Anjeza Shahini: Nuk kam kuriozitet për Eurosong-un

December 1, 2009   | Lajmet / Vijesti

Anjeza Shahini (2)

Pas 4 vitesh, këngëtarja prezantohet në Festivalin e Këngës në RTSH me krijimin e kompozitorit Sokol Marsi. Hera e fundit që këngëtarja Anjeza Shahini ka marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH ka qenë në vitin 2005, me një bashkëpunim me kompozitorin Harold Hanich në këngën “Pse ndal”.Pyetjes se përse ka munguar për katër vite, ajo i përgjigjet: “I jap shumë rëndësi festivalit, publikut që më mbështet dhe para tij dua të jem e bindur për atë që sjell”.Bindjen për të qenë në skenë këtë vit, ia ka dhënë krijimi i kompozitorit Sokol Marsi, një këngë që i përshtatet vokalit, ndjesive dhe i ngjall emocione, tepër të çmuara për të.Gjatë një bisede të bërë në një nga baret e Universitetit Evropian të Tiranës, ku ajo vazhdon studimet në vitin e tretë për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Anjeza tregon për festivalin, këngën, muzikën dhe “Eurosong”-un, në skenën e të cilit është prezantuar me këngën “Imazhi yt”, në vitin 2004.

Anjeza, hera e fundit në skenën e festivalit ishte para 4 vitesh. Përse ke munguar?

Kjo kohë më është dashur për të qenë gati për të marrë pjesë në festival. Për arsye se i jap shumë rëndësi Festivalit të Këngës, publikut që më mbështet dhe para tij dua të jem e bindur për atë që sjell. Koha që nuk kam marrë pjesë më ka shërbyer për të qenë më pranë publikut me këngë të reja, album, apo videoklipe.Albumi “Erdhi Momenti”, publikuar vjet në verë, si dhe dy këngët që e përfaqësuan atë “Erdhi Momenti” dhe “Lot Pendimi” që janë edhe videoklipe, janë rezultat i asaj kohe pushimi që kam bërë, ndërsa festivalet i lashë pak pas dore. Nuk kam vendosur ndonjëherë nëse do të marr ose jo pjesë në festivale, kësaj nuk i dihet asnjëherë. Jam gjithmonë e mendimit që kurrë të mos thuash kurrë. Erdhi një këngë e mirë, që unë e ndjeva dhe pranova të merrja pjesë këtë vit.

Me këngë të mirë çfarë do kuptojmë?

Do të thotë që unë ndihem gati për ta kënduar atë. Është e përshtatshme për vokalin tim, për ndjesitë e mia, një emocion që të vjen. Është një këngë që më bën të ndihem komfort në skenë.Kam atë emocionin që sa herë e këndoj, jap çfarë mundem nga vetja. Një emocion që gjithmonë dua ta kem kur dua të këndoj një këngë, sidomos kur bëhet fjala për konkurse, festivale, përndryshe nuk i jap rëndësinë e duhur dhe nuk më jep kënaqësi.

Po kompozitori Sokol Marsi përse ta besoi ty këtë krijim?

Di që është nisur të bëj një këngë të bukur për festival dhe në momentet e para që ka nisur të krijojë muzikën ka menduar që këto nota mund të më shkonin mua për shtat.Fjalët e tij ishin: “Kjo këngë mund të marrë atë zhvillim që unë mendoj vetëm duke qenë e përshtatshme për ty”. Kështu nisi bashkëpunimi, filluam me notat e para dhe çdo gjë është duke u bërë bashkë, në grup.

Një mendim i parë për titullin e këngës është “Pasqyrë e vetvetes”. Si shihet Anjeza në këtë pasqyrë?

Është e lidhur shumë me gjendjen shpirtërore të momentit. Në momentin që ndihem mirë, edhe me pak fare “make up” më duket vetja mirë, por kur nuk jam në gjendje të mirë shpirtërore, nuk bën asgjë pasqyra për ta rregulluar atë.

Ndërsa po flasim për festivalin, je në orën e lirë të pushimit. A mjafton koha për të qenë në rregull me të dyja?

Nuk do ta quaja një vështirësi shumë e madhe sepse që kur kam muzikën, kam qenë gjithmonë në shkollë, që në gjimnaz.Dita i është kushtuar gjithmonë shkollës, kurse pasditja, ose netët speciale i kushtohen muzikës. Në momentet që nuk jam në shkollë, ose nuk kam ndonjë aktivitet gjatë ditës, ndjej mungesë, nuk organizohem dot. Shkolla më organizon më tepër momentin, nesër do të jetë puna, nuk i dihet. Nuk më krijon vështirësi, përkundrazi më jep një rregull në ditën time.

Gjendet gjithmonë kohë për prova?

Gjithmonë kohë nuk gjendet, madje ajo është shumë e shkurtër, por mundohem të mos humb asnjërën nga të dyja. Sikur të ishin aktivitetet muzikore më të ngjeshura sesa kaq, sigurisht që do të kishte qenë më e vështirë.Muzika në Shqipëri akoma nuk është në stadin që të punohet çdo ditë dhe ka çdo ditë aktivitete të programuara nga më parë. Çdo gjë vjen surprizë. Nuk ka një program muzikor të caktuar dhe unë mendoj që ky është ai çengeli ku ka mbetur varur pjesa menaxhuese artistike.

Çfarë hapësire i ofrohet artistit të ri?

Hapësirat e vetme, përveç festivaleve që dihet se ku janë, përveç bërjes privatisht të ndonjë albumi, koncertet janë gjithmonë në varësi të organizatorëve. Ne jemi akoma të paorganizuar.

E ke synim Eurosongun këtë vit?

Është shumë herët për të folur. Pjesëmarrja ime këtë vit, vjen si pasojë e asaj që unë dua të jem në skenën shqiptare përpara atij publiku që më pyet shpesh dhe dua të sjell një emocion të ri.Hera-herës e ndjej dëshirën për të kënduar në atë skenë. Kjo është arsyeja më e madhe dhe ambicia ime kryesore: që të dal sa më mirë në festival dhe të kënaq atë publik i cili më pret.Ndërsa “Eurosong”-u për mua nuk është më një kuriozitet sepse për fat të mirë e kam kaluar, por maksimumi do të ishte një ambicie më tepër, nëse do ta meritoja plotësisht, por fare plotësisht, sigurisht që do ta kisha dëshirë. Por vetëm në atë pikë.

Përse ka rëndësi pjesëmarrja në Festivalin e Dhjetorit?

Bëhet fjalë për Festivalin Kombëtar të Muzikës së lehtë dhe kjo është arsyeja kryesore pse unë nuk kam asnjëherë dëshirë ta braktis atë, derisa t’i përmbahet kësaj formule të paktën.Është një aktivitet që ne e kemi traditë prej shumë vitesh, është për t’u vlerësuar dhe me sa mundësi të kemi të kontribuojmë me këngë të muzikës së lehtë shqiptare, më mirë do të ishte.

Gazeta Shekulli

YouTube Preview Image