Sezoni Kryesor dhe zhvillimet turistike në Mal të Zi

November 12, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

Pushimet ne UlqinModifikimi i prodhimit dhe ofertës turistike

Bregdeti më jugor Ulqini dhe Tivari, nga aspekti social-ekonomik zakonisht ofrojnë turizëm dhe shërbime më të lira, se zonat tjera. Ata janë të përshtatshme, sidomos për turizëm populistik, i cili në fillim të sezonit pati munguar. Shumica e ulqinakëve, por edhe punëtorët turistik kanë pohuar se gushti shpëtoi sezonin, apo siç më tha tregtari me përvojë Rexho Osmanoviqi, gushti ishte fort më i mirë se i vitit të kaluar.

1. Ndikimi i krizës edhe në turizëm

Sot,në kohën e krizës globale sidomos degët e ndjeshme, siç është turizmi,kanë ngecje dhe rënie të dukshme. Fillimisht lind pyetja a janë aprovuar, apo zbatuar programet e duhura antikrizë. Përndryshe nëse kësaj sfide i shtohet edhe politika, e cila e gulfatë ekonominë – turizmin, atëherë ikja nga faza e papërshtatshme nuk është proces i shkurtër, dhe nënkuptohet marrja e masave drastike që të ndalohet devastimi. Deri vonë, për shkaqe të tilla që korrespondojnë me situatat e ndryshme shoqërore, politike, monopoliste, partiake, shumë vende nuk kanë dashur të pranojnë situatën e krijuar globale duke thënë se nuk ka krizë apo “qeveria ka marrë masat e duhura”. Kësisoji, sfida globale ndërroi rrënjësisht apo shkatërroi dukshëm strukturën ekonomike të sistemeve më të fuqishme botërore.
Prandaj, mikrosistemet e vendeve në tranzicion pra edhe Mali i Zi nuk mund të krahasohen me makrosistemet globale dhe tradicionalisht të zhvilluara. (lexo Shtiblar, Ndikimi i krizës në Ballkan… Podgoricë, 2009).
Për shkak të krizës globale, sot turizmi tradicional i Evropës shënon rënie 10% si dhe Mediterani, djepi i turizmit botëror, i cili shënon një rënie prej 12%. Nga ky aspekt duke patur parasysh ndikimin e krizës, sidomos në ekonomi, “Qeveria e Malit të Zi po përballet me programin antikrizë më të mirë se shumë ekonomi më të zhvilluara. Megjithatë, sot, në Mal të Zi, kriza jo se është pranuar, por ndikimi negativ i saj do të zgjasë dhe do të thellohet. Publicistja malazeze M. Tadiq, duke depërtuar në thellësi të jetës socio-ekonomike, tërheq vërejtjen për ndikimin e krizës dhe prishjen e barspeshës në ambientin më të bukur jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Adriatik, duke nënvizuar se kjo republikë mu tani do të ballafaqohet me krizën.
Turizmi si degë prioritare në ekonominë e Malit të Zi me Master planin e renovuar, respektivisht me Strategjinë e zhvillimit të turizmit deri më 2020 përveç riorientimit bashkëkohor, kooperimit, sinhronizimit dhe prodhimit të ofertës parasheh edhe monumentet e trashëgimisë kulturore-historike. Turizmi si dega kryesore eksportuese në Mal të Zi inkason më shum të ardhura se të gjitha degët e tjera eksportuese. Strategjia kryesore e turizmit mbështetet dhe stimulohet nga biznesi dhe afarizmi që rritë konkurrencën e prodhimit dhe shërbimet vendore. Kjo parasheh rritje të të ardhurave dhe për tri herë rritje të bujtjeve-strehimit ose 21 milion strehime nate duke hapur në perspektivë 75 mijë vende pune. Përndryshe, eksperti I njohur në këtë fushë, kryetari i Organizatës Botërore të Turizmit dhe Udhëtimit Zhan Klod Baumgarten parasheh mbi 40 mijë vende pune si dhe pjesëmarrjen e turizmit me afro 25% në GDP (gross domestic product) – të prodhimin shoqëror bruto. Ndërsa me rastin e kontratës për shitjen dhe valorizimin e kompleksit turistik Llushtice, me mbi një miliard euro, që u realizua kohë më parë, do ta bëjë vitin e ardhshëm një vit të turizmit atraktiv. Përndryshe, revista amerikane Nacional Geographic Traveller e rradhitë Malin e Zi në mesin e 500 destinacioneve më të bukura në planet.

