Kumtesë për opinion: Klubi i Karatesë “Ulqini”

June 15, 2010   | Lajmet / Vijesti

KARATE CLUB ULQINI_1KUMTESË PËR OPINION E KLUBIT TË KARATESË “ULQINI”

Klubi i karatesë “Ulqini” hapat e tij të para i qiti që në vitin 1975, përkrah shoqatës së sportit “Ulqini” të asaj kohe.  Si klub në vete i Qytetit është regjistruar në vitin 1985. Që nga fillimi  e deri tash ka shkolluar e aftësuar mijëra anëtarë, mijëra të rinj që sporti i karatesë, klubi “Ulqini”  i mori në gjirin e vet, i hoqi nga rruga dhe i bëri sportistë të dalluar e të dëshmuar, jo vetëm të këtij qyteti,  po edhe në nivel shteti, në nivel gjithëkombëtar, po të dalluar edhe në gara ndërkombëtare.

Garuesit e klubit të karatesë “Ulqini” për çdo vjet i prunë dhe po i bien Qytetit tonë shumë trofe dhe medalje, duke qenë gjithmonë i dalluar ndër më të mirët, si në vend, ashtu dhe jashtë vendit. Sukseset tona bënë xhelozë madje edhe klubet e qyteteve të tjera. Shumë do të dëshironin të kenë sukseset tona. Shumë do të donin të ishin në vendin tonë me rezultate, por jo me përkrahje, pasi fatkeqësisht përkundër rezultateve të larta, përkrahja nga nivelet kompetente vendore, pothuajse mungoi fare. Për çudi përkrahja materiale po bëhet në mënyrë seleksionuese, duke na anashkaluar ne. Pse?  Ku është arsyeja kur rezultatet, masiviteti e kualiteti dëshmon!?

Ne jemi krenarë, meqenëse në çdo vend e në çdo garë ku marrim pjesë përfaqësojmë me dinjitet e shpirt luftarak sportiv emrin e Qytetit tonë të lashtë, të cilin e mbajmë me krenari plot tri dekada. Por habia më e madhe është, e që të shtie të mendosh, ku është shkaku i mospërkrahjes? Athua e gjithë kjo punë jona e palodhshme dekada me radhë, athua këta të rinj, këta sportistë nuk merituakan përkrahje nga pushteti vendor, nga goja e të cilëve shumë herë dëgjohen fjalë të mira për sportin e përkrahjen ndaj sportit. Pyetja “enigmatike” është se kush ndihmohet!? Athua me të vërtetë paska ndonjë dallim në mes të klubeve? Rezultatet nuk mund të jenë, pasi ato flasin se KK “Ulqini” është më i miri! Atëherë pse, edhe ajo pak që parashikohet me buxhet të ndahet në baza të shijeve apo diç tjetër. Këtë e them pasi disa klube lavdërohen botërisht nëpër mjet mjeteve të informimit dhe falënderojnë komunën për ndihmat e vazhdueshme, për çka unë nuk kam asgjë kundër. Por, me të drejtë të bën të mendosh e të pyetësh pse kështu? Deri kur kështu? Në dobi të kujt shkon kjo e këto përkrahje seleksionuese. Në dobi të sportit JO! Në dobi të zhvillimit të individit sportdashës e frymës së shëndoshë sportive e zhvillimore JO se JO. Dashamirësi i sportit këtë vështirë se mund ta kuptojë e as qytetari, as prindi, as mësuesi, as nxënësi sportdashës, as trajneri vetëmohues nuk mund ta kuptojnë!

Prandaj  është koha dhe kërkesë  e realitetit që të ndryshohet diçka në të mirë. Klubi i cili vepron në tërë Komunën, Qytetin me rrethinë,  gjithherë me më se 130 anëtarë, duke vepruar në tri salla, të cilat të gjitha i paguajmë vetë, me gjithë këto rezultate, qindra trofe e medalje meriton të ndihmohet e përkrahet materialisht.

Pushteti me të ardhurat buxhetore duhet të ndihmojë e përkrahë sportin. Të rinjtë e të rejat këtë e meritojnë e pushtetarët ua kanë borxh.

Dhe në fund, një sqarim. Të nderuar anëtarë, prindër e qytetarë kërkojmë falje se sivjet nuk do të kemi mundësi të marrim pjesë në të gjitha garat e turnetë. Besoj se shkakun e kuptuat. Ne kemi fuqinë, dijen, garues të përgatitur, trajnerë të njohur e të dëshmuar, një udhëheqësi të shkëlqyer, por pa përkrahje të nevojshme vështirë është të përballojmë kërkesat.

Shpresojmë se kjo kumtesë  do të kuptohet drejtë, që të ndihmohet sporti.

Dhe fare në fund, falënderojmë  të gjithë ata (individë e afaristë e të tjerë) që na ndihmuan në rrugëtimin tonë sa të vështirë aq të lavdishëm sportiv e njerëzor.

Kryetrajneri i Klubit të karatesë “Ulqini”

Ruzhdi Rama
YouTube Preview Image