Shqiptarët në Mal të Zi nuk merren vesh për zgjedhjet e ardhshme lokale

April 20, 2010   | Rajoni / Region

koalicioni-shqiptar-ne-mal-te-zi2Ulqin, 20 prill – Derisa Unioni Demokratik i Shqiptarëve /UDSH/, tashmë është i sigurt se në dy komunat me shumicë shqiptare, Ulqin e Tuz, do të dalë në zgjedhjet lokale të 23 majit me Partinë Demokratike të Socialistëve /PDS/, partitë tjera shqiptare kanë mbetur në një udhëkryq për sa i përket koalicioneve për këto zgjedhje.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve /UDSH/ tashmë dihet se në dy komunat me shumicë shqiptare, Ulqin e Tuz, do të dalë në zgjedhje me Partinë Demokratike të Socialistëve /PDS/. Për të pranuar këtë koalicion UDSH ka kërkuar nga socialistët e Gjukanoviqit përkrahjen për referendumin mbi statusin e Komunës së plotë të Tuzit.
Ndërkaq, partitë tjera shqiptare kanë mbetur në një udhëkryq për sa i përket koalicioneve për këto zgjedhje.
Kryetari i subjekti politik parlamentar, Iniciativës Qytetare të Malësisë, Vasel Sinishtaj deklaroi ditën e martë për KosovaLive se gjatë dy ditëve të ardhshme duhet të përfundohen negociatat me dy simotrat tjera shqiptare, Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, dega në Malësi dhe me Alternativën Shqiptare. Sinishtaj thotë se subjekti i tij dy partive tjera u ka bërë ofertën, sipas tij, më të favorshme.
Ndërkaq, LD në MZ, dega në Malësi, në fundjavën e kaluar u ka dërguar ftesë për koalicion partive shqiptare. Jo zyrtarisht mësojmë se UDSH ka sugjeruar që të bashkohen me të edhe të hyjnë në koalicion me PDS-në.
Socialdemokratët e Ulqinit, përfundimisht janë përcaktuar që të shkojnë vetëm në zgjedhje, duke u shkëputur nga koalicioni “Për Ulqinin evropian” me UDSH-në dhe PDS-në që ka ekzistuar gjatë mandatit të kaluar vendor.
Gjendja më e rënduar e subjekteve politike shqiptare del ajo në Anë të Malit. Dega e LD në MZ, Aleanca e Re dhe Bashkimi Demokratik tash disa ditë radhazi po zhvillojnë negociata, por pa sukses, për një listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 23 majit.
KosovaLive mëson se Aleanca e Re në asnjë mënyrë nuk pranon të përfshihet në këto negociata, por kjo thuhet edhe për Degën e LD në MZ në Ulqin. Kjo pa dyshim ka futur huti të madhe te elektorati shqiptar në komunën e Ulqinit.

Koha Net
http://forca.me/images/stories/videos/shqip_1.flv

1