Rovena Dilo: Martesa, destinacioni i enderruar

June 5, 2010   | Lajmet / Vijesti

Rovena DiloËshtë dashuria që e kalon kohën dhe hapësirën. Ndaj “fundi i botës” në një tekst kënge për disa mund të tingëllojë ekstreme, po për këngëtaren Rovena Dilo është përbetimi më i ndjerë nëse në këtë jetë dashuron me shpirt. I ka shkruar vetë vargjet e këngës “Përtej kohës” që i dedikohen asaj ndjenje që shëtit si frymë mes njerëzve. Edhe pse ka konkurruar në Festivalin e Këngës në RTSH, Rovena tregon se destinacioni i këngës ishte për të realizuar klip të veçantë me muzikën lirike të Endri Sinës. Në këtë intervistë filozofike për “Panorama Plus” këngëtarja flet për dashurinë, romantikën dhe martesën.
“Përtej kohës” është klipi juaj i ri ku i këndohet misterit të dashurisë. Shohim që dominon ngjyra e bardhë, nuk është e kuqja ngjyra që ju perceptoni këtë ndjenjë?
Kjo dashuri e klipit dhe vargjeve të këngës “Përtej kohës” që këto ditë ka nisur të transmetohet në “Supersonic Tv” është më e bardhë se e bardha, ndoshta eterike, e pangjyrë, pra diçka që duhet ta perceptosh si frymë dhe jo ta shohësh. Në kohët që jetojmë jemi të ngujuar në botën materiale, por duhet të kujtojmë se dashuria është fryma jonë. Kur një njeri dashuron ai bëhet më i mirë se kurrë, është më i gatshmëm, më i plotë, më i dashur se kurrë, sepse dashuria ka aftësinë t’i kalojë ca gjëra të rëndomta. Dashuria është si shpirti, është si fryma, është ndjenja që na lidh me atë botën që nuk e dimë nëse ekziston. Dhe kënga “Përtej kohës” është e tillë se kjo dashuri mund të na marrë dhe të më çojë diku në realitete që nuk i dimë nëse ekziston ose jo.
Duket sikur në të gjitha klipet ju pëlqen të luani me hapësirën. Edhe në këtë klip shfaqeni në një urë gjigande. Pse?
Unë nuk i kërkova regjisorit të dukem bukur. Kisha një ide të qartë që në klip të kishte një urë gjigande, dhe regjisori Aleksandër ishte shumë dakord. Klipi është xhiruar në Urën e Zogut mbi lumin Mat, që Aleksandër e gjeti pas një kërkimi të urave të Shqipërisë. Na u duk si një dhuratë nga Zoti pasi kërkoja ambient sa më arkitekuror dhe gjeometrik. Doja urën si konceptin universal që të çon nga një realitet në tjetrin, nga një botë në tjetrën, dhe ecjen mbi të që nuk arrin askund…
Në çfarë moshe është Rovena në klip, dhe në çfarë kohësh jetohet aty?
Rovena është në moshën reale, ndërsa për kohën jam përpjekur të sjell një film pa kohë. Filozofia brenda klipit është se çfarë ka përtej kësaj kohe dhe hapësire, a është dashuria andej, dhe ç’do të bënim ne pa dashurinë?! Mendoj se kjo ndjenjë është e përjetshme, dhe kur nuk e kemi e kërkojmë.
Ju duket se filozofoni si tepër në këngët tuaja, apo jo?
Jo. Kënga « Përtej kohës » ka një tekst shumë të thjeshtë. “Me ty në fund të botës do të vija dhe sikur ta dija se nuk do të kishte kthim…”. Për dikë kjo frazë mund të tingëllojë ekstreme, por unë e përdora se jam e bindur që një njeri kur do dikë e thotë gjithmonë këtë brenda vetes.
Në kohët që jetojmë a ekziston kjo dashuri për të cilën po flisni?
Mendoj jo. Sot dashuria është bërë konsum, diçka ordinere, e zakonshme. Nuk është se s’ka njerëz që i kap thellë dashuria dhe sot, përndryshe nuk do dëgjonim njerëz që vetëvriten, vrasin, dashurojnë deri në fund, ikin larg për njeriun që duan… Por kam përshtypjen se njerëzit janë bërë më cool, janë robotizuar nga teknologjia the se dashuria e ka humbur romancën. Por njeriu prapë kur dashuron sado “cool” qoftë prapë bëhet romantik.
Ju jeni natyrë romantike?
Po, shumë.
Në të përditshmen tuaj si e shfaqni romanticitetin, dhe mendoni se romatikët kanë gjithnjë sukses në jetë?
Njerëzit që janë romantikë e gjejnë romanticitetin edhe në jetën e tyre të përditshme. Patjetër që romantikët në fund kanë sukses në jetë pasi janë njerëzit më të dashur për të tjerët, më të bukurit në mendje e shpirt. Mbase duken pak si të dalë mode, por ata që shfaqen jashtë mode janë më në modë, se kështu fillon tendenca.
Folëm shumë për dashurinë, por çfarë martese është ajo që po jetoni me Florian Rizën?
Flori është im shoq, dhe kur jeton me dikë romantizmi jeton diku. Por dhe në momentet e mia emocionale ndaj burrit tim jam romantike. Unë jam Rovena edhe në martesë, sepse njeriu bart me vete atë që ai është, si vetëm, si i martuar. Por do thosha që martesa është një destinacion shumë i ëndërruar. Të gjitha gratë në fund fare duan të martohen se jeta është bërë të ndahet me dikë. Jeta kalohet mirë në çift ndaj them se po jetoj një gjendje të mirë. Jam në një moshë të pjekur që i vlerësoj dhe i shijoj gjërat.

Panorama Plus
YouTube Preview Image