Shqiptarët në Mal të Zi të përçarë rreth ligjit mbi pakicat

March 2, 2010   | Politika

Partit politike shqiptare ne mal te ziUlqin, 1 mars – Kryetari i Lidhjes Demokratike dhe deputet i kësaj partie në Kuvendin e Malit të Zi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të tërheq nga procedura Propozimligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave, duke vlerësuar se ministria përkatëse synon ta vërë nën kontroll punën e këshillave nacionale, merr vesh KosovaLive.
Mbi këtë draft të ligjit, Kuvendi i Malit të Zi do të diskutojë të mërkurën.
Bardhi konsideron se Qeveria, duhet të punojë së bashku me përfaqësuesit politikë të pakicave, sidomos, me ata që kanë përfaqësuesit e tyre në parlamentin republikan dhe ata lokal, përfaqësuesit e këshillave nacionale, për të përgatitur ndryshime dhe plotësime të këtij ligji.
Sipas Bardhit, Ministria mbi të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, që drejtohet nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), dëshiron të kontrollojë Këshillin Nacional të Shqiptarëve. Ky, sipas gjasave është edhe qëllimi i këtij ligji, mendon Bardhi. Ai shton se mjetet financiare që ndahen për punën e këshillave nacionale janë të vogla.
“Qeveria e ka aprovuar këtë propozimligj, i cili më shumë është hartuar nga inati dhe mëria e dikujt. Këshillat nacionale posa kanë filluar të veprojnë, ndërsa tash dikush synon që çdo gjë të nis nga fillimi”, nënvizon Bardhi.
Lideri i UDSH, Ferhat Dinosha, ministër aktual për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, që nga themelimi i Këshillit Nacional Shqiptar ka kritikuar Lidhjen Demokratike në Malin e Zi se “ka shkelur ligjin në Kuvendin e elektorëve, duke marrë shumicën absolute në përbërjen e këtij këshilli, duke mos i lënë vend shoqërisë civile”.
Mbi këto baza, ministri Dinosha thotë se duhet bërë ndryshime, sepse partitë politike në këshilla hyjnë sipas automatizmit.

KOHA NET

1