Xheneta Vuçiq, sjell medaljen e parë nga kampionatet botërore në Ulqin – Video

December 12, 2009   | Sporti / Sport

Xheneta VuçiqGaruesja e klubit “Albulena”, Xheneta Vuçiq,e treta në botë
Xheneta Vuçiq ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në Ju-Jitsu për kadetë dhe juniorë që u mbajt në Athinë nga data 27-29 nëntor.
“Ky është suksesi më i madh në karrierën time. Medalja e fituar më jep vullnet që të eci më përpara”, thotë Vuçiq duke shtuar se ai përbën njëkohësisht sukses edhe për qytetin e Ulqinit.
Garuesja e Klubit “Albulena”, Xheneta Vuçiq, ka sjellë medaljen e parë nga kampionatet botërore në Ulqin. Ajo ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në Ju-Jitsu për kadetë dhe juniorë që u mbajt në Athinë nga data 27-29 nëntor.
Ajo ishte pjesë e Përfaqësueses së Malit të Zi në këtë kampionat.
Në një konkurrencë të fortë, në kategorinë -57kg për kadetë, ku kanë marrë pjesë mbi 40 garuese, ajo ka arritur deri te medalja pasi që ka shënuar pesë fitore dhe një humbje.
Ajo ka humbur meçin e parë nga përfaqësuesja greke, për të fituar më pas pesë meçe me radhë në repasazh ndaj përfaqësueses së Italisë, Suedisë, Polonisë, Austrisë dhe në meçin e fundit për medalje ndaj përfaqësueses gjermane.
“Me përfaqësuesen gjermane, ku kam luftuar për medalje, e kam pasur më së vështiri”, tregon emocionet e saj nga gara Xheneta.
Por për të kaluar barrierën e parë, Vuçiq është dashur “të luftojë” me vetveten. Për shkak të mbipeshës, ajo është dashur të zvogëlojë tre kilogramë brenda tri ditëve për të marrë pjesë në kategorinë -57kg. Kjo është reflektuar në mënyrë negative, sidomos në meçin e parë.
Xheneta nuk e fsheh kënaqësinë për suksesin e arritur.
“Ky është suksesi më i madh në karrierën time”, pranon ajo, duke shtuar se ai përbën njëkohësisht sukses edhe për qytetin e Ulqinit.
Sipas saj, të fitosh një medalje në Kampionatin Botëror është një sukses i madh.
“Medalja e fituar paraqet kulmin në karrierën time, por edhe më jep vullnet që të eci përpara”, thotë Vuçiq.
Vetëm pak kohë më parë ajo ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror në Karate në Maroko ku po ashtu ka përfaqësuar Malin e Zi.
“Pasi që kanë qenë dy kampionate të njëpasnjëshme, ka qenë e vështirë të përgatitem”, thotë Xheneta, e cila falënderon trajnerët e Klubit “Albulena”, Agron Ujkashi, Anel Beganoviq dhe Jasmin Hot, pa punën e të cilëve, siç thotë ajo, “nuk e kisha arritur këtë sukses”.
Xheneta falënderon edhe sponsorët “Hasa Glass”, “Sefa Goni Alumin” dhe “Taflaj Alumil” të cilët ndihmuan pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Botëror.
Garuesi tjetër nga Klubi “Albulena”, pjesëtar i Përfaqësueses së Malit të Zi, Nikolla Prodanoviq, në kategorinë -73kg për kadetë, ka humbur në gjysmëfinale duke mos arritur të kurorëzohet me medalje.
Përveç medaljes së bronztë të fituar nga Xheneta, Mali i Zi ka fituar edhe katër medalje të tjera në këtë kampionat, dy të argjendta dhe dy të bronzta, duke arritur një rezultat mjaft pozitiv.
Kampionati Botëror në Ju-Jitsu për kadetë dhe juniorë në Athinë ka qenë i organizuar në një nivel tejet të lartë dhe në të kanë marrë pjesë rreth dyzet shtete.

I. Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image