Eurosporti, mikpritës i Basketball team Ulqini – Video

January 8, 2010   | Sporti / Sport

Eurosporti, mikpritës i tri skuadrave
Aktiviteti i parë më serioz në basketbollin kosovar për vitin 2010 pa dyshim do të jetë ai i kadetëve të Kolegjit Eurosport. Prej 22-24 janar, të rinjtë prishtinas do të kenë rast shumë të mirë të vlerësojnë nivelin e tyre dhe njëkohësisht të fitojnë një përvojë tepër të rëndësishme. Gjatë atyre tri ditëve, mysafirë të tyre do të jenë moshatarët nga dy klube turke dhe një nga Mali i Zi. “Kemi arritur marrëveshjen dhe tashmë e kanë konfirmuar ardhjen kadetët e skuadrave turke Yucetepe Spor e Ankarasë, Burs Kolegj e Stambollit dhe Ulqini nga Mali i Zi”, ka njoftuar trajneri i Eurosportit, Ibrahim Karabeg. Sipas tij, ky do të jetë një rast i mirë që të rinjtë e kësaj skuadre të fitojnë një përvojë të rëndësishme për të ardhmen e tyre. “Zhvillimi i ndeshjeve miqësore me skuadra të ndryshme është shumë e mirëseardhur, sepse vetëm në këtë mënyrë ata e shohin realisht nivelin e tyre dhe fitojnë përvojë që do t’u ndihmojë shumë për të ardhmen”, ka shtuar Karabeg. Mirëpo, ai vlerëson se ky aktivitet duhet të jetë shembull edhe për klubet e tjera dhe vetë Federatën e Basketbollit të Kosovës. “Aktivitetet me grup-moshat e reja janë mënyra më e mirë për të përparuar basketbolli i Kosovës dhe njëherësh do të shërbente në përpjekjet tona për ndërkombëtarizim. Prandaj mendoj se një politikë të tillë duhet ta ndjekin edhe klubet e tjera”, ka deklaruar trajneri i skuadrës prishtinase. Ndërkohë, ai parashikon se turneu me skuadrat mysafire do të jetë i organizuar në mënyrën më të mirë. “Shpresoj se do të jetë një turne i përgatitur mirë. Kemi bërë ftesa për zyrtarë të ndryshëm nga jeta politike, duke përfshirë edhe kryetarin e komunës si dhe ambasadën turke në Prishtinë. Pastaj, aty do të jenë edhe ish-basketbollistë kosovarë që nga gjeneratat më të vjetra e deri te më të rinjtë”. Karabeg ka besim se për organizim sa më të mirë nuk do të mungojë as përkrahja institucionale. “Ne e falënderojmë FBK-në dhe DSK-në, por edhe pronarin e Kolegjit Eurosport, Mustafë Havollin. Jam shumë optimist se ky aktivitet do t’i arsyetojë shpenzimet, kohën dhe punët që janë bërë rreth tij”, ka përfunduar Karabeg.

L. GASHI
Kosova Sot
Basketball team Ulcinj - mire se vini
YouTube Preview Image