Dinosha: Ne nuk bashkohemi me ata që nuk njohin Malin e Zi e Kosovën

March 13, 2010   | Shtypi / Mediji

Ferhat Dinosha,Lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve,Lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Ferhat Dinosha, ministër aktual i Pakicave në Qeverinë malazeze, të enjten ka kritikuar partitë e tjera parlamentare shqiptare, të cilat bashkëpunojnë me ato që dëshirojnë të revidojnë të kaluarën.
Ai, sipas KosovaLive, mendon se qëndrimi i UDSH, njëkohësisht është edhe mendimi i shqiptarëve në Malin e Zi, sepse këtë e dëshmuan në referendum për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006.
Ferhat Dinosha nënvizon se, për të avancuar pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi, nuk janë partnere partitë opozitare të tipit Lëvizja për ndryshime, Demokracia e Re Serbe, Partia Popullore Socialiste. Ato, ndër të tjera, paralajmërojnë rishikimin e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.
Kohë më parë në një takim të opozitës, kanë marrë pjesë Mehmet Bardhi, kryetar dhe deputet i Lidhjes Demokratike dhe Vasel Sinishtaj, përfaqësues i koalicionit “Perspektiva”, por ftesën e ka refuzuar Forca dhe Alternativa shqiptare.
“Partitë shqiptare që do të hynin në bashkërenditje me ato parti që nuk e pranojnë pavarësinë e Malit të Zi, as pavarësinë e Kosovës, do ta dënonin veten ‘me vdekje politike’. UDSH kaherë është përcaktuar se me kend duhet bashkëpunuar për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi”, thotë Dinosha.
Sipas tij, partitë tjera shqiptare që do të sillen ndryshe, do ta humbin rëndësinë e vet. Ai mendon se pozita e shqiptarëve në Malin e Zi gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit, dukshëm është avancuar.

Koha Ditore

1