Zbulohen disa emra që do të futen te Shtëpia e madhe

February 23, 2010   | Lajmet / Vijesti

femrat_tek_shtepia_madhe“K-Production” në bashkëpunim me “RTV21”, në prill të këtij viti startojnë me një show spektakolar ku personazhe pjesëmarrës janë të gjithë fytyra publike shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Oferta për të qenë pjesë e këtij spektakli u është bërë të gjithë VIP-ave përfshirë këtu këngëtarë, humoristë, aktorë, por disa prej tyre nuk kanë dëshiruar të jenë pjesë e lojës, duke i thënë “jo” ofertës. Ne nuk dëshirojmë të citojmë ata që kanë refuzuar ofertat, por këtë radhë “Panorama plus” vendos të zbulojë disa emra potencial që do të jenë pjesë e spektaklit. Përveç Big Mamës, në lojë do të hyjnë edhe emra të tjerë të njohur të botës shqiptare të spektaklit.

A do ta ndajnë krevatin Nora dhe Roberti, ne “Shtëpinë e madhe”

Hyrja e një prej çifteve më të popullarizuar dhe më të ekspozuar të ekranit, Nora Istrefit dhe Robert Berisha në spektaklin e ri me VIP-a, ka ngjallur interes të madh në opinion. Që të dy akoma nuk kanë vendosur nëse privatësinë e tyre do ta ndajnë me fansat. Ka qenë pikërisht oferta e “K-Production” që çifti të jetë në dilemë nëse duhet ta pranojnë ofertën apo jo. Edhe pse ata tashmë bashkëjetojnë në një apartament në Prishtinë, këngëtarja akoma vazhdon të “mohojë” bashkëjetesën me të fejuarin duke thënë se bashkëjetesa është një lloj martese e cila të çon deri në ndarje. Pasi lançoi klipin “Sekret”, për momentin nuk ka plane në muzikë dhe këto kohë është duke u dhënë fund aranzhimeve nëpër koncerte, pasi së shpejti do të bëhet pjesë e spektaklit duke u mbyllur për një kohë brenda në “Shtëpinë e madhe”. Nuk kemi mundur të mësojmë shifrën me të cilën do të paguhet gjatë qëndrimit, por duke qenë një ndër çiftet më të popullarizuar në Kosovë, sigurisht që pagesa për një ditë qëndrimi do të jetë e lartë. Kanë ngelur gati të vetëm si çift në estradë, sepse dita ditës po shohim ndarje të shumta. Pritet të shihet se a do ta ndajnë së bashku krevatin Nora dhe Roberti?! E kontaktuar prej nesh këngëtarja tregon: “Kam ftesë, të mos them edhe lutje, që të jem pjesë e këtij reality show së bashku me Robertin, por kemi vendosur që të mos jemi të dy, arsyet janë të shumta. Por gjithsesi mendoj që do të jetë interesante për publikun”.

Labinot Gashi “fut” hundët gjithandej

Është moderatori më i njohur në Kosovë. Ai, “RTV21”-in e bëri si shtëpinë e tij duke udhëhequr emisione të shumta në këtë shtëpi televizive. Nga emisionet e mëngjesit e deri në emisionet e fundjavës, programet për Vitin e Ri,  etj, të gjitha kalonin nëpër duart e Labinotit. Si duket edhe këtë radhë ka vendosur t’u bashkangjitet  VIP-ave në këtë spektakël. Me të mësuar emrin e tij, nëpër forume të ndryshme komentohet se Labi dëshiron të fusë hundët gjithandej kur bëhet fjalë për VIP-a. I ka kaluar të 30-tat dhe akoma nuk është i martuar dhe nuk ka deklaruar ndonjë lidhje dashurie. Labi moderon edhe shumë koncerte nëpër diasporë dhe është shumë i angazhuar nëpër spektakle të ndryshme gjithandej ku jetojnë shqiptarët.

Meda behet pjesë e lojës për të rikthyer famën, Stupcat për të rritur shikueshmërinë

