Kumtesë nga Forca e re: Arsimi me probleme që kërkojnë zgjidhje

October 7, 2009   | Kulturë / Kultura

librat shqip ne mal te zi.2Arsimi me probleme që kërkojnë zgjidhje në Mal të Zi
Fillimi i vitit të  ri shkollor për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi është pothuaj identik si më parë, sepse nuk janë bërë ndryshime në programet mësimore dhe në tekste shkollore, veprim i nevojshëm për  barazi nacionale në ketë mjedis multinacional.
Përveç mungesës së teksteve të ndryshme mësimore siç është  rasti me nxënësit e vitit të katërt gjimnaz, çështje të  veçantë paraqesin tekstet shkollore nga lëndët e identitetit kombëtarë. Këtu kemi parasysh në mënyrë të veçantë tekstet mësimore për shkollën fillore dhe të mesme nga lëndet e identitetit kombëtar sikurse janë historia, kultura muzikore dhe ajo e artit figurativ, të cilat janë të papërshtashme për nxënësit shqiptarë sepse nuk mësojnë asgjë për identitetin e tyre kombëtar.
Duke pasur parasysh se kjo çështje është shumë serioze është për çdo kritikë qendrimi indiferent i Ministrisë së të drejtave të njeriut dhe të pakicave, sepse deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë ndonjë reagim nga ana e tyre në lidhje me ketë çështje.
Ne kuptojmë efektet e krizës globale edhe në Mal të Zi, por dhënia falas e teksteve shkollore  vetëm për ata nxënës që janë shfrytëzues të ndihmes sociale është veprim simbolik, që ngjason me shoqatat humanitare e jo me institucionet buxhetore.
Andaj mendojmë  se ka qenë e nevojshme që Qeveria e Malit të Zi të dhuroj falas tekstet shkollore, nëse jo për të gjithë nxënësit e fillores, atëher patjetër për ato të vitit të parë. Kujtojmë me ketë rast se ne ketë vit shkollor Qeveria e Kosovës nxënësve nga klasa e 1-9 tekstet shkollore i ka dhënë falas.
Nga ana tjetër investimet në infrastrukturën shkollore siç është rasti me komunën e Ulqinit nga ana e Ministrisë së Arsimit janë nën çdo nivel, andaj edhe objektet shkollore kërkojnë intervenime urgjente adaptimi. Një dukuri e tillë është e pranishme sidomos në disa objekte të paraleleve të ndara të cilat janë bërë të papërdorshme.
Andaj është koha e fundit që edhe Komuna e Ulqinit  te jetë destinacion i investimeve nga Qeveria e Malit të Zi, ku në ketë kuadër duhet të bëjnë pjesë edhe infrastruktura shkollore. Cekim me ketë rast se investimet kapitale ne ketë fushë këtu janë bërë në vitin 1979, jo nga buxheti qeveritar por si rezultat i donacioneve të ndryshme, kryesisht nga jashtë.Andaj është koha e fundit që të kemi investime konkrete e jo deklarata formale si gjatë fushatave zgjedhore.
Çështje e rëndësisë së veçantë është nevoja e themelimit të institucioneve të shkollimit të lartë në gjuhën shqipe, gjegjësisht të fakulteteve për nevoja të shkollimit të pjestarëve të popullit pakicë autohtone shqiptare.Duhet të mendohet për shkollim të lartë i cili do të organizohej me mjetet e Ministrisë së arsimit, komunës së Ulqinit, Tuzit dhe Plavës dhe të subjekteve të interesuar privat të kësajë lëmie; të mendohet për mundësinë e organizimit në bazë të partneritet publiko privat.
Fakti që, po thuaj, nuk ka vend bregdetar që nuk ka institucion të arsimit të lartë ( Tivari, Kotorri, Budva, Petrovaci ) është edhe një argument për nevojën dhe mundësinë e organizimit të arsimit të lartë për shqiptarët në Mal të Zi.

Ulqin, 07.10.2009

Shërbimi për informim:
Forca e re demokratike

2