Ulqin: Botohet në shqip libri ”Bien yjet”

May 31, 2010   | Kulturë / Kultura

SRETEN ASANOVI? - ZVIJEZDE PADAJUUlqin, 31 maj – Njeri ndër autorët më të spikatur të tregimit të shkurtër bashkëkohor malazias, Sreten Asanoviq, lexuesit shqiptar i prezantohet me një vepër të re të titulluar “Yjet bien- tregime të shkurtëra”, të përkthyer në gjuhën shqipe nga shkrimtari për fëmijë, Hajro Ulqinaku. Libri botohet nga Asociacioni “Ulqini & Plima”, që edhe më herët këto dy firma kanë botuar vepra nga letërsi malazeze në atë shqipe.
Ky është libri i dytë në gjuhën shqipe i tregimtarit malazias, Asanoviq. Në vitin 1975, Shtëpia botuese “Rilindja” e Prishtinës, atij i botoi përmbledhjen, po ashtu me tregime “Vdekja e bukur”, të përkthyer në gjuhën shqipe nga Esad Mekuli.
Libri “Yjet bien” për herë të parë është botuar në Zagreb nga Bashkësia Kombëtare Malazeze në Kroaci së bashku me shtëpinë botuese “Plima” nga Ulqini. Në këtë përmbledhje, përfshihen 30 tregime dhe novela të shkurtëra, të cilat datojnë që nga viti 1956 e deri në ditët e sotme. Asanoviq kështu konfirmohet si emri më i shquar i tregimit modern të letërsisë malazeze, shprehet redaktori i librit Jovan Nikolaidis, pronar i Shtëpisë botuese “Plima”.
Sreten Asanoviq, deri në fillim të viteve 1985 të shekullit të kaluar, ka qenë kryeredaktor shumëvjeçar i të përmuajshmes së njohur letrare “Stvaranje”, që botohej në kryeqytetin e Malit të Zi, në faqet e së cilës janë prezantuar edhe autorët më të njohur shqiptarë të shekullit të kaluar në hapësirat e ish-shtetit jugosllav. Më vonë “Stvaranje” u mor në duar nga njerëz të tjerë, ku nuk bien në sy më as autorë malazias, e lëre më shqiptarë.

Koha Net