Intervistë me Mehmet Zenkën, deputet i UDSH-së në parlamentin e Malit të Zi

November 11, 2009   | Intervista / Intervju

Vetëm së bashku mund t’i përballojmë sfidat
Koha javore: Z. Zenka, redaksia e gazetës “Koha javore” ka hapur temën në lidhje me pjesëmarrjen e pakicave në jetën publike. Cili është qëndrimi i UDSH-së mbi këtë çështje?
M. Zenka: Qëndrimi i UDSH-së dhe i imi është se nuk ka aspak vend që të jemi të kënaqur me përfaqësimin apo pjesëmarrjen e pakicave në jetën publike sepse realiteti tregon se pakicat, duke i llogaritur edhe ata pjesëtarë të pakicave që bëjnë pjesë në partitë qytetare, pothuajse gjenden pak mbi pragun e të lejuarës, edhe pse viteve të fundit vërehet një përmirësim, por tejet i pamjaftueshëm.
Pushtetarët e Malit të Zi vite me radhë janë përpjekur dhe përpiqen që këtë gjendje ta zbukurojnë duke deklaruar se te ne mbizotëron një harmoni ndërnacionale dhe ndërfetare, dhe që dita-ditës përpjekjet e tyre shkojnë kah përmirësimi në favor të pjesëmarrjes së pakicave në jetën publike (sidomos në kontakte me të huajt). Por realiteti zhgënjen dhe flet ndryshe. Është e vërtetë që ekziston një harmoni e respektueshme tolerance ndërnacionale dhe fetare, meritë e cila iu takon të dyja palëve, por shtrohet pyetja se çfarë pengon që kjo harmoni të mos kurorëzohet me një pjesëmarrje të denjë (reale) të pakicave në gjitha poret politiko shoqërore të Malit të Zi.
Përgjigjja qëndron në faktin se shumica ende nuk mund të pajtohet me faktin se shqiptarët janë këtu (ku ishim gjithmonë), të gatshëm për të marrë vendet që iu takojnë me të gjitha përgjegjësitë që i përcjellin.
Angazhimet dhe kontributi ynë dëshmon që nuk dëshirojmë të kemi pozitë inferiore, por duam përfshirje në të gjitha segmentet jetësore e sidomos në ato ku jemi më së shumti të prekur, si ekonomi, turizëm, kulturë, gjyqe, prokurori, etj.
Decentralizimi dhe komuna e plotë e Tuzit (Malësisë) do të përmirësonte dukshëm pozitën e shqiptarëve dhe do të plotësonte dukshëm zbrazëtirën në pjesëmarrjen e tyre në jetën politiko shoqërore. Përgjegjësia qëndron edhe te ne – subjektet politike shqiptare. Është dëshpërues fakti i moskoordinimit tonë, sidomos në harmonizimin e disa kërkesave me rëndësi jetike për ne.

Koha javore: Pjesëmarrja e pakicave në jetën publike është një nga parakushtet e institucioneve europiane parashtruar shteteve që kanë aspirata të anëtarësohen në Bashkimin Eur?pian. Çfarë do të bëni Ju si deputet që këto rekomandime të jetësohen?
M. Zenka: Mali i Zi nuk do të mund të qëndrojë shurdhër ndaj kërkesave që i parashtrojnë institucionet evropiane, normalisht po qe se ka pretendime serioze që të kyçet në Bashkimin Evropian, e njëri nga këto kushte është edhe integrimi i pakicave në jetën publike. Për këtë janë të vetëdijshme edhe strukturat udhëheqëse të Malit të Zi, por e kanë pak të vështirë ta gëlltisin këtë. Prandaj detyra ime si deputet është për t’i ndihmuar në këtë drejtim.

