Gazetën,,Koha Javore” duhet ta ndihmojmë të mbijetojë

February 28, 2010   | Lajmet / Vijesti

Moment i rëndësishëm për shqiptarët në Mal të Zi

Gazetën,,Koha Javore” duhet ta ndihmojmë të mbijetojë. Ajo ndihmohet duke e blerë, lexuar e mbi të gjitha duke sensibilizuar opinionin për domosdoshmërinë e  daljes  në mbrojtje të saj.

Para tetë viteve ndodhi një befasi e këndshme për shqiptarët në Malin e Zi. Doli numri i parë i gazetës së vetme informative në gjuhën shqipe ,,Koha Javore”. Kjo e përjavshme me aktualitete, shkencë e kulturë e arsyetoi daljen e vet dhe paraqet një moment shumë të rëndësishëm për ne, shqiptarët në Malin e Zi, duke shërbyer si urë lidhëse, ku fjala e shkruar depërton edhe përtej kufijve me hapësirat e tjera shqiptare.
Përderisa të jetë i vetmi burim informativ në gjuhën shqipe në Malin e Zi, nuk duhet marrë seriozisht qoftë edhe ndonjë mangësi të vogël që mund të ketë kjo gazetë sepse nuk kemi mundësi zgjedhjeje. Në vend që të kërkojnë shtimin e numrit të faqeve të kësaj gazete apo daljen edhe të ndonjë gazete tjetër në gjuhën shqipe, disa me pa të drejtë merren me politikën redaktuese duke mos e lexuar fare gazetën, vetëm çka u thonë të tjerët.
Gazetën,,Koha Javore” duhet ta ndihmojmë të mbijetojë. Ajo ndihmohet duke e blerë, lexuar e mbi të gjitha duke sensibilizuar opinionin për domosdoshmërinë e  daljes  në mbrojtje të saj.
Uroj punë të mbarë redaksisë, duke festuar edhe shumë përvjetorë të tjerë, me shpresë se do të përkushtoheni në ruajtjen e përmbajtjes cilësore dhe begatimin e faqeve me tema të ndryshme, gjithmonë në interes të informimit të drejtë dhe cilësorë të shqiptarëve kudo që janë.
(autori është poet dhe publicist)

Hajredin Kovaçi
Koha Javore

1