Mihrije Braha: Nuk do të jetoja asnjë çast pa Naimin

June 13, 2010   | Lajmet / Vijesti

Mihrije BrahaOra biologjike për Mihrije Brahën duket se ka ndaluar në vend. Edhe pse vitet ikin, ajo mbetet po ajo vajza sharmante dhe bukur edhe pse mami e një djali. Nuk lë asnjëherë pas dore koncertet dhe punën në televizion. Një krah shumë i mirë për të gjatë këtyre viteve ka qenë edhe bashkëshorti i saj, Naimi. Në një intervistë për “Sh2-in”, ajo tregon jetën e saj të momentit dhe rrëfen disa kujtime dhe detaje nga e kaluara që e kanë bërë atë të jetë kjo që është duke e ruajtur me fanatizëm veten dhe profesionin. Flet më shumë vetë Mihrija….

– Mihrije, si është zgjimi i një ditë të zakonshme për ju dhe si vijon më pas dita?

Për mua zgjimi është i varshëm nga dita e mëparshme, për shembull, nëse kam qenë në koncert apo në ndonjë shfaqje tjetër skenike, unë do të zgjohem më vonë, e nëse nuk kam pasur ndonjë impenjim të tillë zgjohem në orët e hershme, aty nga ora 7. Puna e parë që bëj, përgatis Platorin (djalin) për në shkollë dhe pastaj bëj kafen e mëngjesit për mua dhe Naimin. Gjatë kësaj kohe edhe shikoj televizor, për të pasur një informacion më shumë se çfarë po ndodh rreth meje. Më pas, bëj banjë të ngrohtë, përgatitem dhe vazhdoj së bashku me Naimin detyrat që kemi planifikuar për ditën përkatëse. Shpesh, kur kam kohë të lirë shëtis, ose lexoj dhe mundohem që të relaksohem shpirtërisht. Në orët e pasdites, gjithmonë kur nuk jam e ngarkuar me ndonjë punë, u bëj ndonjë befasi ushqimore Naimit dhe Platorit.

– Pamja juaj vazhdimisht e kuruar të çon te një zgjim luksoz, me mëngjes në shtrat, dritare me pamje nga deti… është kështu?

(Qesh) dritaren e kam në drejtim të Durrësit, por e vendosur në Prishtinë. Jo, ne posedojmë një apartament luksoz në pjesën më të bukur të Prishtinës, ku për çudi ka edhe shumë gjelbërim. Sa i përket mëngjesit në shtrat, rrallë e praktikojmë, sepse neve kemi punëtore në shtëpi, por që nuk e ngarkojmë me mëngjese në shtrat, bile-bile, ajo vjen më vonë kur dalim nga apartamenti.

– Ju keni dalë herët në skenë, çfarë ju ka tërhequr në të që sot e kësaj dite qëndroni suksesshëm?

Skena është shumë impenjative dhe po dole suksesshëm njëherë, atëherë edhe po të duash ta lësh atë, s’të lë ajo ty. Më ka tërhequr fakti që skena është ajo pjesë e shenjtë e botës që e sofistikon atë, e ndryshon atë, e përparon atë. Skena është avangarda e jetës mendoj unë dhe e begaton atë çdo herë me të rejat që sjell për spektatorin. Skena është pararendësja e gjërave të bukura.

– Keni studiuar pedagogji, e keni ushtruar ndonjëherë këtë profesion?

Jo, sepse në periudhat e njëjta me studimet, unë kam qenë gjithmonë shumë e zënë me skenën.

– Dëshira juaj për muzikën është e hershme?

Po, mendjen për tu marr me art e kam pasur të ndarë që në fëmijëri. Më pas, këtë ndjenjë e kam ushqyer dhe e kam përmbajtur me xhelozinë më të madhe.

Bota Sot
YouTube Preview Image