Shqiptarët në Mal të Zi humbin njësinë e tyre zgjedhore – Video

February 9, 2010   | Shtypi / Mediji

Podgoricë: Edhe pse që të gjithë deputetët e partive nacionale parlamentare shqiptare kanë qenë këmbëngulës, që me ligjin e ri zgjedhor, i cili është në periudhën e finalizimit, të definohet njësia e posaçme zgjedhorore shqiptare, nga e cila do të dilnin 5 deputetë, përvojë kjo që aplikohet tash 13 vjet në Malin e Zi, Grupi punues kuvendor nuk e mori parasysh këtë, bën të ditur KosovaLive.
Pikërisht pesë deputetët shqiptarë nga zona e posaçme e tyre zgjedhore, ishin përcaktues që Mali i Zi të shpallet shtet i pavarur dhe sovran dhe të miratojë Kushtetutën e re, që e definon këtë.
“Mali i Zi do të jetë një njësi zgjedhore, pa mandate të garantuara për çka kanë insistuar shqiptarët, dhe në Parlament do të mund të hyjnë komunitetet që e kalojnë cenzusin e karakterit qytetar prej 3 për qind,” thotë bashkërenduesi i Grupit punues parlamentar, Miodrag Vukoviq, duke theksuar se përveç përfaqësuesve shqiptarë, të gjithë anëtarët tjerë ishin unikë për këtë model.
Përfaqësuesi i socialistëve në pushtet, Vukoviq nënvizion se bashkësitë nacionale, të cilat në numrin e përgjithshëm të popullsisë marrin pjesë me mbi 2 për qind, duhet të arrijnë pragun prej 3 për qind.
Sipas tij, këtë model e kanë pranuar të gjitha partitë përveç atyre shqiptare, të cilat kërkojnë përfaqësim autentik sipas ligjit të deritashëm.
Përfaqësuesi i Partisë boshnjake, Kemal Purishiq vlerëson se minoritetet, që në strukturën shtetërore janë më pak se 2 për qind (siç janë kroatët), nuk mund të arrijnë kushtin për t’u përfaqësuar në parlament.
Kështu, pas një debati dyvjeçar shumë të nxehtë politik, merr fund insistimi i shqiptarëve për pesë mandatet nga zona e tyre zgjedhore. Ky propozim i ligjit së shpejti do të miratohet në parlamentin malazias.

Koha Net

Shqiptarët në Mal të Zi humbin njësinë e tyre zgjedhore 2010