Mali i Zi dhe Kosova sot vendosën marrëdhënie diplomatike – Video

January 15, 2010   | Shtypi / Mediji

MILAN ROCEN_SKENDER HYSENIQeveria e Malit të Zi njoftoi se ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën.
“Mali i Zi dhe Kosova sot vendosën marrëdhënie diplomatike duke shkëmbyer letrat e ministrave respektivë, Millan Roqen dhe Skënder Hyseni”, transmeton AFP.
Qeveria në Podgoricë tha se marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën janë vendosur në pajtim me vendimin zyrtar të 9 tetorit, 2008 për njohjen e Kosovës.
Në letrën e tij, Roçen ka theksuar se e ndan mendimin e homologut të tij se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës kanë perspektivë të mirë.
Ai ka theksuar se Mali i Zi e vlesëron lartë atë që Hyseni e ka theksuar në letrën e tij se autoritetet e Kosovës kanë mirëkuptim për nevojat e komunitetit malazez në Kosovë.
“Pres që statusi i tyre do të zgjidhet mbi baza të përhershme në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, njëkohësisht me përgatitjet për këmbimin e personelit diplomatike”, ka thënë shefi i diplomacisë malazeze.
Roçen ka theksuar se kjo do t’i kontribuojë mirëbesimit të ndërsjellë dhe respektimit tradicional që kultivojnë dy popujt miq, për interesin e përbashkët, forcimin e stabilitetit rajonal dhe arritjes më të shpejtë të synimeve evropiane dhe evroatlantike.
Letra e ministrit malazez është përgjigje në letrën nga pala kosovare, që u dërgua nga fundi i vitit të kaluar, në të cilën Prishtina kërkon nga Podgorica informatë se kur mund të pritet vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Në vitin 2008, njohja e Kosovës nga Podgorica bëri që Beogradi ta dëbojë ambasadorin malazez, por nëntorin e kaluar, ambasadori i Malit të Zi u kthye në Beograd.
(V.P.)

REL
http://91.187.97.13/video/images/content/Rtv21Video/Emisionet/flash/flash.flv