Alketa Vejsiu, Ve ne konkurs vallezimi VIP-at per 50 mije euro

October 8, 2009   | Lajmet / Vijesti

Alketa VejsiuLëvizjet e saj ditët e fundit, kanë pasur një destinacion. Ndalesa tek ‘Vizion +’. Herë vetëm dhe herë në shoqërinë e producentes Holta Dulaku. Në një ditë të tillë e ka kapur edhe fotografi ynë. Fotot na ngacmuan dhe pas kontaktit me show-girl Alketa Vejsiun kemi zbuluar të rejat e këtij sezoni televiziv të saj. E pra, Vejsiu këtë herë do të na përcjellë një nga spektaklet më të famshëm në Amerikë dhe Itali, siç është ai “Ballando Con le Stelle”. Një garë vallëzimi që ka si trofe jo pak por 50 mijë euro. Për më tepër vetë Vejsiu na tregon në këtë intervistë për “Bluetooth”, ku përveç të tjerave ajo ndan edhe marrëdhëniet e saj me vogëlushen Nicol.

Alketa, si ndihet pas pushimeve? Me çfarë risish do të na vijë këtë sezon?
E shplodhur aq sa duhet për të rimarrë vrullin e një sezoni të ngarkuar televiziv. Një sezon që jam e sigurtë që do të mbërthejë shikuesit shqiptar në patentën më të suksesshme të vitit në Amerikë dhe Itali “Dancing with the Stars”-”Ballando Con le Stelle”. Producentja Holta Dulaku ka frimosur kontratën vetëm para pak javës dhe shumë shpejt në Shqipëri priten të zbarkojnë nga Rai Uno disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të stafit kreativ të të njëjtit produksion në Itali. Sekreti i formulës është një garë sfiduese vallëzimi ku do të konkurohet për çmimin e parë prej 50 mijë eurosh miksuar me një Reality-show të transmetimit live të provave të përditshme.

Si është menduar të adaptohet ky program në televizionin ‘VIZION +’ dhe, a mund të na zbuloni diçka më të hollësishme prej tij? Kush do të jenë personazhet VIP që do të kërcejnë në këtë “konkurs”?
Do të shihni të kërcejnë politikanë, këngëtarë, gazetarë, aktorë, modele, sportistë krahas balerinëve profesionistë (disa prej tyre të ardhur nga Italia) që do t’i udhëheqin çdo ditë në sallën e provave. Provat do të shfaqen çdo ditë në Formatin Satelitor “TRING” dhe në dy përmbledhje në Vizion+. Do të votojë publiku por do të jenë prezent edhe një panel personazhesh simpatikë. Do të vallzohet për t’u ndjerë mirë, por edhe për të fituar çmimin e parë prej 50 mijë eurosh.

Alketa, ju prej vitesh keni bashkëpunuar me regjizoren Vera Grabocka. Lëvizja juaj në këtë televizion është komentuar si një “divorc” me Grabockën. Sa e vërtetë është kjo?
S’ka pasur ndonjëherë arsye për t’u ndarë nga Vera. Grabocka mbetet për mua ndër ata njerëz që është fat t’i njohësh në jetë. Me Verën jam në raporte shumë të mira. Kur kam firmosur kontratën ajo ishte ende në Amerikë dhe më ka dhënë bekimin e saj për mbarësi. Besoj tek Holta Dulaku, tek serioziteti me të cilin punon. Mendoj që do të jetë një program në rritje për figurën time. Unë jam njeri me shtyllë kurrizore shumë të fortë, di të ndërtoj raporte të reja duke respektuar marrëdhënie të së kaluarës që më kanë ndihmuar të rritem. Për mua miqtë, raportet njerëzore kanë më shumë vlerë se punët, se kontratat, se suksesi dhe më besoni jam nga ata njerëz që kujdesen ta pastrojnë mirë rrugën nga gjembat para se të hedhin hapa të reja. Nuk besoj dhe se ka ndonjë gjë për të çuditur kur brenda një sezoni, 3 regjizorë të ndryshëm, 3 producentë të ndryshëm, në 3 filma me tematikë të ndryshme zgjedhin për personazh kryesor të njëjtin aktor.

Duke qenë se kohët e fundit jeni shfaqur në një program social siç ishte “Më shumë dashuri”, këtë herë që do të jetë një show argëtues, si do të jetë imazhi juaj? Cilat janë ndryshimet që do të bëni në look?
Fustane të gjata të stilit amerikan që do t’i përshtateshin amfiteatrit tonë të vallëzimit.

Le të largohemi pak nga puna dhe të kthehemi tek jeta juaj familjare. Alketa nënë, në çfarë faze kanë arritur marrëdhëniet me vajzën tuaj?
Nicol është rritur, dhe unë bashkë me të. I përkushtohem çdo ditë me të njëjtin pasion. Kemi orët tona të përditshme të shëtitjeve, të takimit me miq, të leximit të librave e çdo gjëje interesante që do të ndihmonte në formimin e një individi me interesa. Misioni im sikundër dhe i çdo nëne, është që ajo të rritet mirë dhe e lumtur. E uroj këtë gjë për të gjithë fëmijët e botës.

Revista Bluetooth

YouTube Preview Image