Dinosha dhe Gjukanoviq nënshkruan marrëveshjen për koalicion në Tuz

April 24, 2010   | Rajoni / Region

Ferhat-Dinosha_Millo-Gjukanoviq_koalicionPodgoricë, 24 prill – Lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviq dhe Ferhat Dinosha, kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), në mbrëmjen e së premtes kumtuan nënshkrimin e marrëveshjen për daljen e përbashkët në zgjedhjet lokale të 23 majit në komunën urbane të Tuzit.
Dinosha më herët ka deklaruar se nuk bën aleancë me subjektet politike shqiptare, por me PDS-në. Kjo është marrëveshja e parë e një koalicioni në Malësi që pretendon marrjen e pushtetit në këtë njësi vendore – nënkomunë e Podgoricës, ka raportuar KosovaLive.
Në PDS thonë se marrëveshja e garës me një listë në Tuz, “është konfirmim i ri i cilësisë së marrëdhënieve të partneritetit të dy partive dhe përkushtimit afatgjatë të realizimit të vizionit demokratik e multietnik të Malit të Zi për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian”.
Marrëveshja, ndër të tjera, “u siguron qytetarëve të Komunës urbane të Tuzit që gjatë mandatit të ardhshëm të deklarohen se a dëshirojnë të jetojnë në komunën urbane apo të pavarur?”
Afati i fundit i dorëzimit të listave zgjedhore mbyllet më 28 të këtij muaji, por tri partitë nacionale shqiptare në Malësi ende nuk kanë arritur të gjejnë koncesus për listën unike për të dalë në zgjedhjet e ardhshme për komunën urbane të Tuzit.

Koha Net

1