Juliana Pasha shkon në “Eurovizion”

December 29, 2009   | Zbavitje / Zabava

Juliana PashaKëngëtarja Juliana Pasha me këngën “Nuk mundem pa ty” ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, shpërblim i cili, sikur dihet, i mundëson asaj pjesëmarrje dhe përfaqësim të Shqipërisë në Festivalin Evropian të këngës, “Eurovizion”. Në edicionin e tij të 48-të, këngëtarja Pasha ka zënë vendin e parë me votat e dhëna nga juria profesionale e Festivalit. Kënga “Nuk mundem pa ty” është krijuar nga tre emra të njohur të artit shqiptar, si Ardit Gjebrea, që është kompozitor i saj, Pirro Çako, që është autor i tekstit dhe Shpëtim Saraçi, i cili ka bërë orkestrimin e këngës fituese në “Fest 48”. Juliana Pasha ka grumbulluar më shumë pikë se këngëtarja Anjeza Shahini, e cila me këngën “Pasqyrë e vetvetes” është renditur e dyta, ndërkaq vendin e tretë e ka zënë Kamela Islami me këngën “Gjëra të thjeshta”. Juliana Pasha e ka pritur me lot në sy këtë çmim, duke u shprehur: “Vërtet është një vlerë që mora pjesë në këtë skenë, andaj ju falënderoj të gjithëve që më dhatë këtë mundësi” . Vetë Juliana e ka vlerësuar këngën që është shumë e bukur, me një tekst të bukur dashurie, vargje të të cilit thonë: “Nuk mundem pa ty, nuk kam jetë pa ty, rrëfej mrekullinë e botës time…”.

Emra në zë të skenës në “Fest 48”

Juliana Pasha .6Në këtë edicion kanë konkurruar 36 krijime muzikore, të përzgjedhura në mesin e 78 sosh, sa janë paraqitur në fillim, nga një juri e përbërë nga emra të njohur të muzikës, si: Zana Shuteriqi, Fatmir Hysi, Zef Çoba, Irma Libohova, Françesk Radi, Redon Makashi, Kozeta Mamaqi, Selim Ishmaku dhe Xhavit Ujkani. Ndërkaq, këto këngë kanë për autorë emra më në zë të skenës, si: Gjebrea, Kaçinari, Zhulali, Qafoku, Sina, Hila, Lako, Nini, Prodani etj. Drejtore e festivalit ka qenë Zamira Koleci, drejtor artistik Selim Ishmaku, redaktor përgjegjës Françesk Radi, regjisor Osman Mula, skenograf Marco Cane, ndriçimi Franko Ferrara dhe Fonia Emanuele Doninni. Ndërkaq, Orkestra Simfonike ka shoqruar ‘live’ këngëtarët në skenë, duke pasur përparësi partiturat, ku kanë mbizotëruar harqet, pianofortja dhe grupi vokal. Festivali është mbajtur për katër net radhazi në datat 24, 25, 26 dhe 27 Dhjetor, të cilat janë quajtur si nata e të rinjve, nata e VIP-ave, nata e dueteve dhe nata e çmimeve të mëdha. Drejtpërdrejt nga Pallati i Kongreseve festivali është transmetuar nga RTSH-ja.

Pjesëmarrja e Shqipërisë nëpër vite në “Eurosong”Juliana Pasha .7

Juliana Pasha, fituese e çmimit të parë të Festivalit të 48-të të Këngës në RTSH, do të përfaqësojë muzikën e lehtë shqiptare në Festivalin Evropian në Oslo, Norvegji. Kjo është hera e shtatë që Shqipëria konkurron në “Eurosong”. Për herë të parë kjo ndodhi në vitin 2004, kur kënga me titull “Imazhi yt” e kompozitorit Edmond Zhulali u interpretua në skenën e Eurosong-ut në Turqi nga këngëtarja Anjeza Shahini. Një vit me pas, Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren Ledina Çelo me këngën “Nesër shkoj” të kompozitorit Adrian Hila dhe me poet Pandi Laçon. Në vitin 2006 këtë fat e kishte këngëtari Luis Ejlli me këngën “Zjarr e ftohte” të Klodian Qafokut. I rikthyer në atdhe pas shumë vite emigrimi, këngëtari Frederik Ndoci, në maj të 2007-s, shkoi në “Eurosong” me këngën “Balada e gurit”, të punuar nga Adrian Hila e Pandi Laço. Në “Eurosong”-un e vitit 2008, shkoi këngëtarja Olta Boka me krijimin “Zemrën e lamë peng”, kompozim i Adrian Hilës dhe tekst të Pandi Laços. Këtë vit, në Moskë Shqipëria u përfaqësua me këngën “Më merr në ëndërr”, kënduar nga Kejsi Tola, kompozim i Edmond Zhulalit me tekst të Agim Doçit. Vlen të përmendet se nga gjithë këta emra, Anjeza Shahini ka qenë ajo që është ngjitur më së larti në Festivalin Evropian, duke u radhitur në vendin e gjashtë.

Violetë Pllana
Bota Sot


YouTube Preview Image