Bisedë me Ali Rexhën, drejtor i organizatës turistike të Ulqinit

November 18, 2009   | Intervista / Intervju

Ali Rexha, drejtor i organizates turistike te UlqinitUlqini duhet ta definojë pozitën e vet në turizëm
Referencat dhe përvoja ime më kanë inkurajuar që t’i qasem kësaj sfide e cila kërkon shumë seriozitet dhe përkushtim. Do të përpiqem dhe do të obligoj veten para qytetarëve dhe para politikës të dëshmoj se nuk është gabuar në emërimin tim. Kjo mbetet për t’u dëshmuar. E ardhmja, sidoqë të jetë, unë edhe përkundrejt këtyre gjykimeve, por edhe paragjykimeve, do të ngritem mbi çdo suprimim dhe do të jem bashkëpunëtor i mirë qoftë për politikën të cilës i takoj, qoftë për palën tjetër!

Koha javore: Z. Rexha, Ulqini ka qenë deri vonë komuna e vetme në Mal të Zi që nuk e ka themeluar organizatën e vet turistike. Si ka ndikuar kjo në zhvillimet turistike të këtij qyteti?
A. Rexha: Vlerësoj se për momentin nuk është mirë unë as të qahem e as të fajësoj të kaluarën, e me këtë nuk do të merrem as në të ardhmen. Por, për të plotësuar kërshërinë tuaj dua të them që mendoj se, pos tjerash, problematika ligjore e mbledhjes së taksës turistike, përfshirë këtu edhe taksën e qëndrimit, ka prolonguar formimin e plotë d.m.th. vënien në veprim të Organizatës Turistike që nga vendimi i Kuvendit të Komunës së Ulqinit e deri më sot. Problematikë kjo që po debatohet ende në instancat më të larta shtetërore edhe këto ditë, që do të thotë se qeveria, sipas informatave që kemi, po rishqyrton këtë zgjidhje ligjore dhe praktikë sipas së cilës punohet dhe e cila duhet të ndryshohet.
Ndërsa në të kaluarën, qoftë të largët apo të afërt, mund të thuhet se me siguri ka ndikuar edhe mungesa e vullnetit politik për themelimin e saj apo subjektivizmi politik i këtij funksioni për qëllime që mund të paramendohen. Megjitatë, mund të konstatoj se edhe në mungesë të OT-së, veprimtaria me të cilën do të merret ajo është ushtruar edhe në të kaluarën falë përkushtimit të autoriteteve kompetente dhe angazhimit të sektorit publik, privat si dhe grupeve të tjera të interesit. Pra, organizimi turistik ka ekzistuar në formën e vet, por nuk ka qenë e themeluar mbi bazat e përcaktuara ligjore. Mirëpo duhen reforma e nëse flasim për reforma atëherë duhet thënë se ka shumë e shumë hallka të pushtetit të qeversijes lokale të cilat kanë mbetur ende të pareformuara duke filluar nga ajo që është më e thjeshta, statutet e tyre dhe forma e organizimit.
Kritikët më të mëdhenj do të pajtoheshin se në të kaluarën Ulqini ka përjetuar sezone të suksesshme turistike. Mirëpo, duke ditur rëndësinë vitale që ka turizmi si degë e ekonomisë për banorët e komunës së Ulqinit, vizavi ecurive e trendeve të zhvillimit të tregut turistik, paraqitet nevoja e formimit të OT-së e cila me një plan veprimi dhe objektiva strategjike e konkrete duhet të ndërmarrë përsipër sinkronizimin e aktiviteteve, subjekteve dhe faktorëve publikë e privatë për avancimin dhe zhvillimin e një turizmi mirë të balancuar e të qëndrueshëm, me një diversitet të produktit turistik, që synon shtimin e ofertës turistike, përmirësimin dhe profesionalizimin e shërbimeve turistike, gjë që doemos do të rezultojë në kohëzgjatjen e sezonit turistik, rritjen e numrit të turistëve dhe do të jetë katalizator i cili i mungonte procesit të zbërthimit të zhvillimit ekonomik.

Koha javore: Cili është roli i Organizatës Turistike për zhvillimin e turizmit?
A. Rexha: Organizata turistike detyrë primare do të ketë: zhvillimin dhe promovimin e turizmit, formimin e kushteve dhe aktivizimin e resurseve turistike të komunës, nxitjen, koordinimin dhe organizimin e ngjarjeve kulturore, artistike, sportive, afariste, etj., të cilat do të ndihmojnë në pasurimin e ofertës turistike, stimulimin e atyre pjesëve të komunës të cilat nuk janë ose janë fare pak të përfshira në aktivitetet turistike, organizimin e aksioneve të ndryshme me qëllim të ruajtjes së territorit turistik, ambientit jetësor dhe pasurive kulturore, ofrimin e shërbimeve si dhe të informatave të nevojshme për turistët, regjistrimin dhe përcjelljen e lëvizjes turistike në komunë, formimin e byrove turistiko-informative në vende të përshtatshme. Gjithashtu, kjo organizatë do të bashkëpunojë ngusht me organet e komunës për të marrë masa të nevojshme për përmirësimin e kushteve të qëndrimit të turistëve në komunë dhe për t’i implementuar këto masa do të bashkëpunojë me organizatat joqeveritare të cilat merren me çështjet e turizmit, hotelierisë, si dhe fusha të tjera të rëndësishme për turizmin vendor, do të bashkëpunojë me organizatat e tjera turistike në nivel republikan dhe atë ndërkombëtar, do të hartojë raportin dhe informatat për nevojat e Organizatës Nacionale Turistike si dhe do të angazhohet në mjaft detyra të tjera të cilat për qëllim kanë promovimin e ofertës turistike në territorin e komunës.

