Fjalimi i Nazif Cungut ne hapjen e panairit “Proagro 2010” Ulqin

May 7, 2010   | Shoqëria / Društvo

Nazif Cungut ne panair _Proagro 2010_UlqinTë nderuara Zonja dhe Zotërinj,

Kam nder të ju përshëndes në  panairin e  parë bujqësor Ulqini Pro Agro 2010 dhe të uroj mirëseardhjen për të gjithë  të pranishmit. Dëshiroj të shpreh befasinë dhe kënaqësinë  time të madhe për faktin që edhe pse ky panair zhvillohet për herë të parë pjesëmarrja është kaq e madhe dhe cilësore .

Përfitoj nga rasti për të përshëndetur një mysafir të veçantë, ministrin e bujqësisë, zotin Milutin Simovic i cili na ka nderuar me vëmendjen e tij

Ky panair synon që të nxisë zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në Anën e Malit dhe rrethinat e Ulqinit pasi deri më tani këto sektorë të rëndësishëm të ekonomisë janë lënë pas dore.  Në këtë mënyrë do të luftohet varfëria, zvogëlohet papunësia dhe ndalet emigracioni masiv që ka prekur komunën tonë.

Gjithashtu, ne e kemi organizuar panairin Ulqini Pro Agro 2010 me qëllim që të  vendosim viset tona, Anën e Malit, rrethinat e Ulqinit dhe Krajën, në qendër të vëmendjes së  qeverisë, investitorëve, donatorëve dhe mediave. Prania e kaq shumë pjesëmarrësve dhe e vetë ministrit të bujqësisë, zotit Simovic, dëshmon që ky panair po luan më së miri rolin e vetë.  Ne shpresojmë që ky panair të shërbejë si një fillim i mbarë për të ringjallur bujqësinë dhe blegtorinë.  Prandaj ne synojmë që këtë panair ta bëjmë një traditë dhe që me kalimin e viteve  të mbledhë gjithnjë e më shumë ekspozues, kumtesa dhe vizitorë,.

Në këtë  panair gjenden të ekspozuara prodhime nga fermerë të  komunës si dhe prodhime bujqësore,  insekticide, pesticide, plehra kimik dhe të tjera produkte që shërbejnë në bujqësi. Gjithashtu pjesëmarrës në panair janë edhe qeveritarë, donatorë, investitorë apo përfaqësues të organizatave joqeveritare që lidhen me këtë lami.  Pra panairi mbledh të gjithë faktorët që kanë interes në fushën e bujqësisë dhe që fal këtij aktiviteti mund të njihen me njeri tjetrin, të shkëmbejnë përvoja, të mësojnë për mundësi të reja si dhe të lidhin mes njeri tjetrit bashkëpunime të frytshme për të ardhmen.

Përveç ekspozimit, ne në panair kemi parashikuar edhe disa takime  për të prezantuar e diskutuar lidhur me të ardhmen e bujqësisë në Komunën e Ulqinit dhe në mbarë Malin e  Zi dhe ftojmë gjithë të interesuarit që të shfrytëzojnë këto aktivitete të panairit dhe të marrin pjesë në mënyre aktive në to.. Konkretisht është parashikuar që të organizohet një tryeze e rrumbullakët që do të trajtojë mundësitë e bashkëpunimit midis turizmit dhe bujqësisë, një prezantim i buxhetit të dedikuar për bujqësinë në vitin 2010,  një kumtesë mbi përdorimin e pesticideve dhe herbicideve, një për burimet bujqësore në Komunën e Ulqinit, një kumtesë për mbrojtjen e integruar të ullirit si dhe një prezantim i kompanive të sigurimit dhe atyre bankare. Programi do të mbyllet në fund me ndarjen e çmimeve për ekspozuesit më të mirë.

Në mbylle të  fjalës sime dëshiroj të shpreh falënderimet më të  përzemërta për partnerët e këtij aktiviteti , Ultepin,Z-ni Radomir Stojanoviq dhe Shoqatën e Ullishtarëve, Z-ni Xhaudet Cakulin. Dua të shpreh gjithashtu mirënjohjen edhe për stafin teknik, dhe të gjithë ata individë që kanë kontribuar në mundësimin e këtij aktiviteti.

Duke ju falënderuar për vëmendjen që më kushtuat tani dëshiroj ti lë  radhën folësve të tjerë,  dy të ftuarve tanë, sekretarit të Komunës së Ulqinit për Ekonomi – zotit Vaso Radovic, si dhe  Ministrit të Bujqësisë -zotit. Milutin Simoviç

Në emër të  organizatorëve, ju uroj të kaloni një kohë sa më  të këndshme dhe të dobishme në panair! Mirupafshim ne aktivitetet e ardhshme të Pro Agros.

Pro Agro Ulcinj

1