Nimanbegu kërkon dorëheqjen e ministrit malazias të Turizmit

June 23, 2010   | Politika

GENCI NIMANBEGU_FORCA-ULQINPodgoricë, 23 qershor – Derisa ministri i Turizmit, Predrag Neneziq para deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi u përpoq të arsyetojë veten dhe resorin ministror që drejton, se “Komuna e Ulqinit sezonin e ardhshëm po e pret e përgatitur dhe se veprimtaritë e planifikuara me qëllim të ngritjes më cilësore të kushteve të pushimit, ndodhen në kulmin e realizimit”, deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ministrit Neneziq i kërkoi dorëheqjen me arsyetimin se “ka shkatërruar turizmin në Komunën e Ulqinit”.
Deputeti i Forcës, Genci Nimanbegu, e përgënjeshtroi ministrin Neneziq, duke nënvizuar se nuk mund të thuhet se sezoni turistik në Ulqin është përgatitur mirë, derisa rruga kryesore “Hafiz Ali Riza Ulqinaku” në qytetit është e rrëmihur edhe e kaptisur në pluhur, raporton KosovaLive.
“Nuk mund të thuhet se janë bërë përgatitje cilësore, derisa edhe hotelet janë të mbyllura. Që në muajin dhjetor të vitit të kaluar e kam informuar Ministrinë e Turizmit se menaxhmenti i hotelit ‘Otrant’ ka ndërmend ta mbyllë objektin”, theksoi Nimanbegu.
Pronar i hotelit “Otrant” në Plazh të madh thuhet se është një firmë ruse, e cila objektin e ka blerë nga “Riviera e Ulqinit”, ndërsa tani e ka marrë me qira një firmë spanjole!?
“Jozyrtarisht mësojmë se marrësi i hotelit me qira, ka paralajmëruar se do të tërhiqet, me që Portmilena është një problem i madh ekologjik. Mbi këto baza, Ministria duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme”, vlerëson Nimanbegu.
Ulqinakët janë shumë të shqetësuar me mungesën e promovimit të ofertës turistike në vendet kryesore ballkanike prej nga tradicionalisht arrijnë pushuesit në Ulqin.
Genci Nimanbegu thekson se në Ulqin është lejuar themelimi i Organizatës lokale turistike, përfaqësuesit e së cilës, në vend që të propagandojnë ofertën turistike në rajon,”ata shpenzojnë paratë duke shetitur nëpër botë”.
Sipas Nimanbegut, ministri Nenzic nuk ka sqaruar përse nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e problemeve në sektorin e turizmit në Komunën e Ulqinit.
Ndërkohë, edhe organizata sindikale e hotelit “Otrant” ka kritikuar ashpër ministrin malazias të Turizmit dhe atë të Ekonomisë që kanë lejuar shkatërrimin në këtë mënyrë të simbolit të turizmit modern të Ulqinit.
Ali Resulbegu, kryetar i sindikatave të hotelit “Otrant”, thotë se në peticionin e nënshkruar nga 40 të punësuarit, kërkohet nga udhëheqja e Komunës së Ulqinit dhe nga Qeveria malazeze që të shpëtojnë hotelin “Otrant” dhe t’u jepen pagat për katër muajt e kaluar.

KOHA NET
YouTube Preview Image

3