Ethet parazgjedhore përfshijnë shqiptarët në Mal të Zi

April 11, 2010   | Rajoni / Region

Vasel SinishtajAtmosfera parazgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 23 maj të këtij viti, ka nisur të hetohet edhe në Malësi. Veprimtarët politik apelojnë për fushatë të qetë, të shmanget retorika e nxehtë dhe e ashpër që ka karakterizuar garat e mëparshme zgjedhore, njofton KosovaLive.
Politikani i njohur shqiptar nga Malësia, Vasel Sinishtaj (nga Iniciativa qytetare) mendon se në këtë ndërlidhje nuk kemi ndryshuar fare që nga viti 1990, mbase as nga viti 1945, sepse edhe më tej hetohet kontinuiteti i mentalitetit i Lidhjes Komuniste.
“Për të ruajtur identitetin e shqiptarëve, do të ishte mirë që të vazhdohet administrata dygjuhësore në këtë zonë. Kemi një shembull të keq, në tabelat e vendbanimeve buzë rrugës ndërkombëtare Podgoricë–Tuz-kufiri me Shqipërinë, nuk të bie në sy asnjë shkronjë në të dy gjuhët”, thotë Sinishtaj. Ai shton se ende ka nevojë për votat e shqiptarëve sikundër kishte më parë, por tash, përmend Sinishtaj nevojën për vendime të rëndësishme të nivelit shtetëror, duke përfshirë këtu referendumin, eventual, të hyrjes në NATO.
Ndërkaq, Agron Berishaj (Lidhja Demokratike në Malin e Zi) shpreson se fushata parazgjedhore do të zhvillohet e qetë dhe në frymën e marrëdhënieve të mira ndërnjerëzore. Ai thekson se në Komunën urbane të Tuzit pushtetin duhet ta vazhdojë ta ushtrojë koalicioni i partive shqiptare, pa marrë parasysh disa mospajtimeve, të cilat konsiderohen gati normale për jetën e sotme parlamentare demokratike.
Njeriu i parë i socialistëve të Gjukanoviqit në Malësi, Halil Dukoviq thotë se nga zgjedhjet e ardhme pret largimin e garniturës së tashme të partive shqiptare në Komunën Urbane të Tuzit.
”Pushtetin duhet ta marrim ne në bashkëqeverisje me socialidemokratët, meqë kemi programe të ngjashme dhe qeverisim në nivelin shtetëror. Pushteti aktual që udhëheq me komunën urbane nuk ka pasur asnjë plan tjetër përveç kërkesës për statusin e komunës së barabartë, të cilën nuk kanë mundur ta realizojnë për shkak të grindjeve përbrenda koalicionit”, shprehet kryesocialisti i Tuzit, Halil Dukoviq.

Koha ditore