II Bilanci regresiv turistik deri në korrik

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit për 6 muajt e parë MZ e kanë vizituar 277 000 turistë, ose 7% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, respektivisht 1,5 milion netqëndrime fjetje, ose 9 % më pak se në vitin e kaluar.
Sipas raportit zyrtar të Organizatës Turistike të Budvës më 12 korrik, në Rivierën e Budvës ka patur 32 982 turistë, ose 6 % më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këtë kuadër si trend pozitiv paraqitet fakti se pothuaj të gjithë janë turistë të huaj, ose mbi 90% e tyre, ndonëse numri i turistëve vendas duhet të jetë më i madh. Më tepër se gjysma e turistëve janë në strehim privat, por është evidente rënia e numrit të tyre, 9% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se në strehim hotelier ka pas deri 50% më pak ose 12861 klientë. Nga ky numër 11792 të huaj, ndërs 1069 vendas. Kampingjet dhe pushimoret ishin edhe më të zbrazëtat: 24 % më pak se vitin e kaluar, respektivisht 1150 të huaj, ndërsa në pushimore 561 ose 86% më pak.
Bregdeti më jugor Ulqini dhe Tivari, nga aspekti socio-ekonomik zakonisht ofrojnë turizëm dhe shërbime më të lira se zonat-tjera. Ata janë të përshtatshme, sidomos për turizëm populistik, i cili në fillim të sezonit pati munguar. Shumica e ulqinakëve, por edhe punëtorët turistikë kanë pohuar se gushti, shpëtoi sezonin, apo siç më tha tregtari me përvojë Rexho Osmanoviqi, gushti ishte fort më i mirë se i vitit të kaluar. Por ulqinakët ashtu sikur me pronat në rajonin e Podgoricës, ata po ballafaqohen me probleme pronësore si “privatizimi shtetëror”, në kurriz të ulqinakëve si Valdanosi, Ada, Pinjeshi etj.
Në favor të sezonit të dobët, e përditshmja, “Dan”, shkruan se “ më drastike janë të ardhurat e ulëta dhe sipas tyre sezoni është katastrofal. Ndërsa sipas revistës Monitor, të ardhurat gjashtëmujore nga turizmi ishin 33% më të vogla se në vitin e kaluar. Kësaj vere pa turistë kanë qenë edhe vendet më me traditë turistike. Në Dubrovnik, po në këtë kohë më shumë ka patur qiradhënës se turistë që kërkonin strehim. Dështimit sezonal i shtojmë edhe motin e papërshtatshëm dhe prodhimin tejet të shtrenjtë turistik.

III Turizëm i shtrenjtë, apo elitë

Në Budva, hotelet Splendid, Kralica e renovuar në korrik, ndërsa disa tjerë në Shën Stefan parashihen për sezonin e vitit tjetër. Kralica, sipas kontratës me magnatin Aman Rizortes, nga Singapori është dashur të ndërtohet i ri. Vila me dy apartamente nga 120m2. çmimi i apartamanit është 750 euro në ditë. Këto perla kanë turizëm më të cilësuar “elitar” për xhepa më të thellë. Mirëpo, përveç strehimit të rezervuar, tregues i parë i qejfit të shtrenjtë janë parkingjet.
Thënë ndryshe, në sezon në Budva nuk mund të parkosh automjetin në asnjë vendparking jo pa pagesë dhe pa çmime „të kriposura”. Përveç te hotelet elitarë shtrenjtësinë e parkingut e takojmë ne” plazhin qendror të Budvës, ku duhet të paguash edhe 12 euro. Prandaj mysafiri, sidomos i jashtëm shumë vështirë mund të gjejë parking falas.
Ndërsa për Jazin, plazhin atraktiv, të njohur për koncertet e Madonës dhe Rollingstones, komuna nuk ka dhënë leje për parking, apo ka dhënë, pasi disa pronarë pohojnë se kanë leje për kamping, që paguhet 2-3 euro në ditë.
Sipas disa të dhënave të pavarura, buxheti i komunës më të zhvilluar është në gjendje të vështirë dhe në një krizë financiare. Vlera e kredisë do të ishte 3 milionë euro. Për këtë kredi hipotekë u vunë qendra Mediterane sportive që posedon 4200 m2 dhe tribuna për 250 mijë vizitues dhe toka atraktive “Rezheviqi” në ambientin bregdetar me sipërfaqe mbi 34 mijë m2.

