Konferenca për shtyp e “Koalicionit për Malësinë”

May 19, 2010   | Rajoni / Region

LDnëMZ-BDSH-vizion i ri me vlera të dëshmuara

Prononcimi i Nikollë Camaj, kryetar i Lidhjes Demokratike-Dega e Malësisë

Të nderuar qytetarë e qytetare të Malësisë,

Siç e dini, grupi politik i cili, për afër 4 vite, mbante shumicën në Kuvendin e Komunës urbane të Tuzit, del i bashkuar edhe në këto zgjedhje lokale. Del i bashkuar se i bashkon një qëllim i vetëm; qëllimi që Malësia të ketë vetëqeverisje të plotë, qëllimi që malësorët të jenë zot në shtëpi të vet.

Lidhja demokratike, me forma të ndryshme të veprimit, tash njëzet vjet, Malësinë e ka në krye të agjendës së vetë, e në veçanti, çështjen e cila paraqet kulmin e të gjitha halleve të malësorëve, e ajo është komuna e plotë.

Andaj as kësaj radhe nuk kemi pas se si që të mos rreshtohemi me ata të cilët gjithashtu Komunën e kanë prioritet të vetë, duke e ditur se koalicionet kanë forcë e fuqi që t’i bashkojnë edhe ata që ndodhë të kenë edhe divergjenca.

Iu bashkuam bllokut për komunë të plotë edhe nga fakti se ne, si subjekti i parë politik shqiptar, i pluralizmit në Mal të Zi, i cili rreth vetes dhe orientimit të vet programor, ka bashkuar qëndresën malësore dhe identitetin tonë, vlerësuam nuk guxojmë që të ardhmen e fëmijëve tanë ta lidhim me disponimin politik të atyre që, para zgjedhjeve, gojën e kanë plotë premtime.

Rivalët tonë, vërtet po premtojnë këto ditë, sikur nuk e kanë pasur rastin, mundësin dhe shansin që, të gjitha ato, t’i realizojnë edhe më parë. A nuk ishin ata pushtet, në të gjitha nivelet e Malit të Zi.  E se sa kanë bëre, më se miri e shihni ju vetë. Ata, e kanë gojën plotë për të bërat, por fare mirë dihet se investimet në Malësi nuk janë as për afër asaj, sa do të duhej, sa ishte nevoja, sa pritej, sa premtohej, apo sa janë të ardhurat nga kjo trevë.

Të bindur se edhe ju vet jeni lodhur nga fushatat e një pas njëshme, nga premtimet iluzore dhe të pabaza, që vijnë nga ata të cilët po premtojnë jetën në Malësi, ku do hahet me lug ari, ne nuk premtojmë as, ujë as ura, as pushimore as rrugë, as ndriçim, as trotuare, as çerdhe…

Më në fund, këto me Komunë urbane nuk bëhen. Këtë e dijnë edhe ata që i premtojnë. Komuna urbane, nuk i ka kompetencat e duhura që të plotësoj nevojat tuaja në vetëqeverisje lokale. Këtë e kemi dëshmuar në çdo hap tonin, i kemi treguar çdo kujt që na ka pyetur, kemi apeluar tek ata që vendosin, dhe në fund është argumentuar se ajo, nuk krijon mirëqenie dhe se  nuk ka asnjë predispozitë që duhet ta ketë komuna.

Këtë që po e them, e vërteton fakti se edhe opozita jonë, sot po na treguaka atë që ne kemi thënë para katër vitesh, se kjo lloj zgjidhjet nuk funksionon. Pse do të paralajmëronin referendum për komunë të plot, sikur komuna urbane të ishte zgjidhje më e mirë?

Prandaj, të vetëdishëm se pa ndrrim të statusit, premtimet në infrastrukturë janë vetëm tentativë manipulimi, ne mund të ju premtojmë vetëm atë që mund ta bëjmë, e ajo është; përfaqësim dinjitoz dhe angazhim, me gjithë forcën që kemi, për Komunë të plotë, si parakusht i çdo zhvillimi.

Me komunë të plotë, Malësisë i mundësohet zhvillimi i qëndrueshëm, i pengohet asimilimi i mëtutjeshëm, i ndalohet shpërngulja, i ruhet identiteti, i hapen mundësit për investime të huaja, i krijohen kushte për zhvillimin e gjithanshëm në infrastrukturë, sport, kulturë, shëndetësi, arsim etj. Me komunë të plot Malësia fiton zërin e vetë, e ngrit dinjitetin, i kthehet vetvetes dhe behet gjithnjë e më autonome.

Prandaj ju ftoj që të dëgjoni ndërgjegjen tuaj, të përkrahni “Koalicionin për Malësinë”, ata që nuk i turpërohen emrit të Malësisë, të kaluarës së sajë, që jetojnë në të dhe, jetën e vetë dhe të fëmijëve të vet, e kanë lidhur për sajë.

Ju ftoj që të përkrahni “Koalicionin për Malësisnë”, sepse ne nuk turpërohemi që me 6 prill të ngjitemi Bratilës e Deçiqit, ne nuk e kemi për zor të themi se jemi të gjakut të Ded Gjo Lulit, ne e kemi për krenari të themi se jemi malësorë, ne jemi kokëlartë sepse kemi nxitur me shekuj bashkëjetesën.
Ne s’kemi nevojë që dikush të na mësoj se shqiptaret qenkan vëllezër, qofshin ata katolikë apo myslimanë. Ne këtë e kemi dëshmuar.

Qytetarë të nderuar,
Pra, para jush gjinden dy opsione për të zgjedhur:
Njëri që çon drejt ruajtjes së trashëgimisë sonë, drejt ruajtjes së identitetit tonë, drejt krijimit të kushteve për progres e zhvillim, por edhe për integrime me identitet të plotë, e tjetri çon drejt një Malësie të përkulur, të kontrolluar, drejt një Malësie-ekspoziturë të Qeverisë së Malit të Zi.

E Malësia nuk është as nuk mund të jetë ekspoziturë e askujt. Ajo është një çerdhe krenare, banorët e të së cilës kanë dijë t’i dalin zot vetes në çdo kohë. Besojmë se do të dinë t’i dalin zot edhe me 23 maj, duke votuar ata që Malësisë i sigurojnë qëndrim burrëror ndër sofra ku flitet për të, vizion e qartësi ndër takime ku vendoset për të ardhmen e sajë, por edhe përfaqësim dinjitoz e kryelartë në parlamente, ku ruhet krenaria jonë!
Në fletën zgjedhore për Tuzin, “Koalicioni për Malësinë është me numrin 3, numër ky i njëjtë me atë të 2006-ës. Sikur edhe vet Zoti ka dashtë që ta dëshmojë se, atë që e patëm filluar, duhet ta vazhdojmë.

Në fletën e Podgoricës, kemi numrin 1, numër që Malësisë i jep vendin që i takon, në logun e kuvendit! Vend që ne premtojmë se do ta mbrojmë me dinjitet.

Në Tuz, më 14. 05. 2010
Nikollë Camaj


YouTube Preview Image

2