Shqipëria dhe Mali i Zi, bashkëpunim të ngushtë për integrimin në BE

January 31, 2010   | Rajoni / Region

Majlinda Bregu _Gordana DjuroviçMinistrja Bregu takon homologen e saj malazeze, Djuroviç
Ministrja e Integrimit të Shqipërisë Majlinda Bregu dhe Ministrja e Integrimit të Malit të Zi, Gordana Djuroviç, zhvilluan një takim, me qëllim zbatimin e projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar. Pas konferencës së zhvilluar dje, të Forumit të e 3-të Rajonal të CBI që synon nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit për të rritur cilësinë e programeve ndërkufitare të cilat ndihmojnë në zhvillimin e zonave të ndryshme të vendeve të rajonit, dy ministret theksuan edhe një herë se Shqipëria dhe Mali i Zi janë tërësisht të angazhuara për të pasur një nivel gjithnjë e më të lartë marrëdhëniesh e bashkëpunimi, duke u bazuar jo vetëm në parimin e fqinjësisë së mirë por edhe të parimit të integrimit evropian.
Ministrja Bregu dhe ministrja Djuroviç vlerësuan zhvillimet dhe momentet e mira, thuajse të njëjta, në të cilat ndodhen dy vendet, në rrugën e integrimit, kur ndërsa Mali i Zi e ka dorëzuar pyetësorin Shqipëria është në përmbyllje të tij, si dhe uruan që ky proces të mbyllet sa më parë e sa më suksesshëm për të dy vendet.
Ministrja Bregu theksoi se programet e bashkëpunimit kufitar të cilat çdo vit, që nga viti 2007 i akordojnë Shqipërisë dhe Malit të Zi shumën 1.5 milion euro në vit, i japin mundësi zonave që janë në kufi të dy vendeve për t’u zhvilluar, për të patur komunikime më të ndërsjellta, për të promovuar infrastukturën, turizmin apo dhe iniciativat e tjera mjedisore.
Deri më tani ka përfunduar faza e parë e aplikimeve me Malin e Zi dhe po shkohet drejt përfundimit të fazës së dytë, ndërsa janë drejt mbylljes dhe aplikimet e para me Maqedoninë.
Gjithashtu me Kosovën është hapur programi IPA CBC, fondi për të cilën është parashikuar për 2 vjet, 2010 dhe 2011, të jetë për të dy vendet 1.2 milion euro në vit, e që do të përdoret për të zhvilluar zonat e Veriut të Shqipërisë dhe zonat Perëndimore të Kosovës.
Në fund të konferencës ministrja Bregu dhe ministrja Djuroviç janë shprehur se këto programe bashkëpunimi janë një element shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian sepse tregojnë se ndërgjegjësimi ndërmjet vendeve të rajonit për këto programe është i madh.

Bota Sot