IV Sezoni kryesor më i suksesshëm se në vitin e kaluar

Fluksi turistik filloi të ndërroi kahje prej 20 korrikut, ndonëse në prag të vrapimit sezonal në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i turistëve akoma ishte më i vogël. Në Rivierën e Budvës gjendeshin afro 50 mijë turistë ndërkohë që Tivari dhe Ulqini kishin 3 herë më pak klientë. Në bazë të parashikimeve makroekonomike, ekspertët e turizmit kanë parashikuar se viti i kaluar por edhe ai i sivjetëm të ishe fazë transformuese, midis sasisë dhe cilësisë. Turizëm mediteran “ballkanas” me standarde të pamjaftuara për turist të pasur, ndërsa në anën tjetër për klientë të varfër të ashtuquajtur “turist-domate”.
Gjatë qershorit dhe korrikut nuk u propagandua sezoni turistik sikur vitet e mëparshme. Pothuaj të njëjtën mangësi e hasim edhe në mjetet e informimit. Thuhet se sezoni i sivjetëm 2009 nuk do të jetë aq i suksesshëm, por do të arrijë rezultatet e vitit të kaluar. Ministria e Turizmit sidomos gjatë stinës së verës, apo sezonit vihet në shërbim të vrapimit, në shërbim sa më të suksesshëm, sidomos të korurave në sezonin kryesor në turizëm. Në një konferencë për mjete të informimit. Ministri i Turizmit në Qeverinë e Malit të Zi, z. Predrag Neneziq shprehu kënaqësinë me bashkëpunimin me avio-kompaninë malazeze ujore, e cila është posaçërisht e rëndësishme për zgjerimin dhe zhvillimin e turizmit në Mal të Zi.
Në lidhje me parasezonin ministri ishte i rezervuar, por theksoi se duhet të analizohet rezultti negativ, “minusi” gjashtëmujor. Në bazë të suksesit të sezonit kryesor dhe pos-sezonit priten të jenë të suksesshme, thotë ministri i Turizmit. Gjithashtu, ai më shumë iu përkushtua të ardhmes turistike të vitit të ardhshëm 2010 duke pritur edhe vazhdimin e krizës globale.
Në mbledhjen e Këshillit kordinues të turizmit ministri Neneziq ka apeluar te subjektet turistike që oferta të jetë sa më e përshtatshme, të zbriten çmimet, të përmirësohet cilësia, të merren masat për projektet e planifikuara turistike. Përkundër subjekte qeveritare, ekspertët e turizmit thonë se pjesa e dytë e korrikut dhe gushti ishin më të frytshme dhe më të beriqetshme, ose për 10% më të mirë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prandaj sezoni kreyesor ndërhyri në zhvillimet negative të gjashtëmujorit të parë. Sipas kryetarit të Organizatës Turistike të Malit të Zi, sezoni i sivjetshëm ishte i njëjtë me atë të vitit të kaluar ose siç tha ministri i Turizmit, paraqet efekte të kënaqshme.
Për tetë muaj, ose deri më 30 gusht, Malin e Zi e kanë vizhituar 980 mijë turistë, ndërsa të ardhurat ishin 430 milionë euro. Pritet që post-sezoni të jetë i mirë, dhe të ketë të ardhura mbi 500 milionë euro.
Sfida globale ekonomike po ndikon dhe një kohë të gjatë do të ndikojë negativisht, sidomos në sektorin e eksportit, pra edhe në turizëm. Sidoqoftë sezoni veror 2009 shpëtoi në saje të dy muajve korrikut dhe gushtit që kishin tri herë më shumë turistë se gjatë gjashtë muajve të parë, por edhe një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Mark Gjokaj
Koha Javore

1