Ulqini, nikoqir i simpoziumit rajonal të arteve pamore

May 17, 2010   | Kulturë / Kultura

vahida hasanagic_nimanbegu.2Ulqin, 17 maj – Në Kala të Ulqinit, në organizim të asociacionit joqeveritar “Art Dulcinium”, po mbahet simpozium rajonal i arteve pamore, me moton “Art ynë dhe arti i vendeve tona fqinje”, ku po marrin pjesë artistë nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Kroacia dhe Serbia.
Projekti është përkrahur nga Fondi i pakicave të Malit të Zi, ndërsa piktorja akademike, Vahida Nimanbegu, kryetare e OJQ “Art Dulcinium” tha ditën e hënë për KosovaLive se ky simpozium ka një rëndësi të madhe për shoqërinë tonë në përgjithësi, por sidomos për Malin e Zi.
“Nëpërmjet këtij projekti, promovohet kultura e popujve etnikë, por edhe arti i shteteve të tyre amë. Nëpërmjet veprave të tyre promovojnë Malin e Zi në shtetet prej nga arrijnë ata të vendeve fqinje. Pikërisht, promovimi i kulturave bëhet nëpërmjet programeve të mira dhe cilësore”, thekson Vahida, duke potencuar që një zhvillim i kësaj natyre të bëhet tradicional, pasi kjo përvojë do të jetë e mirë, madje edhe krenari për breznitë e reja.
Në këtë performancë kulturore që zgjatë deri më 20 maj, pjesëmarrësit e simpoziumit do të hapin ekspozitë në Pallatin e Venedikut në Kala të Ulqinit me punimet e tyre të realizuara në Ulqin.

Koha Net


YouTube Preview Image