“Vdekja e një mbretëreshe” në Kalanë e Shasit

May 15, 2010   | Kulturë / Kultura

Pranvera në Anë të Malit 2010_1Prishtinë, 14 maj – Kalaja e qytetit të lashtë të Shasit, afro 30 kilometra larg Ulqinit, do të jetë nikoqire e monodramës “Vdekja e një mbretëreshe”, me tekst të akademik Rexhep Qosjes dhe regji të Muharrem Sylejmanit. Shfaqja, produksion i Teatrit profesionist të Gjilanit, do të jepet sonte (e premte) në kuadër të manifestimit tradicional “Pranvera në Anë të Malit”, i cili organizohet nga shoqata “Ora”, që nga viti 2004. Edicioni i sivjetmë i “Pranvera…”, për tri ditë rresht sjell në një sërë aktivitetesh kulturore e sportive. Ekspozita e fotografive në kuadër të ciklit “Ana e Malit në vite” është aktiviteti që hap këtë manifestim. Megjithëse ka katër vjet që aktorja Mejreme Berisha luan këtë shfaqje, dalja e saj para një publiku krejtësisht të ri, në këtë rast në Shas të Ulqinit, është emocion i barabartë me atë të ditës së parë kur kjo shfaqje është vënë në skenë.
“Para secilës shfaqje emocionet janë të pranishme te aktori”, ka thënë Berisha, e cila tash katër vjet jetëson rrëfimin e Mbretëreshës. Ajo beson se në Ulqin do të përjetojë emocione të veçanta.
“Shfaqja do të jepet në një ambient të hapur dhe kjo aktorit i jep përgjegjësi më të madhe”, ka thënë Berisha. Me gjithë që teksti i kësaj drame asaj i është bërë pjesë e përditshmërisë, ajo ka bërë prova intensive para nisjes për në Ulqin.
“Ndihem shumë e gatshme të dal para publikut në Shas”, është shprehur Berisha, e cila nuk dyshon se këta të fundit do ta presin mirë shfaqjen.
Bindje të njëjtë ka edhe regjisori i kësaj shfaqjeje Muharrem Sylejmani, teksa ka thënë se “po shkojmë në një manifestim tradicional që është shumë i respektueshëm”.
“Megjithëse është hera e parë që ne shkojmë në këtë manifestim presim të kalojmë mirë atje”, është shprehur Sylejmani.
‘Vdekja e një mbretëreshe’ është tekst për mitin e mbretëreshës ilire – Teutën. “Teuta si figurë e mitizuar u bë paradigmë e adhurimit nga pasardhësit dhe asaj iu veshën të gjitha atributet të cilat e cilësojnë përsosmërinë, bukurinë dhe heroizmin”, ka thënë Teuta e monodramës, Mejreme Berisha. “Qosja duke shkruar këtë monodramë deshi që prej saj të rrezatojnë shumë kuptime që nga pozita e saj si nënë, grua e mbretëreshë, si dhe të krijojë një dramë të fuqishme të personalitetit”, ka shtuar ajo.

Koha Net
YouTube Preview Image