Masakrimi mbi detarët ulqinakë
Detarët shqiptarë, posaçërisht ata të Ulqinit, disa herë qenë tradhëtuar nga Republika e Venedikut – e Shën Markut. Ata ishin shkaktarë që Ulqini dhe detarët e tij hyn në kthetrat e osmanlinjve, të cilët bënë masakër në këtë çerdhe të fortë detare. Detarët shqiptarë Venedikun për këto sjellje dhe dëshmi tradhëtare e quanin – republika e tradhëtarëve.
Në vitin 1475, pra pas vdekjes së Skënderbeut, turqit pushtuan qytetin bregdetar shqiptar Lezhën. Këtu rrethuan edhe dyqind detarë ulqinakë, që i kishin ardhur qytetit në ndihmë për mbrojtjen e tij. I kursyen përkohësisht nga masakrat. Detarë ulqinakë ishin caktuar për t`u flijuar pranë mureve të Rrozafës (në Shkodër), të cilën kala, Sulltan Mehmeti i Dytë, nuk arriti ta pushtojë. I prenë të gjithë, ritualisht, në sy të kështjellarëve, duke u rënë daulleve dhe duke klithur me zë të lemeritshëm për profetin. I flijuan robërit detarë, se donin të tregonin që do t`i shkatërronin shqiptarët jo vetëm në tokë, por edhe në det, sepse detarët shqiptarë ishin bërë pengesë shekullore për kapërcimin e tyre nëpër Adriatik, prej nga dëshironin të pushtojnë Italinë. Ky ishte njëri prej haraçëve në gjak me të parët e turqve, kur ende s`e kishin marrë Ulqinin.
Në këtë dhe në disa raste të tjera, detarët shqiptarë, posaçërisht ata të Ulqinit, disa herë qenë tradhëtuar nga Republika e Venedikut – e Shën Markut. Ata ishin shkaktarë që Ulqini dhe detarët e tij hyn në kthetrat e osmanlinjve, të cilët bënë masakër në këtë çerdhe të fortë detare. Detarët shqiptarë Venedikun për këto sjellje dhe dëshmi tradhëtare e quanin Republika e Tradhëtarëve.
Ekzistojnë disa legjenda nga turbullirat e kohës së tillë. Njëra prej tyre është edhe kjo:
Partitë venedikase ulqinakëve u thanë që ” ju do të mbroni vërsuljen e turqve në Valdanos, Kruç dhe në Kaminë, në drejtim të Tivarit, kurse ne (patën thënë venedikasit) do t”ju mbrojmë nga Buna e Shën Gjini “, prej nga edhe i lëshuan osmanlinjtë që ta okupojnë Ulqinin. Kështu, shqiptarëve iu bë një tradhëti e madhe.

Ardhja e anijeve kusareske në skelet e qyteteve bregdetare shkaktonte interesim të madh. Populli i priste kusarët me admirim. Pjesa dërmuese e qytetarëve tuboheshin nëpër skele (mole) për të shijuar së afërmi bukuritë madhështore të këtyre anijeve, të cilat ishin të dekoruara: me armë të ndryshme të kohës, me drita vizëlluese të fanarëve të tyre special, me paraqitjen e shumë skulpturave të egërsirave, të cilat i kishin ngujuar nëpër direkt dhe holet e shumta të anijeve. Sallonet e tyre kanë qenë të veshur me kadife dhe cohra të bukura, të shtruara me tepiha të shtrenjtë persian dhe me lëkura të regjura të arinjve gjigant. Në çdo dritare përveç shandanëve kanë pasë të vendosur kafaze me papagajë dhe lloj-lloj bilbilash, të cilët me këndimet e tyre, krijonin atmosferë të një parajse të vogël.
Kuzhinat dhe orenditë përgaditore të tyre ishin gjithashtu unikate për kohën. Aty mund të takonte personi edhe pjata dhe lugë të përpunuara nga floriri dhe argjendi. Gjithashtu, edhe dhomat e pushimit dhe të fjetjes kanë qenë të pajisura me shtroja dhe materiale shumë të çmuara. Një dhomë e tyre ishte dedikuar për muze të orendive të vjetra dhe me vlera të pallogaritshme.
Veshjet personale të kusarëve ishin më specifike dhe dalloheshin nga veshjet e kusarëve të tjerë. Detarët dhe kusarët shqiptarë, në anijet e tyre kanë pasur rrobaqepësit e vet, të cilët i kishin përsosur zejet e veta dhe prodhonin stile (yrneqe) të veçanta për detarët e anijeve të tyre. Kapitenët dhe oficerët e tyre posedonin nga disa palë rrobe, të cilat qëndiseshin me lloj-lloj shiritash të arit, posaçërisht ato veshje që përdoreshin për dalje dhe takime, kurse veshjet e punës ishin të zymta dhe me pamjen e tyre paraqitnin vrazhdësi epike. Gjatë sulmeve, kusarët përdornin edhe perçe dhe balluke të zeza, me të cilat, në raste sulmesh, mbyllnin me perçe njërin sy ose venin maska të figurave të egërsirave, pamje kjo që zgjonte panik në radhët e armiqve.
Gjithë kjo bukuri e madhërishme, së bashku me pasurinë përallore të tyre, ka kontribuar që jeta e kusarëve të përjetohet në të gjitha fushat e artit. Kështu, piktorët më të mëdhenj dhe më të njohur botëror i janë rrekur tematikës së kusarëve, qoftë nga fusha e etnografisë së kohës dhe hapësirës së tyre, qoftë nga bota intime e jetës, kanë krijuar vepra të vlefshme dhe të qëndrushme në artin piktural dhe në degën e skulpturës.










