Letër e hapur kryetarëve të partive politike shqiptare në Mal të Zi

June 5, 2010   | Politika

Populli kerkon rezultate nga politikanetShaban Peraj: Populli kërkon rezultate
Se si më sillen vërdallë në kokë vitet e para të pluralizmit, tentativat për një jetë më të mirë, angazhimi për përgjegjësi, maturi e tolerancë që ishte për çdo lakmi në ato vite. Po, papë sot më sillen në kokë përçarjet, mostoleranca, acarimet, gjë që e bën të papërfillshëm kërkesën tonë për të kërkuar unitet, demokraci, apo realizimin e besimit të marrë nga populli pas zgjedhjeve të fundit.

Kaluam 20 vjet në pluralizëm, të gjithë ishim të bindur se pozita jonë nën drejtimin e liderëve të subjekteve politike shqiptare këtu në Mal të Zi sadopak do të pëmirësohet.

Qysh në themelim të subjektit të parë politik (Lidhja Demokratike në Mal të Zi) u mendua se do të mbrohen interesat e shqiptarëve në Mal të Zi, atëherë u mendua se kjo është një formë e përkryer për të bashkuar shqiptarët në këto troje, dhe çfarë ndodhi, ajo nuk arriti të përcjellë zërin e komunitetit të ktueshëm, përkundrazi devijoj  duke krijuar pakënaqësi të mëdha dhe lejoj që nga gjiri i saj të dalin edhe shumë subjekte të reja, për të cilët nuk patëm nevojë dhe nuk di kush më se cila është më pak apo më shumë shqiptare. Atëherë shqiptarët u grumbulluan në këto hapësira pa kursyer mund, pa kursyer xhepin e dhanë çdo gjë prej vetës për të qenë të barabartë me të tjerët. Me themelimin e partive të reja dështoi përcjellja e zërit të masës, dështuan tentativat për një jetë më të mirë dhe kështu vazhdon të fryej një erë e rëndë si më parë.

Zotërinjë të nderuar do t’u kisha kërkuar të shpjegoni çfarë duhet tu ndodh shqiptarëve në Mal të Zi që ju të pranoni pasojat që u keni sjellur, dhe këtë për faktin se ju nuk jeni në gjendje të pranoni njëri-tjetrin, nuk jeni në gjendje të caktoni një takim të përbashkët prej nga do t’na bindëni se vërtet e keni marrë seriozisht misionin tuaj. Ferhat Dinosha, Nazif Cungu, Mehmet Bardhi e Ali Doda, tashmë ka ardhur koha të pranoni se kështu siç po veproni ju nuk mund të avancohen të drejtat dhe kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi. Mashtroni vetën, po edhe masën nëse mendoni se njëri nga ju është më i madh se tjetri. Nëse kështu mendoni, atëherë kjo është irituese për këtë popull të shumëvuajtur. Duke vepruar kështu siç po veproni thelloni edhe më tepër ndarjen mes shqiptarëve, ndaj sa nuk është vonë reflektoni për situatën e krijuar, dhe këtë ta bëni për të mirën e atyre që u votuan, për të mirën e kësaj rinie që endet poshtë e lartë pa punë, për të mirën e nxënësve që nuk kanë tekste shkollore, të atyre bujqëve që nuk kanë treg  për të plasuar prodhimet e veta. Pra, keni për çka të bisedoni, keni për çka të konsultoheni nëse keni vullnetin e mirë  dhe mos tentoni të eliminoni individë që nuk shkojnë “në rrugën tuaj”.

Tashmë më ka kaluar në shprehi thënia: bisedoni, diskutoni, merruni vesh njëri me tjetrin, kërkoni kompromis nëse nuk doni të mbeteni në histori si persona negativ të politikës shqiptare. Mënyra për të zgjidhur ngërçin politik është e njohur, atë duhet ta shfytëzoni një orë e më parë, edhepse e di  se lufta është brenda jush për të paraqitur njëri-tjetrin në një nivel më të ulët apo më superior. Zgjidhja duhet të bëhet me kompromis, rrugëdalje tjetër nuk ka në këto momente. Problemet janë të shumta, dhe nëse ju i shihni të zgjidhur problemin e gjuhës, të simboleve kombëtare, të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, të arsimit e kulturës e shumë çështje të tjera, atëherë aferim u qoftë, paçi uratën e ndihmen e Zotit, ndryshe nuk di çfarë tu uroj. Jam i bindur se edhe ju vet e keni të qartë se keni bërë lëshime mjaft, se keni humbur kohë dhe momenti është të hedhni në tavolinë statusin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe ta thoni troç të vërtetën, sado e hidhur qoftë ajo. Këtë ua kërkoj sepse duam të jemi të qetë në shiprtin tonë ne të tjerët që nuk jemi dakord me ju, për të mos lejuar hapësirë  për retorikë, fjalë e premtime që edhe ju e dini se kështu nuk zbatohen kurrë.

Besoj se duhet të pajtoheni me mua nëse them se subjektet politike shqiptare po ndihmojnë humbjen e dinjitetit të shqiptarëve këtu në Mal të Zi, po ndikojnë në humbjen e vlerave të popullit. Për këtë jam i bindur dhe dua të besojë se jeni koshientë për ate që ndodhi me rastin e zgjedhjeve lokale, sidomos në Anë të Malit, e ndoshta edhe në trevat tjera shqiptare! Kësaj dukurie i keni ndihmuar edhe ju, kush më pak e kush më shumë, dhe kjo më bën të konstatojë se politika e udhëhequr në këtë mënyrë nuk ka zgjidhje, por vetëm mashtrim. Të gjithë ju mobilizuat persona për të zgjedhur se kush mashtron më bukur. Ata përfunduan duke zëvendësuar kërkeat e shqiptarëve me interesa të personave apo grupeve dhe kjo nuk na çon gjëkundi. Ju keni instaluar në partitë tuaja persona karrieristë që nuk e njohin profesionin për të cilin janë shkolluar, që nuk zbatojnë normat demokratike, ndaj u mbetet ju detyrë që të angazhoheni për një bashkëpunim më të madh, për një unitet e tolerancë, së pari në mes shqiptarëve e pastaj edhe me popujt tjerë në Mal të Zi. Nëse ju nuk bini pre e interesave personale, por dënoni dukuritë negative, atëherë më shpejtë do të realizohen interesat tona. Këtë propozim të dhënë merreni si të doni, por mos lejoni e mos ngulni këmbë që planet tuaja t’ia impononi masës me forcë sepse atëherë shkelni rëndë parimet demokratike. Harroni përçarjet e përcaktohuni për zgjidhjen e problemeve për të arritur një të ardhme më të mirë për të gjithë, ndryshe duam, s’duam, me vetëdije apo pa te, jeni përgjegjës për atë që mund të ndodhë në këto anë.

Shaban Peraj

@ Zemrashqiptare

2