Në Mal të Zi,shqiptarët të përçarë në prag të zgjedhjeve

May 20, 2010   | Reportazh / Reportaža

Shqiptarët të përçarë në prag të zgjedhjeve në Mal të Zi
Ulqin, 20 maj – Sa herë zhvillohen fushata për zgjedhje në Malin e Zi udhëheqës të partive politike të shqiptarëve vazhdimisht theksojnë nevojën që shqiptarët duhet të jenë të bashkuar, e jo të përçarë në kaq shumë parti e koalicione edhe me partitë e tjera, por asnjëherë nuk janë të kënaqur me rezultatin e këtij propagandimi pro bashkimit të shqiptarëve.
“Shqiptarët duhet të jenë të bashkuar, e jo kështu të përçarë në kaq shumë parti. Ne, të gjitha simotrave u dërguam një iniciativë që të dalim bashkërisht në zgjedhje, por nuk arriti asnjë përgjigje. Në këtë gjendje, u formua Koalicioni Lidhja Demokratike – Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve për të përfaqësuar e mbrojtur interesat kombëtare shqiptare”, tha ditën e enjete për KosovaLive kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi /LD në MZ/, Mehmet Bardhi.
“Pushteti i instaluar në Ulqin bën veprime të pakontrolluara për interesat e veta. Ulqini duhet të vendos vetë për fatin e tij, e jo kryetari i komunës të jetë hije e Podgoricës”, mendon Bardhi.
Ai shton se ky koalicion kërkon rishqyrtimin e privatizimit të ndërmarrjeve ekonomike dhe turistike të Ulqinit, sepse “forma e privatizimit të ekonomisë së kësaj komune i ka të gjitha karakteristikat okupuese. Qeverisja vendore e Ulqinit është shndërruar në një grup militantësh, të cilët do të kenë probleme shumë të mëdha për të arsyetuar sundimin e tyre”, thekson Bardhi.
Ne, shton ai, kërkojmë decentralizim të pushtetit, meqë ndryshe Ulqini nuk mund të ketë një jetë normale zhvillimi.
Në këtë frymë, Ali Doda, kryetar i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, potencon se përçarja e elektoratit shqiptar shkon në favor të koalicionit në pushtet. Sipas tij, në Ulqin votat po blihen, sepse po bëhen investime selektive. Këtu po krijohet një “kastë feudo elektorale”, konsideron Doda.
Ndërkaq, Hajrullah Hajdari, funksionar i lartë i LD në MZ, kandidat për këshilltar, thotë se ne jemi koalicioni i identitetit tonë kombëtar edhe i zhvillimit ekonomik.
“Që në vitin 1995, atëherë kur LD në MZ ushtronte pushtetin në Ulqin, miratuam Statutin e Komunës, ku gjuha shqipe kishte një status dinjitoz, por me Statutin aktual, të cilin e ka miratuar dy vjet më parë Koalicioni “Për Ulqinin evropian”, gjuha e popullatës shumicë absolute, autoktone, pra ajo shqipe, është në gjendje të mjerueshme”, nënvizon Hajdari.
Ai shton se në vitin 2005, Kuvendi i atëhershëm vendor, miratoi vendimin mbi emërtimin e rrugëve dhe shesheve të Ulqinit, por me kërkesën e një partie proserbe, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi e rrezoi atë. Garnitura udhëheqëse e Ulqinit, e cila gjatë mandatit, tashmë të kaluar 4 vjeçar, nuk pati guxim të inicojë përmirësimin e një gjoja gabimi juridik. Edhe kjo flet se sa është i interesuar Koalicioni “Për Ulqinin evropian” për realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

Koha Net

1