Lorik Cana dhuron 10 mijë euro familjeve të përmbytura – Video Exclusive

January 15, 2010   | Sporti / Sport

Lorik CanaLojtari i kombëtares së Shqipërisë Lorik Cana gjëndet pranë familjeve të përmbytura, dhuron një shumë prej 10,000 euro në ndihmë të tyre.

Deklaratë:
Me shqetësimin më të madh po e ndjek situatën në veri të vendit, e cila si pasojë reshjeve dhe prurjeve të shumta ka shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të mëdha teritoresh. Duke i ndjerë në vehte këto pasoja, në shenjë solidarizimi me banorët e këtyre teritoreve të përmbytura, dhuroj shumën prej 10,000 euro, me destinacion për ndihmë të familjeve të ketij rajoni. Me këtë rast inkurajoj të gjitha përpjekjet që shteti shqiptar, individë, organizatat dhe vendet mike të cilët po bëjnë të pamundurën për t’ju gjetur sa më afër popullatës së këtyre zonave të afektuara nga kjo tragjedi. Në këtë drejtim, shfrytëzoj rastin tu bëj thirrje të gjithë atyre që kanë sado pak mundësi të ndihmojnë dhe tu gjenden në c’do formë pranë familjeve të përmbytura duke i ndihmuar ata, për ta kapërcyer këtë situatë.

Me respekt,
Lorik Cana

********************************************

Cana, një jetë mes futbollit dhe bamirësisë

Lojtari më i shtrenjtë shqiptar dhuroi 10 mijë euro për familjet e përmbyra. Kapiteni i Sanderlendit dhe lojtari i kombëtares është ambasador i UNICEF-it dhe PNUD-it
Akti i dhurimi të 10 mijë eurove personave të dëmtuar nga përmbytjet në Veriun e Shqipërisë nga ana e Lorik Canës, nuk është i pari për kapitenin aktual të Sanderlendit në Angli. Lojtari më i shtrentjë shqiptar i të gjitha kohërave ka qenë gjithmonë i vëmendshëm nga problematikës në vendin tonë, por dhe në Kosovë në shtetin e tij të lindjes. Iniciativat e Lorikut janë të shumta.
Në nëntor të vitit 2007, Lorik Cana, asokohe kapiteni i ekipit te Marsejes u bë anëtar i nderit të Fondacionit të Fëmijeve Shqiptarë, “Domenick Scaglione”, presidente e të cilit është zonja Liri Berisha, e cila është bashkëshortja e kryeministrit te Shqipërisë, Sali Berisha. Lorik Cana është aktiv me fondacionin shqiptar “Domenico Scaglione”. Por si lindi ky bashkëpunim?

“Më kontaktuan nga fondacioni të bashkëpunojë me zonjën Liri Berisha e Lajlja Pernaskën. Kjo e fundit është edhe zëvendëspresidente fondacionit. Unë jam anëtar nderi. Jam i vetmi nga sportistët në këtë fondacion bamirësie për fëmijët. Kam pasur kënaqësinë për t’i ndihmuar me aq sa kam pasur mundësi. Një nga këto ka qenë iniciativa e nisur prej meje për të marrë 1 euro nga çdo biletë e shitur nga ndeshja më e madhe e vitit në Francë, ajo midis Marsejës e Lionit. Mblodhëm një shumë prej gati më shumë se 20 mijë eurosh. Këto ishin vetëm nga biletat që u shitën, pasi në stadiumin “Velodromë” më shumë se 40 mijë bileta janë abone. Këtë iniciativë do ta përsërisim çdo vit”, – tha Lorik Cana për Albania-sport.com, në shtator të vitit 2008

Gjatë vitit të kaluar, Lorik Cana, u shpall fituesi i “Yjeve të pokerit”, një garë e organizuar nga televizioni francez “Canal Plus”. Kapiteni shqiptar i Sandërlendit fitoi jo pak, por 100 mijë euro, të cilat sipas tij do t’i përdorë për t’i ardhur në ndihmë familjeve në Kosovë.

Gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, ambasadori i UNICEF-it, futbollisti i shquar shqiptar, Lorik Cana, i dorëzoië Kryqit të Kuq Komunal të Gjakovës, miell dhe nga një pako ushqimore për 500 familje të varfra, dhurata këto që do u ndanë në prag të Festës së Bajramit,

“Edhe me këtë rast u dëshmua humaniteti i madh i Lorikut për familjet e varfra, për çka ne, në emër të familjeve nevojtare u jemi mirënjohës”, – tha Dushe Basha-Lama, koordinatore e Kryqit të Kuq të Gjakovës.

Ajo ka bërë të ditur se në procedurë është hartimi i listës së familjeve që kanë më së shumti nevojë, ndërsa numri i atyre familjeve që i janë drejtuar KK të Gjakovës për ndihma në ushqim, veshmbathje dhe lëndë djegëse.

Lorik Cana, futbollist i Sunderlandit në Premierligën angleze dhe njëkohësisht futbollist i kombëtares së Shqipërisë, edhe në shumë raste tjera është treguar solidar, duke u ndihmuar fëmijëve, të varfërve dhe sportistëve kosovarë.

Cana ka përkrenaren ilire të bërë si tatuazh në krahun e djathtë, ndërsa shqiponjën me dy koka e ka në bicepsin e krahut të majtë. “Le Provens” shkruan se “sot në Kosovë, në Prishtinë, fotografia e Lorik Canës është në librat e nxënësve të shkollave, nëpër stilolapsa, çakmakë.

Lorik Cana ishte një ndër emrat e shquar të ndeshjes së bamirësisë së organizuar nga ish-kapiteni i Marsejës, Fabio Celestini në emër të “Fondacionit 4-4-2” në Zvicër. Takimi përfundoi 10-5 për formacionin kundërshar të Canës, ku bënin pjesë midis të tjerëve edhe Zidan, Laudrup, Jordi Krujf e Raul. Kapiteni aktual i Marsejës, shqiptari Lorik Cana, ishte pjesë e formacionit të “OM all stars” (Të gjithë yjet e Olimpikut të Marsejës), së bashku edhe me Pires, Durand, Zenden, Ravaneli etj.

Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, në fund të dhjetorit të vitit 2008 u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Ambasador i kombit”, teksa më parë është përzgjedhur nga UNICEF-i edhe ambasador i kësaj organizate, ku këtë status e gëzojnë emra të elitës botërore si Kaka, Ronaldinjo, Andrij Shevçenko, Ronaldo, Zinedin Zidan etj.

“Unë bashkëpunoj me Kombet e Bashkuara, e saktësisht me UNDP-në, një organizatë për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara. Më kanë kontaktuar direkt për të qenë ambasador për pjesën e Kosovës e për të sensibilizuar problemet që ka atje. Ambasadorë të përgjithshëm janë Ronaldo e Zidan. Didier Drogba është për Afrikën, ndërsa Ana Kurnikova është për Rusinë. Marr pjesë në mbledhje që bëhen dhe në ndeshjet humanitare që zhvillohen. Kam marrë pjesë në disa ndeshje të tilla”, – tha gjatë një interviste për Albania-sport (shtator 2008).

Burimi: Albania-sport.com

Video Exclusive Top Channel
http://video1.top-channel.tv/18754796/exclusive/exclusive10janar2010.flv

Ndihmo
http://www.top-channel.tv/ndihmaime.flv