Pjesë e këtij spektakli do të jenë edhe këngëtari Mehedin Përgjegjaj-Meda dhe grupi i humoristëve më të famshëm për momentin në Kosovë, “Stupcat”. Këngëtari Meda është martuar para disa viteve, por kohëve të fundit flitej për një ndarje të mundshme nga bashkëshortja Luljeta, e cila jetonte në Suedi dhe më herët kishte qenë fanse e tij. Më vonë doli vetë këngëtari që e përgënjeshtroi këtë thashethem, por qëkur është martuar, ai nuk është parë në ndonjë eveniment me bashkëshorten, ndërkohë që kur ishin të fejuar pozonin edhe nëpër kopertinat e revistave. Por lind pyetja, pse pikërisht kjo hyrje e tij në spektakël? Një kohë Meda ishte shumë i kërkuar nëpër koncerte, emisione dhe intervista. Albumet e tij shiteshin në shifra rekord në Kosovë dhe diasporë. U shpall këngëtari më i paguar. Muzika që kultivonte Meda, ishte kryesisht “tallava” dhe e kopjuar nga serbët dhe bullgarët. Dy vitet e fundit Meda nuk përmendet shumë dhe nuk kërkohet! Ndoshta për këtë shkak ka vendosur të bëhet pjesë e këtij emisioni për të rikthyer famën e dikurshme?! Për sa u përket humoristëve, të tre djemtë e këtij grupi Vedati, Osmani dhe Mensuri janë shumë të pëlqyer në Kosovë dhe diasporë. Janë të paktë ata që bëjnë humor me cilësi për momentin. Pasi janë shumë të popullarizuar, janë zgjedhur pikërisht për të qenë pjesë e spektaklit mbase edhe për të rritur shikueshmërinë e tij.

Albërie Hadërgjonaj dhe Gjyste Vulaj pranojnë sfidën

Oferta të ngjashme kanë pranuar edhe këngëtaret Albërie Hadërgjonaj dhe Gjyste Vulaj. Albëria është nga Kosova por e njohur edhe në Shqipëri, ndërsa kohëve të fundit i mungonte ekranit në Kosovë. Ajo bëri një rikthim me disa këngë të reja, njëra prej tyre kushtuar edhe Ibrahim Rugovës. Është cilësuar si një ndër vokalet më të bukura të estradës shqiptare. Albëria ishte e martuar pastaj e divorcuar e prapë e rimartuar, dhe nënë e dy vajzave të rritura dhe këtë radhë ajo ka vendosur të sfidojë veten me disa kolegë të estradës në këtë spektakël. Njihet si një tip femre shumë e matur në të shprehur dhe në veprime, kështu që brenda në atë shtëpi sigurisht që do presim një show me karakter serioz… Edhe Albëria vendos të rikthejë famën e dikurshme në Kosovë duke u bërë pjesë e kësaj oferte. Ndërkohë që këngëtarja tjetër Gjyste Vulaj bëhet pjesë e këtij spektakli. Lind pyetja pse Gjystja ka vendosur të marri pjesë aty? Është e martuar, nënë e një vajze, e pasur dhe shumë e angazhuar nëpër koncerte, mbrëmje muzikore e dasma. Ndoshta ky do të jetë një relaks për Gjysten pas lodhjes që sjell profesioni i këngëtares. Edhe për këto dy këngëtare nuk është bërë e ditur shuma e honorarit me të cilën do të paguhen.

Big Mama mbushet me energji para hyrjes në spektakël

Qysh kur ka rënë nga pesha atë e gjen gjithandej. Kohën e lirë është duke e shfrytëzuar për të dalë në ajër të pastër me shoqëri. Jeta publike nuk e vë në siklet me kusht që të argëtohet me miqtë e saj. Këtë radhë paparazi ka shkëputur disa foto kur këngëtarja Big Mama ka qenë duke u argëtuar me balonë në një park në qytetin e Shkupit. Edhe pse është nga Tetova, ajo për shkak të punës shpesh gjendet në Shkup. Është pronare e dy butiqeve me fustane në Tetovë dhe Shkup ndërkohë udhëheq edhe një emision argëtues në televizionin Alsat-M. Së fundi këngëtarja ka pranuar ofertën për të qenë pjesë spektaklit “Shtëpia e madhe” në Kosovë. Duke njohur karakterin e saj si një femër pa komplekse, sigurisht që programi do të jetë shumë interesant me paraqitjet, shakatë dhe surprizat e Bigit!

Kosovarët zgjedhin Elvanën

Duke mos dashur që të anashkalohen fytyrat publike nga Shqipëria, organizatorët e këtij programi kanë vendosur që të bëjnë oferta të ngjashme edhe disa këngëtareve nga Shqipëria të cilat për momentin janë shumë të njohura dhe të dashura për publikun në Kosovë. Soni Malaj dhe Elvana Gjata janë dy prej këngëtareve të cilat kanë pranuar oferta nga “K-Production”. Kështu flitet në Prishtinë, por pjesëmarrja e tyre akoma vazhdon të jetë e pasigurtë, pasi të njëjtat burime të “Panorama plus” thonë se që të dy këngëtareve u është bërë oferta, por akoma nuk dihet nëse do të jenë pjesë e lojës. Soni Malaj për momentin është e angazhuar te spektakli “Vallëzim me Yjet” dhe ka gjasa që të mos e pranojë ofertën kurse Elvana duke pasur një lidhje dashurie por edhe shumë angazhime, mund dhe të refuzojë. Për shkak të frikës nga dështimi i emisionit, organizatorët kishin vendosur që t’i bëjnë oferta pikërisht VIP-ave më të dashur për publikun.
YouTube Preview Image