Meta takoi përfaqësuesit politikë shqiptar në Malin e Zi

November 13, 2009   | Politika

Ilir Meta_Gëzim HajdinagaZv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta takoi përfaqësuesit politikë të popullsisë shqiptare në Malin e Zi. Gjatë vizitës së tij dy ditore në Malin e Zi, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta është takuar me drejtuesit e partive kryesore shqiptare, respektivisht me Kryetarin e Partisë Unioni Demokratik i Shqiptareve, Ferhat Dinosha; Kryetarin e Alternativës Shqiptare, Gjergj Camaj, Kryetarin e Lidhjes Demokratike, Mehmet Bardhi, Kryetarin e Partisë Forca e Re Demokratike, Nazif Cungu, dhe përfaqësuesit e Koalicionit Perspektiva, Amir Hollaj e Vesel Sinishtaj.

Z. Meta dhe përfaqësuesit politikë shqiptarë, diskutuan gjerësisht në lidhje me zhvillimet e brendshme dhe proçeset integruese të vendit. Z. Meta, duke konfirmuar mbështetjen e plotë të Qeverisë shqiptare, theksoi rëndësinë e unitetit të faktorit shqiptar në Malin e Zi, dhe inkurajoi vazhdimësinë e kontributit të tyre në forcimin e demokracisë parlamentare në vend. Në këtë kuadër u nënvizua nevoja për përfshirjen e plotë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës qendrore e lokale. Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Meta është takuar edhe me drejtuesit e Komunës në Tuzit, Kryetarin Smail Maliq Cunmulaj, Kryetarin e Kuvendit Komunal Nikoll Camaj, si dhe me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Meta, duke theksuar bashkëpunimin shumë të mirë me Malin e Zi, shprehu vëmendjen e veçantë që Qeveria shqiptare i kushton realizimit të projekteve të përbashkëta në fushat e infrastrukturës, energjetikës, mjedisit dhe turizmit, si dhe vullnetin për konkretizimin e projektit për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës dhe zonës përreth duke përfshirë edhe lumin e Bunës.

YouTube Preview Image
1