Veprimtari përkujtimore, 10 – vjetori i vdekjes së dom Simon Filipajt

December 6, 2009   | Shoqëria / Društvo

Dom Simon Filipajt_BiblaDekada e dëshmisë së Filipajt
Viti i tanishëm në të cilin po zhvillohet kjo veprimtari përkujtimore, 10 – vjetori i vdekjes së dom Simon Filipajt, ka një koincidencë të rastit, sepse përkon me 15 – vjetorin e botimit të Biblës në shqip, vepër kjo e cila na bëri ta përkujtojmë dekadën e vdekjes së përkthyesit dhe veprën e tij jetësore Biblën.
Një dekadë pa Filipajn, sikur është tepër pak për të njohur vlerat e rralla si përkthyes dhe veprën e tij madhore Biblën. Por, në anën tjetër, këto pak vite janë të mjaftueshme për të kuptuar dobinë e madhe dhe peshën e veçantë të kësaj vepre për të cilën iluministi francez i shek. XVIII, Zhan Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778) thoshte se është “libër i të gjitha kohërave”.

Kush ishte Filipaj dhe vepra e tij Bibla

Meqenëse rreth personalitetit të Filipajt dhe veprës së tij, është sqaruar mjaft hapët e qartë nga shkrimet e botuar në librin “Bibla shqip dhe tradita”, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2004, me këtë rast do të doja, me pak fjalë ta rikujtoja jetën dhe ta rivlerësoja veprën e tij, duke u mbështetur në thënien latine: Repetitio est mater studiorum (përsëritja është nëna e dijes).
Simon Filipaj u lind më 1 maj të vitit 1925, në fshatin Kllezën e Ulët ( e Poshtme) afër Shasit të lashtë të komunës së Ulqinit, në Malin e Zi. Në vitin 1932, filloi shkollën fillore dyvjeçare, në Selitë, kurse dy të tjerat i përfundoi në Katërkollë afër Ulqinit. Të gjitha vitet shkollore i kreu në gjuhën sllave në mungesë të shkollës në gjuhën amtare. Seminarin e Ulët për në rrugën e meshtarisë e nisi në Tivar, 1939-41 për t’i vazhduar më pas mësimet në seminarin e Jezuitëve në Shkodër 1941-45. Gjatë harkut kohor 1946-1950 i kreu studimet, filozofike dhe teologjike, me sukses të shkëlqyer në Fakultetin Teologjik të Zagrebit. Po në këtë vend u shugurua meshtar më 29 qershor të vitit 1950 si anëtar i Kryedioqezës se Tivarit.
Filipaj, fillimet e jetës klerikale i kishte kaluar në Triepsh e Kojë të Kuçit në vitet 1950 – 1960 dhe më pas gjatë viteve 1960 – 1966, në Grudë të Malësisë se Madhe. Nga të dhënat biografike del se pjesën më të madhe të shërbimit ai e ka kryer në Shën Gjegj dhe Kllezne, buzë lumit Buna, nga 20. XI 1966 deri 02. IX 1999, pra plot 33 vjet, gjersa ndërroi jetë. Më dt. 3. IX qe varrosur në mënyrë tejet modeste në vendlindjen e tij, Kllezna e Ulët,
Në shenjë mirënjohjeje për punën e bërë, më 3 nëntor të vitit 1988 Selia e Shenjtë i dha titullin e lartë “Imzot” (monsinjor), ndërsa më 6. VII 1992 ishte shpallur “Prelat Nderi” i Papës Gjon Pali II.

