Shaban Peraj: Veprimet e pakordinuara

May 1, 2010   | Rajoni / Region

Lideret shqiptar ne mal te ziBisedat për mënyrën e daljes në zgjedhjet lokale janë temë e diskutimeve për shumicën prej atyre që këtë dukuri e kanë përqafuar me seriozitet për të qenë nesër sa më të përgatitur. Nga ajo që shkruhet e dëgjohet duket se do të ketë beteja të ashpëra në mes të subjekteve politike shqiptare këtu në Mal të Zi, dhe kjo nuk është asgjë e re për momentin. Këto beteja kanë qenë edhe në zgjedhjet e kaluara si diçka që i kanë parapri ndarjes së trungut votues të shqiptarëve për të cilën dukuri nuk skuqet askush duke mos zgjedhur forma e veprime, vetëm e vetëm për të arritur një qëllim, atë të dëshmisë se kush është kapo në këto troje. Duke vepruar kështu siç veprojnë politikanët dëshmojnë se nuk janë në frymën e parimeve demokratike, se nuk janë brënda vet vullnetit të popullit. Nga përvoja e zgjedhjeve të mëparshme, po edhe duke parë veprimet e nisura për këto zgjedhje, njeriu nuk ka se si të mos e pyes vetën: a ka këtu mekanizma të disiplinës publike, së paku para zgjedhjeve, a mund të shfaqen rreziqe nga paraqitjet e pakontrolluara të atyre që pretendojnë nesër të marrin pushtetin lokal? Nëse veprohet me forma të pakontrolluara atëherë kjo formë paraqet rrezik për një shoqëri demokratike e cila e ka tepër të vështirë të ekzistojë nëse për këtë nuk homogjenizohen të gjithë faktorët relevant, dhe kjo kërkon angazhim për ata që nuk duan që nesër të jenë përgjegjës, qoftë kjo nga një parti politike apo liderë të cilëve si duket për momentin u mungon vullneti i mirë. Sidoqë të jetë për këtë proces zgjedhor duket se masa ka krijuar njëfarë mosbesimi e apatie ndaj disa subjekteve politike që nuk e dëshmuan vetën në ngritjen e zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor të asaj pjese që përfaqësojnë, ku njerëzit u nginë me premtime boshe të cilat nuk u realizuan përderisa veprohet në mënyrë parciale. Tani për çdokend është e qartë se nëse në fillim të demokracisë u mendua se pati njëfarë kontrate në mes popullit dhe të zgjedhurve, duket se kjo kontratë është prishur për një arsye të thjeshtë, atë të krijimit të mosbesimit të ndërsjellë ku fitohet përshtypja se të zgjedhurit nuk kanë më ndikim te masa dhe kjo krijon ngërç politik për të qenë të pabesueshëm për votuesit. Masës votuese nuk kanë më çfarë t’i thonë, ajo çdo ditë e më shumë po përballet me realitetin dhe thyerjen kontratës me ta, gjë që i kanë vënë në siklet si të gjejnë mënyrën e gënjeshtres po çka se standardi, kushtet e jetesës po binë gjithnjë e më shumë. Për këtë të fundit e kanë gjetur formulën: krizë globale thonë, po fakti është se për ta nuk po hetohet kriza, për ta nuk ka solidarizim me ata të papunë që i la privatizimi i ndërmarrjeve, ndaj është ky një rast i mirë që t’i ndëshkojnë edhepse nuk ka shpresa për ndryshime në renditjen e atyre që nesër pretendojnë të jenë prijës të kësaj sallamadie. Kjo duhet t’i bëjnë qytetarët të vëmendshëm që në zgjedhjet e 23 majit të tentojnë së paku diçka të ndryshojnë. Ky ndryshim tani është më se i nevojshëm nëse duan që me veprimet e tyre të dëshmojnë se e kuptojnë demokracinë si diçka që duhet të jetë pjesë e të gjithëve, jo vetëm e atyre që kërkojnë pushtet. Për këtë duhet të presim zgjedhjet për të parë se cila do të jetë përgjigja e votuesve, por jo vetëm e tyre, gjatë takimit që do të bëjë politika e ndodhur në procese të lodhshme, sidomos nga politikanë që tjetër fytyrë kanë gjatë fushatës e tjetër ofrojnë pasi të mbarojnë zgjedhjet. Mbetet për të dëshiruar a thua do ta mbajnë fjalën, por le të na lejohet të themi se se duke bërë hile bjerrin imazhin e politikës te votuesit. Kjo përballje e pakëndshme me votuesit duhet të ndodhë patjetër, për këtë janë të vetëdijshëm sepse beteja do të jetë publike dhe ajo duhet të shkohet në sy. Tani është fillimi, do të nisë fushata e pastaj pasfushata dhe të presim se cili do të jetë mozaiku i shifrave, megjithëse askush nuk është në gjendje për të dhënë shifra të sakta për dalje në zgjedhje, kush do të dalë më vete, kush me ke në koalicione si dhe si mund të duket ky mozaik pas zgjedhjeve lokale. Deri në momentin përfundimtar kemi të drejtë të besojmë kështu apo ashtu e atëherë të presim rregullat e lojës. Ashtu siç na ka ndodhur ne në të shumtën e rasteve vështirë që këto rregulla të zbatohen, kjo edhe për një arsye më shumë duke iu referuar asaj që ndodhi në pushtetin lokal të Ulqinit, në zgjedhjet e vitit 2006. Edhe atëherë u mendua se puna përfundoi sipas rregullave, por nuk kaloi shumë kohë dhe ata u prishën. Përsëri kjo lë mundësi për të ndodhur edhe pas këtyre zgjedhjeve, gjë që do të ishte vetvrasje për ata që do të përfshihen në këtë lojë. Pra, nëse ka rregulla, atëherë duhet pranuar lojën deri në fund, ndryshe i ke zhgënjyer të gjithë, si ata që fitojnë ashtu edhe ata që humbasin. Megjithatë, jo gjithmonë funksionojnë rregullat e lojës, punët e mira duhet bërë brenda vetës, brenda partive e atëherë të fillohet me zbatimin e rregullave, nëse nuk janë bërë para zgjedhjeve. Ajo që ka rëndësi në këto momente është ndryshimi i kartës politike dhe ky është pluralizmi i vërtet, çka na obligon të gjithëve të hedhim një hap drejt bashkëpunimit e kordinimit të veprimeve tona.

Shaban Peraj
zemrashqiptare

http://forca.me/images/stories/videos/shqip_1.flv