Aida Shtino, padi per divorc ne gjykate ndaj bashkeshortit

December 1, 2009   | Lajmet / Vijesti

Aida ShtinoGazetarja dhe prezantuesja e njohur e emisionit “Njerëz të humbur” në “Tv Klan” i ka dhënë fund parimisht martesës së saj disavjeçare, ndërsa ka depozituar më 20 nëntor pranë Gjykatës së Tiranës, kërkesëpadinë për divorc ndaj bashkëshortit të saj Albano Ahmeti. Padia është depozituar nga Aida me datë 20 nëntor në gjykatë, ndërkohë që është hedhur shorti dhe seanca e parë është caktuar të zhvillohet në datë 15 dhjetor 2009. Në padinë e gazetares është specifikuar, që nuk duhet të sqarohet fajësia, dhe se kujdestarinë për djalin ka kërkuar ta marrë vetë ajo. Thuhet se gazetarja dhe bashkëshorti i saj jetojnë të veçuar prej disa muajsh, ndërsa në padi nuk është saktësuar arsyeja përse kërkohet ky divorc. Aida dhe bashkëshorti Albano (me profesion fotograf) janë njohur që kur Aida vazhdonte studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Më pas kanë emigruar bashkë drejt Athinës, ku dhe janë martuar dhe kanë lindur djalin e tyre Brandon. Thuhet se ka qenë pikërisht Albano, i cili ndërhyri në sigurimin e patentës në një nga televizionet greke, me të cilin Aida filloi emisionin “Ku je”, në ekranin e Telenorba Shqiptare në Tiranë. Aida dhe Albano janë moshtarë, të dy të datëlindjes 1969. Ajo ka lindur në Gjirokastër dhe pasi përfundoi shkollimin e mesëm, u diplomua për Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës.
Karriera e saj në media filloi në Tiranë me disa bashkëpunime me media lokale dhe TVSH dhe më pas si gazetare në Athinë në kanalin “ALTER”. Tek ky stacion punoi si gazetare investigative në emisionin “Fos sto tounel”, që merret me kërkimin e njerëzve të humbur dhe të zhdukur. Pas 13 vitesh në Greqi ajo u rikthye për të nisur emisionin “Ku Je” në “Telenorba” i cili për herë të parë u transmetua në prill 2005. Si një format i pashfaqur më parë në Shqipëri, ai pati një sukses të jashtëzakonshëm, popullaritet të cilin vazhdon ta ruajë edhe tani. Pas disa kohësh themeloi Fondacionin “Njerëz të Humbur” i cili i parapriu bashkëpunimit me kanalin “Vizion Plus”.
Aty ajo zhvilloi emisionin me të njëjtin emër “Njerëz të humbur” për dy vite. Ky emision merret me kërkimin e shqiptarëve të humbur dhe të zhdukur ndër vite në rrethana të ndryshme. Që prej Gushtit 2008, Aida Shtino e bën këtë emision në TV “Klan”.

Panorama Plus

YouTube Preview Image