Bibla vepër universale

Kultura e të gjithë njerëzimit e ka zanafillën e vet në besimet, qoftë për pjesën politeiste të historisë (besimi në shumë zota) qoftë për atë monoteiste (besimi në një Zot). Prandaj, nuk është diçka e rastit që fillimet e shkrimit të shumë gjuhëve, sidomos të popujve të Evropës si: gjuhët gjermanike, frankofone, sllave etj. e kanë zanafillën e tyre në përkthimet biblike.
Bibla, Shkrim i shenjtë, nga greqishtja „He biblos“ që do të thotë „Libri“ ta biblia „libërthat“, e përbërë nga Besëlidhja e vjetër, ku janë shkrime të një tradite gojore disa mijëra vjeçare, të shkruara në kohën nga 1300 vjet para Krishtit dhe Besëlidhja e Re, shkrime të kohës së apostujve të shkruara deri vitin 100 pas Krishtit; përshkon të gjitha epokat historike duke bërë me to një dialog të përjetshëm. Ajo, ka brenda të gjitha gjinitë, që nga poema, orakulli, rrëfimi historik, lutja, dialogu dhe ka me tepër së njëmijë personazhe.
Për shumë shkrimtarë dhe filizofë të cilët i kthehen autoritetit biblik, që nga Marcel Proust-i (1871-1922) “Në kërkim të kohës së humbur” e deri tek Thomas Mann-i, ( 1875- 1955) “Jozefi dhe vëllezërit e tij”, si dhe filozofët: Baruch Spinoza ( 1632-1677), Emmanuel Kant (1724-1804), Georg Friedrich Hegel (1770-1831), etj., Bibla është një burim i pashtershëm imazhesh, simbolesh, arketipash, formash rrëfyese ose poetike dhe e pandashme nga kultura në të cilën është formësuar. Edhe pse Friedrich Nietzsche (1844-1900), ka shkruar se zotat kanë vdekur, bibliofilët thonë se edhe i vdekur një zot mbretëron përjetësisht.
Bibla edhe në shek. XX, ka një pamje tjetër: Francis Scot Fitzgerald-i (1896-1940) ndërton ëndrrën e Tokës së Premtuar te “Getsby i madh” kurse Ernest Hemingway (1899-1961) merr nga imazhet biblike titullin e romanit të tij “ Dhe dielli ngrihet përsëri” etj..
Edhe për rusët e shek XIX, Bibla ka qenë një libër i pazëvendësueshëm. “Vëllezërit Karamazov”, i Fjodor Dostojevskit,(1821-1881, është frymëzuar nga pyetja e famshme e Jezusit drejtuar konsullit romak. Po ashtu veprat e Nikolaj Vasileviq Gogolit (1809-.1852), Aleksandër Blokut ( 1880-1921), Boris Lenonidoviç Pasternakut 1890-1960, Anton Pavloviç Çehovit (1860-1904) e tj..

Filipaj dhe Bibla shqip

Historia e kontakteve të paraardhësve të shqiptarëve me Biblën në një farë mënyre nis me Shën Jeronimin nga Stridoni i Ilirisë, shekulli i V më përkthimin e tij të plotë të Biblës në gjuhën latine, ose siç quhet ndryshe Vulgata. Në shekujt e më pastajmë, në vitin 1468, kemi formulën e pagëzimit, si fragmentin e parë biblik shkruar në gjuhën shqipe, kurse më 1555-ën, Gjon Buzuku botoi librin e parë shqip, një përkthim i teksteve biblike, duke bërë për ne shqiptarët atë çfarë kishte bërë Martin Luther (1483-1546) shek. XV-XVI, për gjermanët. Nisma e Buzukut u pasua në shekujt e më pastajmë nga përkthime të tjera të shkrimeve të shenjta shqip si L. Matrenga, P. Budi, F. Bardhi, P. Bogdani, Jul Valiboba, Teodor Haxhi Filipi, Vangjel Meksi, Kostandin Kristoforidhi, Fan Noli, Ndre Mjeda etj.. Kështu përpjekjet e para për të përkthyer këtë libër të shenjtë në gjuhën e ndaluar shqipe shënojnë edhe fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe, zanafillën e kulturës sonë të shkruar e fillimet e letërsisë shqiptare, me anën të së cilës lexuesi shqiptar afrohej më rrjedhat e kulturës evropiane e botërore.
Pas nismëtarëve të shquar të shkrimeve biblike shqipe dhe përpjekjeve të tyre në përkthimin e Biblës shqip, që nuk kishin dhënë rezultatin e duhur, u deshën të kalojnë katër shekuj e gjysmë për tzu bërë i mundur përkthimi i plotë i kësaj vepre në gjuhën standarde, botuar nga shtëpia botuese “Drita”, Ferizaj, në vitin 1994, falë pasionit dhe vullnetit të çeliktë për 40 vite më radhë, të mjeshtrit të fjalës shqipe, klerikut të shquar të kishës katolike, dom Simon Filipajt i cili vepronte sipas motos së mbrojtësit të Evropës, Shën Benediktit, “ Ora et labora” (Lutu dhe puno).
Jetëshkrimi i tij na dëfton, se libri ishte punuar gjatë rritjes dhe forcimit të sistemit komunist dhe ateist i cili për 45 vite me radhë si një morde e zezë, dominonte mbi trevat shqiptare dhe më gjerë. I ndikuar nga kjo diktaturë, ai kishte kaluar një jetë plot përjetime jo të mira e pësime të pamerituara, saqë vetëm një shpirt fisnik e njeri i pajisur me durim, forcë qëndresë mbinjerëzore mund tzia dilte mbanë që të mos dorëzohej, e të mos ligështohej, por të kryente me këmbëngulje një punë madhështore siç është Bibla.
Të përkthesh Biblën, do të thotë rrokesh me kompetencë më një varg çështjesh si: njohja më traditën e përkthimeve biblike dhe gjuhët e saj të kohës, të jesh teolog i spikatur, të kesh njohuri në filozofi, histori, letërsi dhe poezi si dhe të jesh mjeshtër i madh i fjalës së letrave shqipe. Studiuesit e ndryshëm me shkrimet e tyre kanë treguar hapësirat e dijes dhe të zotësisë e të aftësive shprehëse që i kishte Filipaj.
Rëndësia e veprës përcaktohet edhe nga koha kur u realizua ky botim. Bibla shqip edhe pse përkthimi i saj kishte përfunduar në vitin 1986, u botua në kohën kur shqiptarët, pas ndryshimeve politike të viteve 1991, të etur për Fjalën e Zotit po përjetonin një ringjallje të besimit dhe shpresës për një jetë tjetër më të qytetëruar.
Nga dëshira e madhe për tzu njohur me këtë mrekulli kulturore të shekullit u organizuan në objekte fetare (për shkak të ekspansionizmit serb) promovimet e para të Biblës, në Prishtinë me 26 nëntor 1994, dhe Prizren 25 mars 1995 më pjesëmarrjen e shumë studiuesve si Prof. Anton Çeta, prof. Indriz Ajeti, Prof. Gani Luboteni, prof. Mirije Rushani, dom Lush Gjergji, prof. Engjëll Sedaj etj. si dhe vete përkthyesi.
Bibla shqip, kulmin e promovimit të saj e kishte arritur, kur më 24 tetor 1994, me iniciativën e dom David Xhuxhës, drejtuesi i programit të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, Ati i Shenjtë, Gjon Pali II, priti në audiencë Imzot Filipajn së bashku me Imzot Rrok Mirditën , kryeipeshkvin e Durrës-Tiranës. Me këtë rast atij iu dhurua Bibla në gjuhën shqipe nga vetë përthyesi.

