Soni Malaj, “Lolita” e Hashim Thaçit

October 13, 2009   | Lajmet / Vijesti

SONI MALAJ.2Është e bukur, e ëmbël, ka një zë të bukur, këngë po të tilla dhe natyrisht, ka me mijëra fansa jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Këto cilësi të saj kanë joshur edhe liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministrin Hashim Thaçi. Tek Soni Malaj ai shihte imazhin e përkryer për të prezantuar fushatën e tij elektorale në zgjedhjet për pushtetin vendor në Kosovë, që do të mbahen në 15 nëntor të këtij viti.
Këngëtarja
Për Soni Malajn ky duket se është viti i fushatave elektorale. Për një muaj rresht, gjatë gjithë qershorit ajo nuk la qytet dhe fshat të Shqipërisë pa shkelur si pjesë e grupit të artistëve mbështetës të Partisë Demokratike. Madje, ajo jo vetëm këndoi hitet e saj në këto koncerte, por në koncertin mbyllës që u mbajt para tunelit në rrugën Durrës-Kukës mori edhe rolin e prezantueses, duke treguar kështu se ishte një pjesë shumë e rëndësishme e këtij grupimi. Pikërisht para dy kryeministrave, atij shqiptar, Sali Berisha dhe atij kosovar, Hashim Thaçi, Soni Malaj shfaqi gjithë energjinë e saj duke treguar se në skenë ajo jo vetëm ishte zot, por bënte çudira… publiku këndonte bashkë me të, brohorimat, thirrjet dhe duartrokitjet e shoqëronin gjatë gjithë kohës, gjë që tregonte se suksesi ishte mëse i garantuar. Këtë detaj, më shumë se kushdo në atë koncert fushate e vuri re Hashim Thaçi, i cili përveç motivit që gjendej aty, kishte edhe një tjetër synim. Të zgjidhte figurën që do të prezantonte fushatën e tij. Vera iku, dhe ja shtatori e gjeti Soni Malajn në Kosovë. Oferta e Thaçit ishte e qartë: Soni duhet të ishte imazhi i fushatës së tij elektorale. E vetme. E pashoqëruar nga këngëtarë të tjerë. Ajo me hitet e saj në skenat e improvizuara nëpër qytetet dhe komunat e Kosovës, ku pas saj do të valëvitej flamuri i PDK-së! Përgjigjja e Sonit para asaj oferte joshëse ishte sigurisht pozitive. Kështu që Soni nuk e zgjati, dhe prej dy javësh ajo gjendet në Kosovë, në koncertet që kanë nisur para se të çelet zyrtarisht fushata elektorale.
Fushata
Është ndarë për vetëm pak ditë nga turi i saj i koncerteve në Kosovë për të ardhur në Tiranë. Edhe këtë herë për punë. Festivali “Kënga Magjike” është një obligim tashmë për Sonin. Përpos impenjimeve të saj koncertore, ajo nuk e lë mënjanë këtë tribunë të këngës. Ka regjistruar këngën e saj pjesëmarrëse në këtë festival, që së shpejti pritet të shfaqet në televizionet muzikore. Ndërkaq, këtë fundjavë ajo do të marrë sërish avionin për t’u nisur drejt Kosovës, ku e presin plot 20 koncerte në muajin e fundit të fushatës elektorale të Thaçit.

Revista Bluetooth

YouTube Preview Image