Dafina Zeqiri: Ju rrëfej për Krenarin, të dashurin tim dhe boom-in në karrierë

October 13, 2009   | Lajmet / Vijesti

Dafina Zeqiri_KrenariVajza e cila la Suedinë për të bërë ëndrrën e saj realitet, si duket po ecën me hapa të sigurtë. Është Dafina Zeqiri, fituese e shumë çmimeve nëpër festivale të ndryshme muzikore në Kosovë dhe Shqipëri. Ende jeton me familjen e saj në Suedi, por shpesh viziton edhe Kosovën për shkak të karrierës. Një album i suksesshëm me shumë hite, disa videoklipe interesante në bashkëpunim me artistë të tjerë të estradës, dërguan në majë të toplistave vajzën bukuroshe. Ajo nuk fsheh kënaqësinë që i sjell publiku derisa performon, por tregon edhe faktin që nëpër evenimente këndohet “playback” për shkak të kushteve dhe në mungesë orkestre. Për të gjitha këto dhe gjëra të tjera, rrëfehet këngëtarja Dafina Zeqiri për “Panorama plus”.

Nga lindi dëshira për të kënduar, kush ishte iniciator që të merresh me muzikë?

Mami ka qenë këngëtare në kohën e saj, më tregoi që kur kam qenë vetëm 2 vjeç më ka dëgjuar duke kënduar. Kështu që muzikën e kam të lindur dhe besoj që këtë talent e kam trashëguar nga mami.

Erdhe dhe hyre fuqishëm në skenën muzikore, sa ka qenë i vështirë gjithë ky rrugëtim?

Unë gjithmonë i kam besuar vetvetes. Kam kënduar për një kohë të gjatë edhe në Suedi, kemi pasur koncerte në shkollë. Kam qenë e përgatitur se çka po më pret në skenat e Kosovës. Por që kam me ba bum aq shpejt dhe me i pëlqy publikut aq shumë, ishte e papritur për mua. Me rëndësi për mua është publiku me qenë i kënaqur me punën time. Unë jam bateria, por publiku është adapteri (qesh).

Sa këngë dhe bashkëpunime muzikore ke realizuar deri më tani?

Kam realizuar rreth 23 këngë deri më tani, dhe disa bashkëpunime. Kam vendosur të vazhdoj  solo, por bashkëpunimet do kthehen së shpejti.

Thashetheme të shumta për lidhje të ndryshme dashurie janë thurur për Dafinën, cila është e vërteta e gjithë kësaj, u shfaqe me Krenarin në “Video-Fest” dhe u cilësuat ndër çiftet më të bukura të estradës, tash ka të dashur Dafina apo jo?

(Qesh) Po, kam të dashur dhe ai është Krenari *Keni*.

Kohëve të fundit po bëhet  një krahasim mes teje dhe Genta Ismailit, po komentohet me të madhe se me ardhjen e Dafinës po i rrezikohet karriera Gentës, ç’ka të vërtetë këtu dhe si e komenton këtë gjë?

Publiku e zgjedh këngëtaren që i pëlqen më së shumti. A ju pëlqej unë më shumë apo Genta, nuk e di por unë bëj punën time. Kam stilin tim, veshjen time, vallëzimin tim, dhe besoj qe unë e kam krijuar një stil më ndryshe prej të tjerave në Kosovë. Kështu që krejt i kanë stilet e veta.

Shumë këngë dhe videoklipe, gjithashtu ke edhe një album të realizuar tek Genci, gjithë ky investim nga kush bëhet? Ke të lidhur ndonjë kontratë me ndonjë produksion apo investimi është personal?

Kam pasur bashkëpunime me Gencin, kam qenë antare e produksionit Grammafon Entertainment. Normalisht kur të jesh antar i ndonjë produksioni krejt i kanë marrëveshjet e ndryshme. Ketu nuk qenë marrëveshje personale por një marrëveshje të cilën e ka pasur produksioni Grammafon Entertainment.

Tashmë, mami menaxhon punët rreth karrierës tënde, e ke më lehtë apo do ishte më mirë sikur dikush tjetër të përkujdesej për këto gjëra pasi dihet që është profesion me shumë lodhje?

Mami ka qenë menaxhere deri më tani dhe sot më ndihmon shumë, por tash kam edhe menaxherë të tjerë sepse e di që është një punë që të lodh shumë.

Koncerte dhe mbrëmje muzikore pa fund…si të presin atje ku këndon?

Më presin tepër mirë në vendet ku këndoj. Dhe normal që kur më japin një energji pozitive, unë bëj një atmosferë edhe më të madhe. Gjithmonë më kanë pritur mirë dhe jam shumë e kënaqur.

Paraqitesh live apo playback? Të ka ndodhur të gjuajnë me diçka pas teje shkak se këndon “playback”?

Normal që muzikën time e kam “playback” si plot këngëtare. Por gjithmonë këndoj bashkë me muzikën në mikrofon sepse nuk mundem me imitu vetveten! Normal që kam dëshirë të këndoj vetëm LIVE si këndojnë të gjithë këngëtarët e huaj por këtu në Kosovë ende nuk ka ardhur kjo gjë. Kur ka ndonjë show live në Kosovë ku e kemi shansën me këndu live, gjithmonë marr pjesë!

Së fundi je bërë edhe imazh publicitar i një kartele bankare në Kosovë, ia vlen të futesh edhe në biznesin e reklamimit? Të është paguar mirë kjo punë apo e ke bërë vetëm për qejf?

Normal që kjo punë më është paguar, është një gjë që të gjithë personat që bëjnë reklama për një kompani, bankë, biznes etj, e kanë një pagesë. Unë jam shumë e kënaqur me këtë reklamë, më ka pëlqyer shumë ideja e tyre. Dhe normal që nëse nuk të pëlqen ndonjë ide, nuk e realizon reklamën, pasi këtu është edhe pak punë qejfi.

Ëndrra e shumë të rinjve është që të bëhen të famshëm dhe fytyra publike, pasi e shijove bukur këtë gjë, çfarë porosie do u japish atyre duke parë se sa e vështirë është ky profesion?

Kisha pas dëshirë të jap një porosi që unë vet e kam marrë nga dikush. Nëse ke një ëndërr, nëse dëshiron me e realizu ëndrrën tënde ‘dont ever give up’. Edhe pse ndoshta ti nuk e realizon ëndrën menjëherë sepse nuk është edhe shumë punë e lehtë, vetëm puno! Sepse të gjithë nuk e kanë atë fat me u bë të famshëm menjëherë.

Derisa jeni person publik, gjithmonë duhet të jeni nën kujdesje të vazhdueshme të aparencës, pasi publiku vëren edhe “imtësirat”. Cili është kujdesi yt kur je në ndonjë vend publik?

Unë gjithmonë kam pas kujdes për veten edhe kur nuk kam qenë personazh i njohur publik. Por normal që kur në këtë stad duhet me pas edhe më shumë kujdes.

Ndonjë plan tjetër të afërt rreth karrierës tënde, ndonjë album muzikor apo diçka të ngjajshme?

Album në këtë vit nuk kam realizuar, besoj që vitin tjetër do ta realizoj. Jam duke punuar shumë rreth albumit, dhe kam shumë plane të mira, të forta për albumin e radhës.


PanoramaPlus

YouTube Preview Image

67