Politika si fatalizëm në Ulqin

November 18, 2009   | Shoqëria / Društvo

influenca politike ne ulqinKategoritë e reja të realitetit
Vetëm nën presionin e opinionit kritik dhe të qytetarëve të angazhuar edhe në këtë qytet do të arrihet puna ekipore, strategjia e përbashkët dhe vizionet për të ardhmen. Të gjitha kombet e suksesshme dhe qytetet e zhvilluara zhvillohen në këtë mënyrë. Do të doja që një gjë e tillë të na ndodhë edhe neve. Ia vlen të angazhohemi për mirëqenien e të gjithëve.
Në qytetin tonë pothuajse është bërë rregull që kur dikush dëshiron të diskutojë me ju në lidhje me politikën, ai thotë menjëherë: “nuk i përkas asnjë partie”.
Pse ua thotë këtë? Ju nuk e pyetët për këtë, sepse përndryshe kjo në shoqëritë demokratike askurrë nuk pyetet, ashtu sikurse as nuk flitet se për kë keni votuar dhe as sa e keni rrogën. Në këtë pyetje dikush ndoshta mund të ju japë përgjigje se miku që ka thënë se nuk i përket asnjë partie e bën këtë për shkak se konsideron që partitë politike nuk janë të mira dhe se pothuajse është turp të flitet më për këtë, sepse politika këtu është bërë kotec pulash, vend i matrapazllëkut, rrallëherë vend i luftës për të mirën e përgjithshme.
Përgjigjen në këtë pyetje duhet kërkuar në historinë dhe karakterologjinë e këtyre njerëzve. Pikësëpari, është fjala për frikën e akumuluar me dekada nga marrja me politikë, sidomos e zhvilluar në komunizëm. Së dyti, mosgatishmëria e njerëzve që të jenë të njollosur si ithtarë të një opsioni, së treti, dëshira që të shmangen pasojat negative për anëtarët e ndonjë organizate, por, vetëm të shijohen favoret, që do të thotë që janë në një parti vetëm për interesin e thjeshtë, dhe e katërta, (ndonëse këtu mjaft rrallë) të kuptuarit se pothuajse të gjitha partitë tona janë formuar nga një qendër e njohur mirë.
Ndërkaq, demokracitë parlamentare nuk ka pa parti politike, kurse partitë jo vetëm që janë mbartës kryesorë të demokracisë, por ato qeverisin shtetin dhe shoqërinë, në rastin konkret këtë qytet. Të gjithë ne tashmë i ndjejmë pasojat e rënda dhe lodhjen nga ky pushtet. Por, gjithashtu është fakt se politikanët janë pasqyrë e popullit, përkatësisht në personalitetet e tyre përthyhen të gjitha vetitë e këtyre njerëzve.
Nëse është kështu, mbase është vërtetë e arsyeshme të shtrohet pyetja: mos shumica në këtë shoqëri dhe në këtë qytet dëshirojnë të ndërtojnë rendin demokratik? Mos vërtetë dëshirojmë liri dhe a dimë si të veprojmë me të? A jemi të aftë që të organizohemi, që të bëjmë sinteza dhe të tubohemi rreth një qëllimi: zhvillimit të këtij qyteti.
Përvoja më e re na thotë se kjo gjë vështirë na shkon përdore, sepse ne në shekullin XXI kemi hyrë krejtësisht të papërgatitur me kategoritë e vjetra të realitetit. Për këtë arsye akoma nuk mund ta kuptojmë përse po na ndodhë e gjithë kjo.
Sepse, të mos harrojmë: nuk paguhet çmimi vetëm për veprim të gabuar, por çmimi i madh sot paguhet edhe për mënyrën e gabuar të të menduarit. E këtu tashmë dekada me radhë punohet dhe mendohet në mënyrë të gabuar!
Mirëpo, me gjithë angazhimet e mëdha që kjo çështje të përshkallëzojë dhe qytetarët të futen në ngatërresa, në mënyrë që derisa të zgjasë kjo gjendje, të plaçkiten resurset tona, megjithatë gjendja është duke ndryshuar.
Ngjarjet më të reja dëshmojnë se nuk jemi më të izoluar nga bota dhe, ç’është më e rëndësishmja as në Mal të Zi nuk ekziston më vetëm një qendër e influencës.
Mirëpo, nuk duhet të mashtrohemi: vetëm nën presionin e opinionit kritik dhe të qytetarëve të angazhuar edhe në këtë qytet do të arrihet puna ekipore, strategjia e përbashkët dhe vizionet për të ardhmen. Të gjitha kombet e suksesshme dhe qytetet e zhvilluara zhvillohen në këtë mënyrë. Do të doja që një gjë e tillë të na ndodhë edhe neve. Ia vlen të angazhohemi për mirëqenien e të gjithëve. Në këtë mënyrë përmbushin misionin tonë njerëzor. Kjo është sidomos e rëndësishme tani, kur, sikurse vesa para diellit, shkrihen karakteret dhe humbë dinjiteti.

Mustafa Canka
Koha Javore

YouTube Preview Image