Koha javore: Çfarë përbën prioritet në veprimtarinë e Organizatës Turistike? Cilat janë projektet që mendoni t’i realizoni dhe për çfarë ka Ulqini më tepër nevojë në aspektin turistik?
A. Rexha: Nevojat dhe projektet të cilët duhet të renditen në bazë të prioriteteve dhe mundësive për realizim janë të shumtë.
Së pari, siç e përmenda edhe më parë, duhet filluar me përpilimin e një plan veprimi duke u bazuar në gjendjen aktuale shikuar nga aspekti turistik. Ulqini është vend në zhvillim dhe sa i përket industrisë turistike lë shumë për të dëshiruar. Ulqini duhet të zgjidhë detyra komplekse: oferta e tij duhet të përcjellë zhvillimin ndërkombëtar në lëmin e turizmit. Ulqini duhet ta definojë pozitën e vet se çfarë turizmi do. Njëkohësisht duhet ta zbatojë procesin e vështirë të transformimit në të gjithë segmentet e ekonomisë dhe të jetës. Kjo detyrë vështirësohet kur kemi parasysh lëkundjet në tregun botëror. Të gjitha destinacionet në rajon dhe më gjerë i pret një konkurrencë më e fortë dhe luftë e ashpër për pjesën e tyre në treg. Andaj punohet pandërprerë në përmirësimin e cilësisë së hoteleve, shërbimeve dhe infrastrukturës. Në këtë aspekt, pozita e Ulqinit është momentalisht mjaft inferiore: i mungojnë mjetet financiare, produkti i përshtatshëm për tregun dhe personeli profesionalisht i kualifikuar. Ofertat janë të orientuara gati vetëm në tregun që ka mundësi të vogla financiare (Low-Budget). Edhe më tej ky mbetet tregu kryesor në Ulqin, meqë ka edhe shumë punë për t’u bërë nëse orientohemi në krijimin e produkteve cilësore për turizmin elitar.
Fillimisht Ulqinit i mungojnë hotelet e rikonstruktuara e të standardizuara, me përjashtim të « Otrant »-it dhe ca të tjerë me kapacitet më të vogël, të cilët janë të përshtatshëm për ofertë në tregun e jashtëm. Hotelet e ish sektorit shoqëror, të cilët zënë rreth 70% të shtretërve hoteliere në Ulqin, janë të vjetër, të lënë pas dore dhe të pajisur dobët. Kurse sektori privat, i konceptuar në formë të moteleve, vilave, bujtinave, etj. të cilat janë në pozitë konkurruese në rajon, do të duhej t’i nënshtrohen procesit të standardizimit dhe legalizimit.
Edhe përkundër mangësive të lartpërmendura, Ulqini, përpos bukurive natyrore, posedon cilësi të çmuara njerëzore: atë e karekterizon bujaria, mikpritja dhe tradita e gjatë turistike, andaj me plot bindje them se suksesi nuk do të mungojë.

Koha javore: Kur pritet të vihet në funksion të plotë Organizata Turistike?
A. Rexha: Tanimë me të madhe po punohet në përmbushjen e obligimeve juridike dhe organizative. Ekipi punues fillestar do të jetë i ngushtë, mirëpo numri i të angazhuarve do të rritet dita ditës me qëllim që të jemi sa më të përgatitur për fillimin e sezonit të ardhshëm turistik.

Koha javore: Zgjedhja Juaj është komentuar nga opozita si zgjedhje politike?
A. Rexha: Zgjedhjet në vende kyçe e me përgjegjësi, pothuajse çdokund dhe përherë janë edhe zgjedhje politike. Këtë e shoh si problem sikur të kishte dalë jashtë suazave ligjore, gjë të cilën nuk do t’ia kisha lejuar vetes. Referencat dhe përvoja ime më kanë inkurajuar që t’i qasem kësaj sfide e cila kërkon shumë seriozitet dhe përkushtim. Do të përpiqem dhe do të obligoj veten para qytetarëve dhe para politikës të dëshmoj se nuk është gabuar në emërimin tim. Kjo mbetet për t’u dëshmuar. E ardhmja, sidoqë të jetë, unë edhe përkundrejt këtyre gjykimeve, por edhe paragjykimeve, do të ngritem mbi çdo suprimim dhe do të jem bashkëpunëtor i mirë qoftë për politikën të cilës i takoj, qoftë për palën tjetër!

Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore