Dinosha: Shqiptarët nuk duhet të ikin nga Podgorica – Video

April 12, 2010   | Shoqëria / Društvo

ferhat dinoshaPodgoricë, 12 prill – Podgorica nuk është vend prej të cilit duhet të ikin shqiptarët. Në garën për zgjedhje edhe Podgorica duhet të jetë interes i shqiptarëve. Do ta shohim, nëse procesi aktual do ta kërkonte edhe këtë. Unioni Demokratik i Shqiptarëve /UDSH/ nuk do të qëndrojë anash, ka thënë kryetari i këtij subjekti politik nacional shqiptar, Ferhat Dinosha.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve është partia e vetme shqiptare që merr pjesë në qeverinë malazeze. Dinosha ka shtuar se UDSH ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për të garuar bashkërisht me Partinë Demokratike të Socailistëve /PDS/ në zgjedhjet e 23 majit në Podgoricë, por ai ka theksuar se shpreson që gjërat po shkojnë në atë drejtim. Me siguri ky vendim do të merret javën e ardhshme.
Lideri i UDSH-së ka theksuar ditën e dielë se, “nëse UDSH vendos për koalicion, sheh hapa të mëtejmë në përmirësimin e bashkëpunimit siç është realizimi i buxhetit të Komunës Urbane të Tuzit, si dhe kundrime që të ecet përpara në drejtim të krijimit të logjistikës për avancimin e komunës së plotë”.
Dinosha shprehet po ashtu se nuk e ka ndërmend që të hyjë në garë për Parlamentin e Komunës Urbane të Tuzit për t’iu kundërvënë bllokut opozitar, ka raportuar KosovaLive.
Por, karshi kësaj, zëdhënësi i Partisë Boshnjake, Sulo Mustafiq tha ditën e hënë se jemi duke negocuar me UDSH-në dhe PDS-në për të dalur bashkërisht në zgjedhje për Ulqinin e Tuzin.
Partitë politike shqiptare, me përjashtim të Forcës së Re Demokratike dhe Partisë së Prosperitetit Demokratik, thonë se do të dalin me listat e veta, por pesë të tjerat ende nuk kanë kumtuar asnjë koalicion, por as faktin se do të marrin pjesë në garën elektorale për Kuvendin e Podgoricës, apo mënyrën e pjesëmarrjes në Tuz e Ulqin, me lista të veçanta apo në koalicion.

Koha Net
http://forca.me/images/stories/videos/shqip_1.flv