Koha javore: Çfarë mund të bëni ju si parti politike, por edhe si pjesë e pushtetit që shqiptarët të jenë më të inkuadruar në institucionet shtetërore dhe gjyqësore duke e ditur realitetin se në disa nga ato nuk ka fare pjesëtarë të pakicës shqiptare?
M. Zenka: Ne si parti e cila participon në pushtet (siç dihet UDSH vite me radhë drejton Ministrinë për Pakica) do sillemi konform programit tonë partiak, që domethënë përfaqësim i denjë dhe meritor i shqiptarëve në të gjitha institucionet shtetërore, sidomos në ato të cilat drejtpërdrejt prekin interesat tona si pakicë, siç është decentralizimi, komuna e plotë e Tuzit, privatizimi, zhvillimi dhe valorizimi i vlerave dhe potencialit turistik, pjesëmarrje e drejtëpërdrejtë në hartimin e programeve mësimore, pjesëmarrje konform përqindjes në organet gjyqësore, prokurori, polici, diplomaci, etj.
Vendimi ynë, vite më parë, që të marrim pjesë në qeveri, dëshmoi që jemi në rrugë të drejtë sepse u realizuan disa projekte të cilat më parë na u dukën shumë larg, kurse tani janë pjesë e të kaluarës, siç janë hapja e pikave kufitare, Fakulteti i Mësuesisë, Ligji për pakica, Ligji mbi përdorimin e simboleve kombëtare, sigurimi i kuotave për studentët tanë në universitetet e Shqipërisë dhe Kosovës. Po ashtu nën patronatin e Ministrisë së Pakicave u organizuan një sërë aktivitetesh kulturore të cilat tani janë shndërruar në aktivitete tradicionale.
Me rëndësi të veçantë është se u bëmë urë e rëndësishme lidhëse dhe miqësie mes shtetit tonë amë Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Dëshmuam se pakicat mund të jenë faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, çka edhe sygjyrohet nga institucionet evropiane.
Për hir të së vërtetës dëshiroj të nënvizoj se të gjitha këto veprime dhe angazhime politike UDSH i ka ndërmarrë në mënyrë të hapur dhe para opinionit, e vetëdijshme për përgjegjësinë që merr mbi vete. Edhe atëherë kur kemi gabuar, kurrë nuk kemi shitur mjegull.
E gjithë kjo rezultoi që UDSH të ketë një volum votash stabile, të shtrira në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, dhe të jetë partia që grumbullon numrin më të madh të votave të elektoratit shqiptar.

Koha Javore: Cili është qëndrimi Juaj në lidhje me procesin e privatizimeve në Komunën e Ulqinit.
M. Zenka: Për privatizimin dhe mënyrën e realizimit të tij mund të përdor vetëm fjalët e popullit i cili thotë: „Mjerim, marre e për faqe të zezë“; sidomos kur bëhet fjalë për zonën e Komunës së Ulqinit, ku edhe ekziston potenciali më i madh i zhvillimit ekonomik, posaçërisht në valorizimin e vlerave turistike.
Ndërmarrjet të cilat dikur ishin shtyllë e ekonomisë së Ulqinit u zhvlerësuan dhe u shiten për bukë goje. Hoteleria pësoi më së keqi, ku hoteli „Otrant“ iu shit kushedi kujt me një çmim mizerabël dhe tani është i tipit të mbyllur, që do të thotë se nuk mund ta vizitojnë turistët e tjerë, përpos atyre që kanë bërë prenotime; hoteli „Albatros“ u shit po në të njëjtën mënyrë dhe tani e ka statusin e një gjysmë të vdekuri; hoteli „Jadran“ s’dihet si dhe kujt iu shit, as për çfarë shume u shit; ishte – s’është më dhe s’dihet se a do të jetë hoteli „Galeb“. Ai u shit dhe pa pikë ndjenje u prish, ndërsa punëtorët të cilët dikur ishin ajka e gastronomisë u shndërruan në cigareshitës; hoteli „Mediteran“ u shit po ashtu dhe dita-ditës presim surprizë për të mirë, por kam frikë që po plakemi pa e parë; hoteli „Lido“ u shit. Premtime ka shumë dhe mbetet të presim. Tani për tani shohim vetëm rrënoja; Hotelet „Bellevue“, „Olympique“ dhe kompleksi Ada mbijetojnë dhe presin blerësit. Si punëtor shumëvjeçar i kësaj ndërrmarrjeje turistike, unë si të gjithë qytetarët e Ulqinit presim dhe shpresojmë që të mos kenë fatin e hoteleve të tjera.
Qyteti i cili deri në fund të viteve ’90 kishte më se 30% të kapaciteteve vendosëse në nivel të Malit të Zi, tani nuk posedon as 10% të kapacitetit (e kam fjalën për mënyrën e organizuar të pranimit të klientëve).
Për Ulqinin thuhet me të drejtë se posedon dhe është destinacioni më atraktiv për investime në turizëm, por e gjithë kjo është e kotë në qoftë se dikush tjetër dëshiron të na tregojë se si ruhet, zhvillohet dhe duhet Ulqini. Nga veprimet e deritanishme kemi kuptuar zotësinë e tyre, prandaj edhe kërkojmë, me plot të drejtë, decentralizim të pushtetit qendror në favor të pushtetit lokal sepse dëshirojmë të jemi pjesëmarrës aktive në zhvillimin e qytetit tonë. Jam i sigurt se do të jemi nikoqir më të mirë dhe se atëherë edhe shteti do të ketë përfitime më të mëdha.
Populli i Ulqinit i mirëpret investimet, por me një politikë të mirëfilltë strategjike zhvillimore ku do të vijnë në shprehje të gjitha interesat lokale dhe shtetërore, gërshetimi i të cilave duhet të jetë me interes të dyanshëm. Me një fjalë, duam dhe kërkojmë të pyetemi.

