëve vendas për komunë të plotë.
Kryetari i Alternativës Shqiptare, Gjergj Camaj, foli për elaboratin e hartuar në vitin 1993 nga Miodrag Vllahoviq, tani ambasador i Malit të Zi në SHBA, në të cilin në mënyrë të argumentuar arsyetohet se edhe në atë kohë Malësia i plotësonte kushtet për të qenë komunë e plotë.
“Prandaj ne duhet të kërkojmë ndihmë nga të gjithë shqiptarët për këtë të drejtë, sepse ne i plotësojmë të gjitha kushtet për komunë të plotë. Nëse edhe këtë herë nuk e fitojmë të drejtën për komunë, do të na e japin vetëm atëherë kur t’i shesin pronat”, u shpreh Camaj.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, tha se deputetët e partive shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi duhet të punojnë së bashku në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje.
Ai po ashtu tha se kjo parti me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve optimale për statusin e Komunës së Tuzit ka krahasuar projektligjet në fjalë me ligjet e vendeve në rajon, nga ku, sipas tij, mund të nxirren zgjiedhje të mira.
Cungu tërhoqi vërejtjen për rëndësinë e problemeve ekonomike si probleme që duhet trajtuar seriozisht dhe që sot po trondisin komunën e Ulqinit.
Deputeti i Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”, Amir Hollaj, tha se Komuna e Malësisë do të jetë kërkesë kyçe për të si deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi.
Ai theksoi se tashmë ekziston edhe “Elaborati i fizibilitetit”, i cili dëshmon qëndrueshmërinë dhe arsyetueshmërine e komunës së plotë.
Hollaj bëri thirrje “që pa humbur kohë të dalim të gjithë së bashku, njëzëri, për të fituar komunën e plotë”.
Përfaqësuesi i Iniciativës Qytetare, ish deputeti Vasel Sinishtaj, tha se propozimet e shqiptarëve duhet të mbështeten në aktet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Malit të Zi.
Sa i përket statusit të Komunës së Tuzit, ai nënvizoi katër aspekte që, sipas tij, sigurojnë të drejtën për komunë të plotë.
“Aspekti juridik i cili nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Malit të Zi e as me dokumentet ndërkombëtare, në veçanti me Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale, e cila në nenin 12 i obligon shtetet nënshkruese për respektimin e saj”, tha ai.
Aspektin politik Sinishtaj e ndërlidhi me vitin 1958, kur është suprimuar Komuna e Tuzit me dekret pa i pyetur banorët, dhe shumë e shumë kërkesa për fitimin e komunës së plotë si dhe Rezolutën e miratuar së fundi nga Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit.
“Për aspektin ekonomik përveç se të gjithë e dimë realitetin se Malësia mund të funksionojë si komunë, sot kemi elaboratin për arsyetueshmërinë e themelimit të komunës së plotë”, tha ai.
Ndërsa aspekti i katërt, sipas Sinishtajt, ka të bëjë me moralin politik, me ç’rast shqiptarëve iu është premtuar kjo e drejtë me rastin e referendumit, kurse më vonë kjo e drejtë iu është mohuar.
Kryetari i KU të Tuzit, Maliq Çunmulaj, tha se kjo komunë për shkak të statusit aktual nuk mund të realizojë në mënyrë të mirëfilltë dhe funksionalet vetëqeverisjen lokale. Ai këtë e ilustroi përmes shembullit kur këshilltarët e Kuvendit të KU të Tuzit votojnë për çështje me rëndësi për banorët vendas, kurse Podgorica nuk i merr parasysh vendimet e këtij kuvendi dhe nuk i realizon obligimet që dalin nga vendimet në fjalë.
Kolë Lulgjuraj nga Partia Socialiste Popullore tha se Komuna Urbane nuk është gjë tjetër veçse bashkësi lokale.
“PSP ka ngritur zërin kundër kësi lloj komune e cila nuk është funksionale. Ku janë sot të gjithë ata të cilët ia premtuan Malësisë Komunën? Unë dhe PSP i kemi përkrahur të gjitha iniciativat të cilat çojnë në fitimin e komunës së plotë”, u shpreh Lulgjuraj.
Angjell Gojçaj nga zyra e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare pranë Lëvizjes “Atdheu na Bashkon” prezantoi zgjidhjet juridike të disa shteteve në rajon, me theks të veçantë për Slloveninë, e cila në ligjin e saj u mundëson pakicave që edhe me një census të vogël të popullsisë, deri dy mijë banorë, të kenë të drejtën e themelimit të komunës si e drejtë për ruajtjen e identitetit të tyre.
Ai lexoi letrën e kryetarit të Grupit për Themelimin e Komunës së Malësisë/Tuz-it nga diaspora, Gjergj Ivezaj, i cili në letër fton që të formohet një këshill që do të udhëheqë punën për themelimin e Komunës së plotë të Malësisë/Tuzit.
Në diskutim morën pjesë ndër të tjerë edhe shkrimtari Gjon Berishaj, Xhemal Nikaj dhe Palë Dreshaj.
Berishaj foli edhe për historikun e komunës duke i njohur pjesëmarrësit e tryezës me shumë të dhëna nga e kaluara e Malësisë. Ai përkujtoi se edhe në kohën e Turqisë, Tuzi ishte Komunë (Kaza) kur ishte kryetar (Kajmekan) Ahmet Begu.
Xhemal Nikaj potencoi dështimin e Komunës Urbane të Tuzit. Sipas tij, për të qenë të barabartë shqiptarëve duhet t’u njihet e drejta e vetëqeverisjes lokale.
Anëtari i KNSH-së, Palë Dreshaj, kërkoi nga subjektet shqiptare dhe organizatat joqeveritare që të bashkohen dhe të angazhohen për sensibilizimin e opinionit lidhur me të drejtat që iu takojnë shqiptarëve.
“Të gjithë duhet ta ndiejmë veten hallkë të zinxhirit që na bashkon”, u shpreh ai.

M. Gjokaj
Koha Javore

2