Ferhat Dinosha, priti të martën shefin e komisionit europian në Mal të Zi, Leopold Maurer

November 24, 2009   | Shtypi / Mediji

ferhat-dinosa_leopold-maurer,Ferhat Dinosha_Leopold MaurerMali i Zi do të respektojë të drejtat e grupeve LGBT
Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi do të sillet ndaj pakicave seksuale si demokraci e zhvilluar evropiane, ka thënë të martën ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Ferhat Dinosha, në takimin që ka zhvilluar me shefin e Komisionit Evropian në Mal të Zi, Leopold Maurer.
Ai i ka sqaruar atij thelbin e deklaratës së tij, që sipas Dinoshës, “është transmetuar përgjysmë”.
“I kam përsëritur z. Maurer atë që ka qenë thelbi i deklaratës sime, duke thënë se Evropa duhet ta ketë parasysh atë çfarë janë specifika për çdo shtet, për këtë dhe çdo çështje demokratike, duke shprehur bindjene thellë që jam i sigurt për faktin se Qeveria e Malit të Zi absolutisht do të jetë e gatshme që edhe për këtë çështje të sillet si demokracitë e zhvilluara evropiane”, ka thënë Dinosha.
Ai, siç ka thënë, shpreson “që në të ardhmen të kemi histori e cila mund të jetë interesante pa pasoja të dëmshme për shoqërinë”.
“Intenca ime ka qenë që të thyhen tabutë, ndërsa specifikat e Malit të Zi të kihen parasysh, krahas përpjekjes që këtyre grupeve, nëse ekzistojnë në Mal të Zi, t’u krijohet hapësirë në të cilën do të shfrytëzojnë të drejtat e tyre në mënyrë që të mos krijojnë konflikt shoqëror”, ka thënë Dinosha.
Ai ka shtuar se kur është hapur kjo temë ka qenë në Strazburg ku ka pasur takime me “personalitete relevante për këto çëshjte, në mesin e të cilëve edhe me drejtorin e drejtorit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Filip Buajao”.
“Unë kam qenë ai që e ka hapur këtë temë, në mënyrë që në fund të marr sugjerimin i cili pak a shumë është i tillë që asnjë shtet, as Mali i Zi, nuk e ka obligim t’i promovojë këto grupe, por nëse ato ekzistojnë, atëherë e ka obligim t’i mbrojë, dhe Mali i Zi në këtë mënyrë do të sillet”, ka thënë Dinosha.
Shefi i Komisionit Evropian në Mal të Zi, Leopold Maurer, ka thënë se me Dinoshën ka folur edhe për statusin e romëve në Mal të Zi, për të drejtat e fëmijëve, por edhe për antidiskriminimin.
“Bashkim Evropian ka disa vlera, ndërsa antidiskriminimi është njëra ndër më të rëndësishmet. Në BE nuk ka diskriminim për homoseksualët, lezbiket apo travestitët”, ka thënë Maurer.
Ai ka theksuar se nuk është kryer çdo gjë me mbajtjen e një konference, por për këtë duhet punuar në mënyrë të vazhdueshme në të ardhmen dhe se do ta çojmë Malin e Zi më afër standardeve të BE-së.

Kohapress