Koha Javore: Na tregoni për ecurinë e formimit të klubit të deputetevë shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi dhe rolin Tuaj në këtë drejtim?
M. Zenka: Qëndrimi UDSH-së këtu është më se i qartë: formimi i klubit të partive shqiptare është i domosdoshëm nëse dëshirojmë të jemi sa më të fortë dhe sa më të qëndrueshëm në realizimin e kërkesave tona.
Ne, siç e dini, iu kemi bërë ftesë me shkrim partive të tjera shqiptare menjëherë pas zgjedhjeve dhe për mendimin tim kemi ofruar kushte tejet korrekte: të formohet klubi, kryetar i të cilit do të jetë secili prej katër subjekteve nga një vit, duke filluar prej partisë e cila ka fituar më shumë vota në zgjedhjet parlamentare e deri tek ajo që ka fituar më pak. Mirëpo deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje me shkrim. Në kontaktet dhe bisedat e bëra me kolegët e mi kam kuptuar që ata as nuk dëshirojnë të bisedojnë me ne lidhur me këtë çështje. Për mua dhe subjektin që e përfaqësoj është e papranueshme që dikush t’i minimizojë dhe mos t’i respektojë 4800 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare. Shpesh përmendet arsyeja se gjoja ne jemi në pushtet, ndërsa ata janë opozitë. Unë iu përgjigjem që ta formojmë klubin, siç dëshirojnë dhe me të drejtë presin votuesit tanë, të harmonizohemi rreth pikave për të cilat të gjithë pajtohemi dhe pastaj të shohim se kush është me pushtet e kush jo!
Unë parashtroj pyetjen: Po kur nuk dashkeni me ne, çfarë iu pengon ju të treve që të formoni klubin? UDSH me siguri jo.
Deklarojnë që duhet të jemi së bashku dhe se duhet t’i shmangemi ndasitë dhe interesat personale. Atëherë, zotërinj të nderuar, veproni në atë drejtim sepse para nesh janë sfida shumë të vështira të cilat vetëm së bashku kemi shans t’i zgjidhim dhe t’i realizojmë.
Në kohë të fundit më kanë kontaktuar shumë dashamirë nga Mali i Zi, diaspora, Kosova, Shqipëria dhe me të drejtë kanë kërkuar që të bashkojmë forcat e të formojmë klubin e përbashkët dhe më kanë tërhequr vërejtjen se duhet të jemi përgjegjës për problemet të cilat i kemi dhe që po na trokasin në derë. Para nesh është hartimi i Ligjit zgjedhor, ku neve na kanoset rreziku që edhe këto të drejta të arriturra t’i humbasim (mandatet e garantuara të deputetëve për pakica), Ligji mbi organizimin territorial, ku rrezikohet të mos realizohet kërkesa për komunën e plotë të Tuzit dhe një mori kërkesash për të cilat të gjithë ne deklarohemi se jemi pro.
Edhe marrëveshja e arritur në vitin 1997 për mandate të posaçme për shqiptarët është arritje e UDSH-së, sepse veç ajo e nënshkroi (subjekti tjetër shqiptar jo), por edhe këtë si fazë kalimtare deri në fazën finale ku do ishte: katër mandate të garantuara për pakicën shqiptare, me të drejtë konkurrimi vetëm për subjektet nacionale.
Akuzohemi se kemi zgjedhur rrugën e vet, tashmë të njohur për të gjithë! Është e vërtetë. Rrugën e vet e kemi zgjedhur me plot dinjitet dhe përgjigjen e kemi fituar të gjithë prej votuesve tanë. Atyre iu mbetet të zgjedhin pasi janë kyçur pak si me vonesë dhe sinqerisht iu sugjerojmë që të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e rrugëve sepse fare lehtë mund të humbasin (uroj nga zemra që jo).
Që të mos mbetemi duke fajësuar njëri tjetrin dhe duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e momentit, unë i ftoj edhe një herë që të bashkohemi rreth një klubi të përbashkët, sepse ia kemi borxh këtij populli dhe, pavarësisht nga mosmarrëveshjet tona, të bashkohemi rreth pikave kyçe të cilat besoj i kemi të njëjta, të veprojmë për realizimin e tyre, sepse koha nuk pret.

Koha javore: Me ardhjen Tuaj në Parlamentin e Malit të Zi, a mund të shpresojmë se kërkesat tona do të mbrohen denjësisht, pasi shumë njerëz shohin te Ju një politikan të guximshëm dhe të vendosur për kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi?
M. Zenka: Ashtu siç më shohin, ashtu do të jem edhe më gjatë.

Bisedoi: Muhamed Gjokaj