Dekada e Filipajt

Në kombin tonë, ka pasur figura që luanin një rol të posaçëm në kulturën shqiptare, por për arsye të pa shpjegueshme, mbetnin nën heshtjen e pamerituar të intelektualëve të ndryshëm, shtypit të shkruar dhe të vëmendjes së mjeteve pamore apo elektronike. Këtë e dinte edhe autori i Biblës së dhjetëra librave liturgjikë dhe mbledhësi i palodhur i folklorit shqiptar. Por nuk e dinte që kjo dukuri shqiptare do të gjente zbatim edhe tek ai. Por ndodhi edhe kështu.
Filipaj, gjithë jetën zhvilloi veprimtari baritore dhe intelektuale, duke ushtruar detyrën për 49 vite me radhë, pati përcjelljen e tij në amshim më 3. shtator 1999, në mënyre modeste të heshtur nga mjetet informative të kohës. Ai, gjithë jetën ia kushtoi fjalës së shkruar duke treguar një përkushtim të veçantë për njeriun, për kishën si bashkësi shpirtërore, për kulturën dhe kombin të cilit i takonte. Studiuesi Moikom Zeqo, në të përditshmen “Shekulli” duke vlerësuar me dashamirësi kontributin e madh të përkthyesit, ndër të tjera shkruan”: U trondita dhe u trishtova njëkohësisht. Si është e mundur vallë që vdekja e njeriut të mrekullueshëm dhe punëtorit të paepur të përkthimit në shqip, … njeriut dhe fetarit të urtë Simon Filipajt, të kalonte gati në heshtje të plotë në mediat, kur kjo vdekje duhet të ishte në qendër të vëmendjes, si një humbje e pazëvendësueshme jo vetëm njerëzore, por edhe sidomos kulturore”.
Për sa kohë kundrojmë jetën dhe veprën e Filipajt, fillojmë të kuptojmë mirë proverbin e njohur latin: “Vita brevis, ars longa” (Jeta është e shkurtër, vepra është jetëgjatë). Pas vdekjes së Filipajt kjo urti latine na lë të kuptojmë se vepra si element i pavdekshëm është ajo e cila do të ndërgjegjësojë, shtresën e ngritur të botës shqiptare që tzi kthehet rivlerësimit të jetës dhe veprës së tij, duke i dhënë vlerat e merituara qe i takojnë.
Për të kujtuar figurën e tij dhe për të mbajtur gjallë e në dritë veprën e tij madhore, me datën 1 maj të vitit jubilar 2000, në Ulqin, dy shoqata që mbledhin intelektualët shqiptarë të shquar për atdhedashuri, ruajtës e kultivues të kulturës kombëtare, “Art Club” dhe “Dom Gjon Buzuku”, organizuan një mbrëmje përkujtimore në 75-vjetorin e lindjes së imzot Simon Filipajt. Në këtë takim përkujtimor vlerësimet e veta i shpalosën intelektualët : Riza Rexha, Ismail Doda, Nail Draga, Ibrahim Berjashi, Haxhi Shabani etj. I gjithë ky aktivitet qe pasqyruar gjerësisht në revistën, “Lemba”, Ulqin, nr. 3-4, viti 2000.

Dr. dom Nikë Ukgjini
Koha Javore
YouTube Preview Image

2